Fondacioni Jahjaga prezentoi projektin : ”Roli i mediave në avancimin e pjesëmarrjes së grave në qeverisje”, i cili përkrahet nga ATRC dhe USAID.
Ky projekt parasheh realizimin e dy trajnimeve në fusha si avokimi dhe të folurit publik me gra në pozita udhëheqëse dhe gra nga kuvendet komunale të tri komunave (Prizren, Shtërpcë e Ferizaj), si dhe trajnime me gazetarë për raportimin gjinor në mënyrë që të rritet vetëdija shoqërore për rolin e grave dhe luftohen stereotipet gjinore.
Presidentja Jahjaga, në fjalën e saj hyrëse u fokusua në rolin e gruas në pozita vendimarrëse duke theksuar nevojën që gratë të jenë të përfaqësuara denjësisht në politikë.
Mexhide Mjaku Topalli , kryetare e grupit të grave deputete në Kuvendin e Kosovës vuri në pah arritjen e barazisë gjinore si kruciale për mbrojtjen e të drejtave të njeriut e funksionimit të demokracisë ndërsa përfaqësueset e zërit të grave lokale, Kristina Gashi Bytyçi, kryesuese e Kuvendit Komunal të Ferizajit dhe Sadije Jakupi - kryesuese e Grupit joformal l të grave në Prizren prezantuan sfidat që kanë në komunat respektive dhe vullnetin e përditshëm për avancimin e pozitës së gruas.