Nxehet Kuvendi, Hoti: Haradinaj, ju jeni i ngratë, eskalon Xhavit Haliti: S’ka birë nane që… - Bota Sot
Nxehet Kuvendi, Hoti: Haradinaj, ju jeni i ngratë, eskalon Xhavit Haliti: S’ka birë nane që…

Aktuale

E martë, 19 qershor 2018

Nxehet Kuvendi, Hoti: Haradinaj, ju jeni i ngratë, eskalon Xhavit Haliti: S’ka birë nane që…

Më: 14 qershor 2018 Në ora: 10:15
Avdullah Hoti dhe Ramush Haradinaj

(E plotësuar) - Deputeti i LDK-së, Lutfi Zharku, ka thënë sot në interpelancën e kryeministrit Ramush Haradinaj, se ministri i Bujqësisë, Nenad Rikallo ka ndarë një fond për komunat veriore për të mbështetur bujqësinë në atë pjesë, në kundërshtim me të gjitha dokumentet dhe kryekëput për qëllime politike.

Në emër të LDK-së, si thirrëse e kësaj interpelance, ai tha se ky favorizim po bëhet me qëllim të keqpërdorimit të parasë publike.

Zharku: Fondi për veriun u bë për keqpërdorim të fondeve publike

“Ne vlerësojmë se thirrja e veçantë për aplikim për grante investive e cila favorizon vetëm komunat e regjionit të Mitrovicës së veriut është në kundërshtim me dokumentet e cekura për qëllime politike, pas kushtëzimit të ministrit Rikallo për mos nënshkrim të planit për zhvillim rural 2018 në rast se nuk ndahet një fond i veçantë për favorizim të komunave në pjesën veriore të Kosovës. Por ky favorizim nuk po bëhet për përkrahje të komunitetit serb të cilin në prapavijë e promovon ministri Rikallo pasi kriteret e tilla favorizuese nuk vlejnë për komunat tjera me shumicë serbe, si në Graçanicë, Kllokot, Artanë, Shtërpcë, Ranilluk apo Partesh. Ky favorizim po bëhet me qëllim të keqpërdorimit të fondeve publike përmes komunave që nuk e pranojnë republikën e Kosovës, thjeshtë në mungesë të rendit dhe ligjit është pothuajse e pamundur ndjekja ligjore e keqpërdorimeve të tilla”, tha Zharku.

Kryeministri Ramush Haradinaj tha se ministri Rikallo ka shprehur një nivel të lartë të kompetencës në punë, hiq ato për të cilat u dyshua për të bëmat e tij në luftë. Kreu i ekzekutivit shtoi se janë në një marrëdhënie me të ndërlikuar me Listën Serbe, pas  arrestimit të shefit të ashtuquajturës Zyrë serbe për Kosovën, Marko Gjuriq.

Haradinaj: Kam kërkuar raport nga MBPZHR

“Sidoqoftë unë kam kërkuar një raport në Ministri lidhur me shqetësimet e shprehur nga LDK për gjendjen në bujqësi, për vendimet e ministrit Rikallo, përfshirë edhe një shkarkim. Të gjitha këto me qëllim që ta kemi të qartë se si po ndodhin këto, të gjitha veprimet në Ministrinë e Bujqësisë. Megjithatë, ju siguroj se Ministria është funksionale, pra zëvendësministri i caktuar është në mbledhje të qeverisë. Kjo ka ndodhur edhe në të kaluarën, ju kujtohet Tomë Hajdari ka kaluar nga zëvendësministri është kthyer në ministër, pra nuk është hera e parë që Kosova është ballafaquar me një bojkot të tillë”, tha Haradinaj.

Deputeti i PDK-së, Elmi Reçica, tha se fondi i veçantë për veriun nuk duhet të shihet si diçka e keqe, por si gatishmëri e Qeverisë për të investuar në atë pjesë, pasi, siç u shpreh ai, edhe ata janë qytetarë të Kosovës.

Reçica theksoi se ajo që duhet të kenë parasysh në këtë pikë është që ai fond nuk duhet të jetë fond i përhershëm, sepse në vitet e tjera duhet të jenë qytetarë pjesë e barabartë e aplikimit për grante dhe subvencione.

Reçica: Ministrat e Listës meqë po marrin vendime duhet të vijnë edhe në Kuvend

“Natyrisht që ne respektojmë punën e ministrit, kompetencat që ai ka, por puna e secilit ministër duhet të jetë konform ligjit dhe transparente për qytetarët. Asnjë vendim i cilitdo ministër, institucionalist që merret në formë transparente nuk mund ta kënaqë as këtë Kuvend, e lerë më qytetarëve, pavarësisht përkatësive politike dhe tjera. Dua të theksoj se ministrat e Listës Serbe, meqë janë kthyer në punë dhe po marrin vendime le të vijnë edhe në Kuvend. Nuk është mënyra e duhur as nuk është në rregull që arta të luajnë lojë të dyfishtë, ata janë pjesë e kësaj qeverie, i marrin pagat dhe duhet të jenë këtu”, u shpreh Reçica.

Në emër të Lëvizjes Vetëvendosje, deputeti Liburn Aliu, ka thënë se Ministria e Bujqësisë nuk është vetëm duke bërë një lloj diskriminimi të lehtë në teren, por është drejtpërdrejt duke e mbrojtur interesin e Serbisë. Sipas tij, këtë kjo ministri po e bënë në dy rrafshe.

Aliu: Ministri po i mbron kompanitë nga Serbia

“Është çështja e mbështetjes së kompanive të cilat importojnë nga Serbia edhe kur ato bëjnë shkelje, edhe konkretisht duke forcuar strukturat e Serbisë përmes Listës Serbe nëpër zonat ku janë serbët. Pra, nëse ne duam të bëjmë integrim të serbëve lokal, kjo ndodh kur lidhjet me Beogradin janë gjithnjë e me të vogla”, tha Aliu.

Ai ka kërkuar edhe shkarkimin e ministrit Rikallo, pasi nuk ka kuptim të bëhet një favorizim i tillë etnik.

Deputeti Salih Salihu, në emër të grupit parlamentar të PSD-së, theksoi se sektorin e bujqësisë kjo Qeveri nuk po e trajton seriozisht si sektor i zhvillimit ekonomik.

Salihu: Rikallo nuk erdhi kurrë në Kuvend

“Prej se e ka marrë pushtetin kjo Qeveri, ministri Rikallo nuk ka ardhur fare në Kuvend, përveç se kur është diskutuar çështja e tij, madje as për ta shpalosur programin qeverisës për bujqësi e as kur është diskutuar projektligji për buxhetin 2018. Ndërsa as sot nuk ka ardhur. Ndërsa, sa i përket shkarkimit të kryeshefit të Agjencionit të Zhvillimit të Bujqësisë, mendoj që sot ministri do duhej të vinte këtu dhe të sqaronte se çfarë shkeljesh ka bërë”, u shpreh Salihu.

Ndërsa, shefi i deputetëve të AAK-së, Ahmet Isufi, u shpreh se interpelancat që nuk kanë lidhje me kryeministrin, po shihet se përdoren me shumë për konsum politik se sa për të sqaruar çështje shumë të ndjeshme.

Isufi: Pse duhet kjo interpelancë, kur është Komisioni për Bujqësi

“Me habit fakti se pse kërkohet kjo interpelancë kur kemi Komisionin për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, e që mund ta thërrasin edhe ministrin, edhe zëvendësministrin, sekretarin e përgjithshëm dhe të ketë Kuvendi një raport të detajuar me të cilin pastaj t’i analizonim të gjitha të dhënat që do  të dilnin nga Komisioni”, tha Isufi.

Shefi i deputetëve të LDK-së, Avdullah Hoti, ishte i ashpër ndaj kryeministrit Haradinaj, duke i thënë se kjo Qeveri nuk e ka fare brengë bujkun as fermerin. Sipas tij, ndryshe kjo nuk mund të kuptohet fare një qasje e ministrit i cili nuk shkon fare në mbledhje të Qeverisë, e nuk paraqitet në Kuvend, por buxhetin për grante e ndanë për interesa të tij personale dhe partisë së tij.

Hoti: Kryeministër, tash po dilni se ju jeni i ngratë

“Mua me vjen keq ta përsëris, por Haradinaj është më së paku kryeministër. Atë nuk e pyet askush më brenda Qeverisë. Ai është në krye të Qeverisë ku secili anëtar punon për hesape të veta apo partisë së tij, duke e kthyer krejt pasurinë shtetërore në plaçkë dhe është evidente se buxheti i shtetit po keqpërdoret. Vendimet e Qeverisë për ndarje të buxhetit janë skandaloze. Ju jeni shumë i fuqishëm për të sharë e për të fyer kudo që ju jepet mundësia, apo për të larguar gratë nga foltorja, por kur është rasti që jeni duke diskutuar ju e pranoni se jeni plotësisht i pafuqishëm. Ju i keni duart e lidhura kryeministër për të vepruar për shkak të pazarit të turpshëm për krijimin e Qeverisë. Ju jeni i fuqishëm për të fyer e përçmuar rivalët politik shqiptarë. Ai që ju diku e quanit të ngratë, me të cilin ju nuk mund të konkurroni, e kishte shkarkuar një ministër serb. Tash po del se ju jeni i ngratë. Kryemi nistër ju i keni turpëruar miqtë tanë ndërkombëtarë me këto sjellje, fundi i juaj në politikë nuk do të jetë i lavdishëm”, tha Hoti. 

Megjithatë, në fund të interpelancës, edhe pse u paraqit një rezolutë me katër pika për t’u votuar, nuk pati kuorum për të votim.

Seanca do të vazhdojë të martën prej orës 10:00.

Kërkohet shkarkimi i ministrit Rikalo

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu gjatë interpelancës së kryeministrit Ramush Haradinaj ka kërkuar që rezolutës t’i shtohet  pika për shkarkimin e Ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Nenad Rikalo.

“Duhet t’i shtohet pika që të shkarkohet ministri Rikalo. Shkarkimi do të duhej të ishte hapi i parë”, tha Aliu.

Kryministri Haradinaj është thirrur në interpelancë nga grupi parlamentar i LDK-së në lidhje me vendimet e Nenad Rikallos për shkarkimin e një drejtori dhe ndarjen e mjeteve grante dhe subvencione.

Aliu u shpreh se Lëvizja Vetëvendosje ka qenë e bindur që Rikalo do të jetë ministër që do të aplikoj politika në favor të Serbisë.

“Ne mund të paraqitemi se nuk po ndodhë asgjë, ministria nuk është duke bërë një diskriminim të vogël në terren por direkt po mbron interesat e Serbisë. A po integrohen serbët lokal me politikat e Rikalos, jo, përkundrazi politikat e tij po i dezintegrojnë. Programi i tij për veriun, ka fonde të ndara në veçanti vetëm për veriun, në anën tjetër kur kemi të bëjmë me kompani që marrin grante, kush janë kompani, janë kompani që importojnë makineri nga Serbia”, theksoi Aliu.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje tha se Ministria e Bujqësisë po vihet në mbrojtje të prodhuesve të Serbisë.

“Nuk do të duhej të tolerohet politika e tij e dyfishtë e Listës Serbe. Ata ta marrin buxhetin, nuk të njohin dhe kaq. Nëse nuk ndërtojmë mekanizma që i ndalojmë këto, atëherë me buxhetin e Kosovës do të bëhej ndarje edhe më e madhe ndëretnike”, përfundoi Aliu.

Milionat për veriun nga Rikalo, Haradinaj thotë se ka kërkuar raport me shkrim për këtë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se ka kërkuar raport nga ministri Bujqësisë, Nenad Rikalo, lidhur me shqetësimet për vendimin  e tij për të dërguar milion euro në veri të Mitrovicës.

Haradinaj në interpelancën e thirrur nga LDK për këtë çështje ka thënë se tek ministri i Listës Serbe, ka vërejtur interes dhe seriozitet në punë.

Kamë kërkuar  raport për  shqetësimet e shprehur nga LDK, për veprimet e ministrit të Bujqësie dhe kërkesën për shkarkim”, tha Haradinaj.

Ministria e Bujqësisë ka publikuar kohë më pare një thirrje për aplikim në një Program të veçantë mbështetës, dedikuar rajonit të Mitrovicës Veriore të banuar kryesisht me serbë.

Gaxherri kritikon deputetet që nuk reaguan ndaj veprimit të Haradinajt në Prizren

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besa Gaxherri, ka kritikuar Grupin e Grave Deputete, për mos reagim ndaj skandalit të kryeministrit në Prizren, kur e largoi me forcë një grua nga foltorja.

Gaxherri: Gratë deputete të koalicionit nuk deshën të reagojnë ndaj skandalit të kryeministrit

“Fatkeqësisht dua ta bëjë me dije opinionin që bordi i grave deputete nuk ka mundur të marrë vendim për të reaguar, në përjashtim të LDK-së dhe VV-së sepse gratë e këtyre që janë në koalicion, nuk duan të reagojnë ndaj skandaleve qoftë të kryetarit të Kuvendit, qoftë të kryeministrit, andaj kjo është e papranueshme. Natyrisht me relevancë është skandali dhe dështimi i protokollit, nuk ka fajet ligji, fajet i kanë ata që janë në Qeveri, atë ditë na kanë dëshmuar që ata nuk dinë as çka janë protokolli, as kryetari i Kuvendit as kryeministri”, tha Gaxherri.

Numri i universiteteve në Kosovë, përplasen Çoçaj-Bytyqi

Deputeti i PDK-së, Nezir Çoçaj, në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës ka pyetur ministrin e Arsimit, Shyqiri Bytyqi, nëse do të mbesin vetëm dy universitete publike në Kosovë, meqë ky i fundit, sipas deputetit Çoçaj, ka thënë se në vend duhet të mbesin vetëm dy universitete publike.

Ai po ashtu ka pyetur ministrin Bytyqi nëse do të ketë regjistrim të studentëve në vitin e ri akademik.

Çoçaj: Sa universitete publike do të mbesin në Kosovë

“Shqetësimet e studentëve, stafit akademik dhe qytetarëve janë të mëdha, pasi që është edhe koha kur do të fillojnë edhe regjistrimet në universitete. Duke u ndërlidhur me këto deklarata kemi edhe një proces të zgjedhjeve në Universitetit të Prizrenit, ku anëtarët e Këshillit Drejtues kanë bërë shkelje edhe të ligjit të arsimit të lartë edhe statutit të UPZ-së, edhe Këshillit Drejtues. Prandaj pyetja ime është, sa universitete do të mbesin, a do të ketë regjistrim të studentëve në vitin e ri akademik”, pyeti Çoçaj.

Ndërsa në përgjigjen e tij, ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, theksoi se kjo do të diskutohet në Qeveri ku njëri propozim ka të bëjë me profilizimin e gjithë universiteteve publike dhe i dyti propozon që profilizimet të shndërrohen në dy universitete.

Bytyqi: Kemi diskutuar ndoshta të jenë vetëm dy universitete publike

“Nuk kemi deklaruar asnjëherë që do të mbeten vetëm dy universitete, qoftë në atë që e quani një në rrafshin e Dukagjinit dhe Universiteti i Prishtinës. Kemi thënë që ne do të bëjmë formimin e një grupi punues i cili është bërë me ekspertë të brendshëm dhe të jashtëm për ta bërë fizibilitetin e universiteteve publike. Mbi raportin e profesionistëve dot ë vendoset se si do të qasemi universiteteve publike me qëllimin që cilësia në Universitete publike të jetë me standard me të lartë, siç është Universiteti i Prishtinës. Ka qenë opsion që mund të mbeten vetëm dy universitete duke i kaluar në pjesë tjera që të jenë kampuse të këtyre dy universiteteve. Por tani jemi shumë më konkret, e kemi raportin e përfunduar dhe shumë shpejt ky raport do të diskutohet në Qeveri ku janë propozuar dy propozime, njëri ka të bëjë me profilizimin e gjithë universiteteve publike dhe i dyti që profilizimet të shndërrohen nd oshta në dy universitete”, tha Bytyqi.

Por me përgjigjen e ministrit Bytyqi, nuk ishte i kënaqur deputeti Çoçaj, i cili tha se nuk ka marrë përgjigjen e duhur. Çoçaj përmendi disa raporte të mediave ku ministri dhe zyrtarët e MASHT-it kanë deklaruar se do të mbesin vetëm dy universitete publike.

Salihu i PSD-së i shqetësuar për kushtet e policëve

Deputeti i Partisë Socialdemokrate Salih Salihu, ka ngritur problemin e mungesë së sigurimeve shëndetësore dhe jetësore të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës dhe mungesës së infrastrukturës nëpër stacionet policore.

Sipas deputetit Salihu, shumë policë kanë humbur jetën në krye të detyrës dhe shumë tjerë janë lënduar, ku kanë hasur në vështirësi në trajtimin mjekësor.

Salihu: Mungesa e sigurimeve shëndetësore po e vështirëson trajtimin e tyre

“Sot Policia e Kosovës është e vetmja polici në botë që nuk kanë sigurime shëndetësore dhe sigurim jetësor. Në krye të detyrës policët e Kosovës shumë herë kanë qenë të rrezikuar apo janë lënduar dhe mungesa e sigurimeve shëndetësore kanë vështirësuar trajtimin mjekësor apo të shërbimit për familjarët e policëve që kanë humbur jetën. Që nga themelimi i Policisë së Kosovës deri me tani 17 pjesëtar të saj kanë humbur jetën në vendin e punës. Kurse numri i policëve të lënduar në krye të detyrës konsiderohet shumë i lartë. Së fundi kemi humbjen e jetës së dy policëve gjatë kryerjes s detyrës zyrtare në magjistralen Hani i Elezit-Kaçanik”, theksoi Salihu.

Sipas tij, Policia e Kosovës nuk ka as kushtet të mjaftueshme infrastrukturore e logjistike për ta kryer punën ashtu siç duhet.

Hoti fton opozitën të ndalin zbatimin e vendimit për rritjen e pagave

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka përmendur disa shkelje që kryeministri Haradinaj ka bërë me vendimin për rritjen e pagave për të dhe vartësit e tij.

Ai ka thënë se ky vendim shkel  Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë, Ligjin për Buxhetin për 2018 dhe ligjin për konflikt të interesit.

Ai në një postim në facebook ka kërkuar qasje tjetër nga opozita për të ndaluar këtë vendim.

“Në mbështetje të këtij legjislacioni, nuk ka dyshim se vendimi i Qeverisë shkelë Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë, Ligjin për Buxhetin për 2018 dhe ligjin për konflikt të interesit”.

“Nëse këto nuk mjaftojnë për të konstatuar se ky vendim është jo ligjor, atëherë sigurisht se duhet qasje tjetër opozitare për të ndaluar zbatimin e këtij vendimi”, ka shkruar Hoti.

Haxhiu: Na duhet bashkim opozitar e qytetar për ta ndalë këtë qeveri

Deputetja e lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu në seancën e Kuvendit të Kosovës tha se kjo qeveri është qeveri e zhvatjes së parasë publike.

Haxhiu tha se për ta ndalë këtë qeveri të zhvatjes duhet një bashkim opozitarë dhe qytetarë.

“Na duhet një bashkim opozitar dhe qytetarë për ta ndalë këtë qeveri…”, u shpreh Haxhiu.

Ajo tha se rritja e pagës nga Qeveria Haradinaj është në shpërputhje të plotë me gjendjen ekonomike e sociale në vend.

Sipas saj, arsyetimi se rritja e pagave ndalon korrupsionin është i pabazë  dhe arsyetim banal.

Xhavit Haliti ndaj deputetëve opozitarë: S’ka bire nane që…

Seanca e Kuvendit të Kosovës nuk ka kaluar pa përplasje mes nënkryetarit të Kuvendit Xhavit Haliti dhe deputetëve tjerë.

Derisa deputetët e opozitës kërkonin ta merrnin fjalën, ishte nënkryetari Haliti i cili ka reaguar duke thënë se “nuk dëshiron t’ua japë fjalën”

“S’po du me ta dhanë fjalën, çka ki që po bërtet. Çka kini, a po doni me ba hajgare me mu a çka?!”, ka reaguar Haliti.

“Unë nuk ia ndali fjalën kurrkujt, por po e keqpërdorni. Po e kërkon fjalën në kundërshtim me rregulloren e Kuvendit”, ka shtuar ai.

“Është bërë foltorja e Kuvendit… mos të flas”, ka reaguar tutje Haliti.

Derisa deputetët e opozitës vazhdonin ta kërkonin fjalën, Haliti vazhdonte të fliste.

“Nuk ka bir nane që e udhëheq Kuvendin dhe që ia bën qejfin 120 deputetëve”, ka thënë ndër tjera Haliti.

Kuvendi s’ka kuorum për seancë

Seanca plenare e Kuvendit të Kosovës e cila është paraparë të fillojë në orën 10, ka shkuar me 10 minuta pushim për shkak se nuk ka pasur kuorum.

Me këtë rast, nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti, u ka apeluar shefat e grupeve parlamentare që të thërrasin deputetët e tyre në sallë. 

Edhe kryeparlamentari Kadri Veseli në këto momente ka bërë thirrje për kthim të deputetëve në sallë.

Seanca e Kuvendit (Drejtpërdrejt)

Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancë plenare, me gjithsej 15 pika në rend të ditës.

Pika e tretë e kësaj seance është interpelanca për Ministren e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test