Analisti tregon pse Shqipëria duhet të përdor veton ndaj Maqedonisë

Aktuale

Analisti tregon pse Shqipëria duhet të përdor veton ndaj Maqedonisë

Arben Sylejmani Nga Arben Sylejmani Më 17 qershor 2018 Në ora: 17:28
Foto ilustrim

Nënshkrimi i marrëveshjes ndërmjet Greqisë dhe Maqedonisë për kontekstin e emrit, i hap kësaj të fundit rrugën për t'u bërë anëtare e NATO-s.

Por, analisti Faik Krasniqi, thotë se Shqipëria si shtet anëtar në këtë organizatë ushtarake, duhet të përdor veton ndaj Maqedonisë, nëse ajo nuk e zbaton Marrëveshjen e Ohrit.

“Konsideroj se do të duhej edhe Shqipëria që është pjesë e NATO-së ta kërcënonte me veto Maqedoninë, deri atëherë kur shqiptarët e Maqedonisë do t'i gëzonin të drejtat e plota në bazë të nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit. Kjo do të ishte ndihma më e madhe që do të mund t'i bënte shqiptarëve të Maqedonisë, në mënyrë që krahas sllavomaqedonasve edhe ata të ishin komb shtetformues në shtetin e Maqedonisë. Përndryshe, shqiptarët gjithmonë do të ngelin qytetarë dytësorë në shtetin e tyre, edhe pse përbëjnë mbi 40% të popullatës në Maqedoni!”, thotë Krasniqi për "Bota sot".

Image
Faik Krasniqi

Sa i përket nënshkrimit të marrëveshjes ku Qevera e Zaevit pas disa negociatave me Greqinë, pranoi që shteti i tij nga e diela, të quhet, Maqedonia Veriore, ai mendon se ky traktat ka qenë i domosdoshëm për t'u bërë anëtare e NATO-s dhe e Bashkimit Evropian.

“Maqedonia e ka të domosdoshme anëtarësimin e saj në NATO, sepse ajo është mburoja më e mirë e sigurisë së Maqedonisë, por edhe mbrojtjen identitetit të kontestuar sllavomaqedonas. Por pa zgjidhjen çështjen e emrit, Maqedonia kurrë s'do të mund të bëhej anëtare e NATO-së, sepse Greqia gjithmonë do ta përdorte VETON e saj”, shtoi ai.

Ndryshe, Maqedonia aktualisht është anëtare e OKB, por zyrtarisht, si FYROM (Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat