Konfiskimi i pasurisë i “zhveshë” komandantët e pasluftës, jeta e tyre mund të bëhet tmerr!

Aktuale

Konfiskimi i pasurisë i “zhveshë” komandantët e pasluftës, jeta e tyre mund të bëhet tmerr!

Nehat Shaqiri Nga Nehat Shaqiri Më 16 qershor 2018 Në ora: 20:40
Ilustrim

Komandantët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe pushtetarët tanë, shumica prej tyre, nga zero u bënë milionerë, në shtetin e varfër të Kosovës.

Një pjesë bukur e madhe e tyre u pasuruan në kurriz të popullit. Është për t'u çuditur me vetë faktin se qysh u pasuruan kaq shpejt!? Disa prej tyre, gjatë kohës së luftës ishin mjaft të varfër, e disa kishin sado pak të ardhura. Ndërsa sot, disa prej tyre edhe pse gëzojnë paga të deputetit me vlerë rreth 2 mijë euro në muaj, po të mblidhet kjo shumë e të hollave për tërë vitet e pasluftës, pasuria e tyre prapë nuk mund të arrinë shifrën e milionit.

Ndërsa, disa të tjerë që nuk janë të kyçur direkt në politikë, indirekt ata përfitojnë nga politika. Aq shumë fitojnë, sa me pasuri të tundshme dhe të patundshme janë milionerë.

Por, shtrohet pyetja, se si u pasuruan, si janë bërë milionat ne shtetin e varfër të Kosovës?

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri tha se, përmes projektligjit për kompetencat e zgjeruara për konfiskimin e pasurisë po synohet konfiskimi i çfarëdo pasurie të fituar me vepër penale.

“Jam i bindur se me këtë projektligj, po bëjmë hapin më vendimtar ndaj keqpërdoruesve, ndaj personave që merren me krim të organizuar, ndaj personave zyrtarë e politikë që mund të kenë llogaritur se do të mund të pasurohen përmes korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin”, tha Tahiri.

Këtë projektligj, ministri Tahiri do ta dorëzon të martën në Qeveri.

Image
Gazmend Islami

Është koincidencë se thuajse të gjithë anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, gjithashtu edhe të gjithë komandantët e Zonave operative të cilët kanë operuar në Kosovë, janë milionerë, thotë publicisti, njëherësh edhe kryetar i Ballit Kombëtar Demokrat, Gazmend Islami.

Sipas tij, të gjithë këta kanë pasuri të madhe të tundshme dhe të patundshme, gjithashtu kanë bartë pasurinë edhe nëpër familjarët e tyre, dhe thjesht, Islami thotë se 95% prej tyre janë marrë me krim të organizuar ekonomik.

“Po të kemi një shtet të së drejtës, një shtet me suaza të normales, një Prokurori dhe Gjyqësi të pavarur, të gjithë këtyre jo që do të duhej të u merrej pasuria, por menjëherë duhet të fillonin procedurat për të marrë dënimin e merituar për veprat e rënda penale që i kanë bërë”, thotë Islami për gazetën “Bota sot”.

Kryetari i Ballit Kombëtar Demokrat, thotë se, me një procedurë krejt të thjeshtë mund të dimë se cili nga komandantët dhe nga pushtetarët e tjerë që vijnë nga radhët e LDK-së kanë pasuri të vjedhur.

“Pra, pasuritë e deklaruara të tyre, me një matematikë të thjesht nëse i llogarisim me rrogën mesatare në Kosovë, dhe ata deklarojnë shifra marramendëse, atëherë kjo është një pasuri e vjedhur dhe kjo pasuri do duhej të merret, dhe ndaj tyre të merren masat ashtu siç e meritojnë dhe mos të ketë të privilegjuar”, thekson ai.

Sipas tij, komandantët e pasluftës e kanë kllabruar Kosovën më shumë se që e ka kllabruar pushteti i Serbisë.

“Të gjithë ata që kanë kryer krime si politike ashtu edhe ekonomike, duhet ta marrin dënimin e merituar dhe njëherë e përgjithmonë të hiqemi nga kjo politik antivlerë, antikombëtare, antinjerëzore dhe antishtetërore. Këto janë politika të cilat as Millosheviçi nuk i ka ndjekur gjatë periudhës së pushtimit”, thotë Gazmend Islami.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat