Tahiri: Do të konfiskohen pasuritë e fituara jashtëligjshëm

Aktuale

Tahiri: Do të konfiskohen pasuritë e fituara jashtëligjshëm

Më: 11 qershor 2018 Në ora: 14:06
Abelard Tahiri

(E plotësuar) - Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka prezantuar projektligjin për Kompetencat e Zgjeruara për Konfiskimin e Pasurisë, me ç’rast tha se veprat penale për të cilat vlen konfiskimi i pasurisë janë shtuar dukshëm dhe se në këtë mënyrë do të konfiskohet çdo pasuri e fituar në mënyrë të jashtëligjshme.

Kreu i Ministrisë së Drejtësisë këto deklarata i bëri në një konferencë për media, me rastin e prezantimit të projektligjit për Kompetencat e Zgjeruara për Konfiskimin e Pasurisë.

Tahiri tha se ky projektligj mbetet më i rëndësishmi në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Tahiri: Janë shtuar veprat penale për të cilat vlen konfiskimi i pasurisë

“Veprat penale, për të cilat vlen konfiskimi i pasurisë janë shtuar dukshëm me këtë projektligj. Me këtë projektligj, renditja e veprave ku parashihet konfiskimi i pasurisë janë si në vijim: vepra penale të krimit të organizuar, veprat penale për korrupsion dhe veprat penale që ndërlidhen me keqpërdorimin e detyrës zyrtare, veprat penale kundër shëndetit publik, veprat penale të trafikimit me qenie njerëzore, veprat penale të lidhura me konflikte të armatosura jashtë territorit të Kosovës, vepra penale të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, veprat penale që lidhen me substancat narkotike dhe armët, veprat penale kibernetike, ato kundër pronës, kundër ambientit. Pra, kemi një listë më të gjerë të veprave penale me të cilat institucionet e sistemit të drejtësisë do të ketë mundësi të ushtrojë procedurën e konfiskimit”, tha ai.

Po ashtu, Tahiri bëri të ditur se konfiskimi i pasurisë është zgjeruar edhe në kuptim të konfiskimit të çdo pasurie të fituar me vepër penale në 10 vitet e fundit, ndërsa bëri të ditur se konfiskimi është zgjeruar edhe për palët e treta.

Tahiri:  Konfiskimi është zgjeruar edhe për palët e treta

“Konfiskimi është zgjeruar jo vetëm për të pandehurit, por edhe për palët e treta, nëse nuk janë blerës bona fide i asaj pasurie, masë kjo për të pamundësuar transformimin e pasurisë së të pandehurit tek palët e treta, me qëllim të fshehjes apo përdorimit për interes të të pandehurit. Pra, askush nuk do të ketë mundësi që pasuria e fituar me vepër penale, të fshehët, ta transferojë te personat e tretë me pretekstin për t’iu shmangur konfiskimit. Ky projektligj është shprehje e vullnetit tim politik si ministër i Drejtësisë, për luftë të pa kompromis të këtyre dukurive dhe si i tillë tregon përkushtimin e Republikës të Kosovës për të çuar një mesazh të rëndësishëm ndaj të gjithë atyre që për vite në mënyrë të paligjshme kanë fituar pasuri nga veprat penale”, tha ai. 

Ministri i Drejtësisë përmendi edhe barrën e provës, ku tha se me këtë projektligj kalon nga prokurori tek i dyshuari.

Sipas tij, me ndryshimet në këtë projektligj është paraparë edhe rritja e bashkëpunimit mes prokurorëve dhe personave që mund të kenë informata për pasurinë e të pandehurit, ku parashihet edhe rekrutimi edhe i 39 gjyqtarëve të ri. 

Ndërsa sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave, ai u shpreh i bindur se rekomandimi i Komisionit Evropian lidhur me këtë çështje do të jetë pozitiv, pasi Kosova ka arritur të plotësojë kushtin për sekuestrimin e pasurisë.

Tahiri: Jam shumë i bindur që rekomandimi i Komisionit do të jetë pozitiv

"Nga të dhënat që i kemi prezantuar ne si Republikë e Kosovës, besoj që ky komision është ndarë i kënaqur dhe shpresoj që do të kemi vlerësim pozitiv për liberalizim të vizave nga Komisioni Evropian për qytetarët tanë. Pastaj i mbetet vendeve anëtare që është vullneti i tyre politik në qoftë se ne do të lëvizim në fund të këtij viti, apo në fillim të vitit të ardhshëm pa viza apo jo. Si institucione, si agjencione ligj-zbatuese kemi arritur me e përmbushë këtë kusht tejet të rëndësishëm dhe jam shumë i bindur që rekomandimi do të jetë pozitiv”, potencoi Tahiri.

Ai bëri të ditur se Projektligji për Kompetencat e Zgjeruara për Konfiskimin e Pasurisë do t’i dërgohet qysh nesër Qeverisë për miratim, ndërsa së shpejti pritet edhe miratimi i tij nga Kuvendi i Kosovës.

Tahiri: Do të konfiskohet çfarëdo pasurie e fituar me vepër penale

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka prezantuar projektligjin për Kompetencat e Zgjeruara për Konfiskimin e Pasurisë, deri sa bëri të ditur se qysh nesër ky projekligj do t'i dorëzohet Qeverisë.

Me këtë rast Tahiri tha se ky projektligj mbetet më i rëndësishmi në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Ai tha se çfarëdo pasurie e cila është fituar me vepër penale do të konfiskohet.

"Ky projektligj është ndër më të rëndësishmit në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ky projektligj përçon një mesazh të rëndësishëm për të gjithë ata që me vite janë pasuruar me vepra penale. Jam i bindur se me këtë projektligj po e bëjmë hapin përfundimtar ndaj atyre që janë pasuruar me vepra penale", tha ai.

Ai tha se është shumë i bindur se rekomandimi i Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave do të jetë pozitiv, pasi që siç tha ai, Kosova la arritur ta plotësojë kushtin për sekuestrimin e pasurisë.

"Besoj që komisioni është i kënaqur me vlerësimin e raportit. Ne si Qeveri, si institucione ne kemi arritur ta plotësojmë këtë kusht tejet të rëndësishëm. Unë pres që rekomandimin ta kemi pozitiv sepse është bërë punë shumë e madhe në këta gjashtë muajt e fundit", theksoi ai. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat