Limaj: Dhënia e 53 milionëve për “Bechtel & Enka” është për shkak të keqmenaxhimit

Aktuale

Limaj: Dhënia e 53 milionëve për “Bechtel & Enka” është për shkak të keqmenaxhimit

Më: 13 qershor 2018 Në ora: 08:18
Fatmir Limaj

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj ka thënë se dhënia e 53 milionëve për konzorciumin “Bechtel & Enka” është për shkak të keqmenaxhimit.

Kryetari i Nismës Socialdemokrate ka thënë se duhet të tregohet deri në fund se çfarë ka ndodhur me kontratën.

“Është një situatë e keqmenaxhimit. Ky dëm nuk është i kësaj qeverie për faktin se jemi duke shikuar për kërkesat dhe nevojat e qeverisë së kaluar do të thotë se diçka ka ndodhur rrugës. Pas marrjes së detyrës së ministrit Lekaj është vërejtur se aty ka pasur qeveria e kaluar në mosrrespektimin e disa afateve kontraktuale”, ka thënë Limaj.

Sipas tij, duhet të tregohet deri në fund se çfarë ka ndodhur me 53 milionë euro.

“Do të duhet edhe më tepër që nga kjo çështje të informohet dhe opinioni, të tregohet deri në fund se çfarë ka ndodhur me ato 53 milionë. Por, në tërësi arsyeja përfundimtare është keqmenaxhimi”, ka shtuar Limaj.

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj në një konferencë për media ka thënë se Kosova mund të shpëtonte nga kjo, por sipas tij, keqmenaxhimi i ish-ministrit Lutfi Zharku, ka bërë që Kosova t’i humb milionat.

Ai ka shpjeguar se kjo ka ndodhur për shkak të zgjatjes së afatit, madje ky lloj dënimi do paguhet edhe me TVSH dhe sipas tij, Kosovës po ia shpëton 5.5 milionë euro në muaj nga kjo kompani.

Por, ish-ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, ka thënë se Qeveria e Isa Mustafës sipas kontratës ka aprovuar vlerën prej 14.78 milionë euro dhe çdo cent i paguar mbi këtë shumë është joligjor dhe jo kontraktual.

Kujtojmë se Qeveria ka miratuar kërkesën për kompensimin prej 53 milionë eurove të konsorsiumit “Bechtel & Enka” për zgjatjen e kontratës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat