Haradinaj: Të mos dështojmë në përfundimin e projekteve infrastrukturore

Aktuale

Haradinaj: Të mos dështojmë në përfundimin e projekteve infrastrukturore

Më: 14 qershor 2018 Në ora: 13:06
Kryeministri Ramush Haradinaj

Me moton " Jo shpejtësisë, po sigurisë", sot janë përuruar edhe 11 kilometra të autostradës Prishtinë- Hani i Elezit, “Arbën Xhaferi", segment ky i cili është i parafundit deri në përfundim të punimeve të përgjithshme.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj u shpreh se sot gëzimi i tyre është i përgjysmuar pasi që i plotë do të jetë me përfundimin e të gjitha punimeve në  autostradën "Arbën Xhaferi".

Sipas kreut të ekzekutivit investimet infrastrukturore janë të shtrenjta, por që janë të domosdoshme, andaj edhe kërkoi përfundimin e tyre me kohë.

Ai u shpreh se përmes investimeve në infrastrukturë, Kosovën do ta pozicionojnë më mirë se ekonomitë e rajonit.

Haradinaj: Të mos dështojmë në përfundimin e projekteve infrastrukturore

"Është me rëndësi që Kosova të jetë e përgjegjshme dhe të mos dështojë në asnjë obligim të vetin në përfundimin e këtyre projekteve që janë kaq madhore. Gjitha institucionet e Kosovës, i gjithë spektri politik, të gjithë ne në Kosovë jemi të vetëdijshëm për rëndësinë strategjike të këtyre projekteve dhe do të jemi në nivel të obligimeve të marra, të përgjegjësive që të përmbyllim me sukses projektet infrastrukturore të filluara", ka deklaruar Haradinaj.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli gjatë këtij përurimi u shpreh se me këto investime infrastrukturore Kosova po bëhet lidere e transformimit modern në Ballkan.

Veseli: “Arbën Xhaferi” po hedh shtrat

"Ndoshta dy dekada më parë kjo ka qenë një ëndërr e mirë e cila është parë vetëm jashtë Kosovës e sot kjo në Kosovë është realitet dhe po ndodh. "Arbën Xhaferi" është duke hedhur shtat, "Arbën Xhaferi" shumë shpejt në përfundimin të këtij viti besoj që Pali me këtë entuziazëm, të cilin e ka deri më 28 nëntor që është një ditë e shenjtë për ne shqiptarët do ta dërgoi deri tek kufiri me Republikën e Maqedonisë", tha Veseli.

Duke u shprehur i bindur se liberalizimi i vizave për kosovaret do të ndodhë në fund të vitit, kryeparlamentari Veseli tha se ndërtimi i autorrugëve e bën vendin tonë një lokomotivë të zhvillimit ekonomik.

Ndërsa, ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj u shpreh i lumtur se me buxhetin e Kosovës po përfundojnë gradualisht këtë projekt domethënës për vendin dhe ekonominë e saj, ndërsa u zotua se do të punojnë që deri në fund të mandatit të tyre do të përmbyllet kapitulli i infrastrukturës rrugore.

Lekaj: Me këtë autostradë po ndikojmë në zhvillim ekonomik

"Jemi duke shkuar drejt kompletimit të kësaj autostrade e cila Kosovën e bënë më të plotë, e mbush me më shumë potencial, energji për ardhjen e investitorëve e do të jetë lehtësim për qarkullimin e njerëzve dhe mallrave me rezultate konkrete në zhvillimin ekonomik. Në këtë rrugë me standarde dhe siguri të lartë të nivelit evropian e bëjmë të mundur që Kosova të zhvillohet ekonomikisht e në të njëjtën kohë po mundësohet lidhja e ekonomisë me vendet fqinje por edhe me ato të Bashkimit Evropian", tha Lekaj.

I pranishëm në këtë përurim ishte edhe ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Greg Delawie, i cili u shpreh se investimet në rrugë po bëhen për të ardhmen e mirë të Kosovës.

Delawie: Ndërtimi i këtyre rrugëve rrit integrimin për Kosovën

“Përmirësimi i rrugëve të Kosovës është një vlerë për zhvillimin ekonomik. Kosova ka nevojë për rrugë të mira për të çuar njerëzit drejt tregtisë dhe për të tërhequr investimet në nevojat e tyre. Rrugë të mira si rruga R6, gjithashtu, ndihmojnë që Kosova të rrisë integrimin dhe të ndërtojë marrëdhënie më të forta me fqinjët e saj. Rruga gjashtë, më shumë se një investim në rrugët e Kosovës është një investim në të ardhmen e Kosovës. Më shumë se shtatëdhjetë për qind e punëtorëve në këtë rrugë janë nga Kosova” , ka thënë ambasadori amerikan.

Duke folur rreth pagesës së 53 milionëve për Bechtel-Enka, Delawie ka përgëzuar Qeverinë e Kosovës që ka arritur të bëjë zgjidhje për vonesat e pagesave ndaj kësaj kompanie.

Në përurimin e segmentit të tretë të autostradës Prishtinë- Hani i Elezit të pranishëm ishin edhe ministra dhe ambasadorë të vendeve të ndryshme në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat