Dushi: Nekibe Kelmendi ishte një simbol i forcës dhe guximit që u shndërrua në legjendë

Aktuale

Dushi: Nekibe Kelmendi ishte një simbol i forcës dhe guximit që u shndërrua në legjendë

Nga: H.O. Më: 19 qershor 2018 Në ora: 09:25
Nekibe Kelmendi/Florian Dushi

Sot janë bërë shtatë vite nga vdekja e ish ministres së drejtësisë, deputetes dhe nënkryetares së LDK-së, Nekibe Kelmendi.

Sot në shtatëvjetorin e saj të vdekjes e ka kujtuar zyrtari i LDK-së, dhe nipi i saj, Florian Dushi, duke shkruar në Facebook se ajo ishte një simbol i forcës dhe guximit që u shndërrua në legjendë.

Postimi i plotë i Florian Dushit:

NEKIBE KELMENDI (1944-2011)

Në shtatë vjetorin e ndarjes nga jeta, e kujtojmë me respekt e krenari të veçantë, njërën ndër themelueset e LDK-së, nënkryetaren e saj, deputeten dhe ministren e drejtësisë, Znj.Nekibe Kelmendi...LAVDI
____________

NEKIBE KELMENDI - një simbol i forcës dhe guximit që u shndërrua në legjendë

Shkruan: Florian Dushi

Roli dhe kontributi i gruas shqiptare në zhvillimin dhe përparimin e kombit shqiptar, në të gjitha fazat e zhvillimit historik dhe në lëvizjen për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, si pjesë e historisë sonë më të re, meriton një vend të dinjitetshëm. Me vlerat e veta, vepra dhe angazhimi i gruas shqiptare qëndron fuqishëm në themelet e zhvillimit dhe të të arriturave të kombit shqiptar në përgjithësi, si dhe të Kosovës në veçanti. Ndër këto personalitete eminente të historisë sonë më të re, me kontributin dhe veprën e saj shquhet padyshim zonja Nekibe Kelmendi, një ndër themelueset dhe udhëheqëset e spikatura të lëvizjes për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Zonja Nekibe Kolica-Kelmendi lindi më 11 maj 1944, në Pejën e bukur të Haxhi Zekës e Bedri Pejanit. Aty e përfundoi shkollën fillore dhe të mesme, ndërsa në vitin 1968 i përfundoi studimet në Fakultetin Juridik në Prishtinë, si rrallë ndonjë femër në atë kohë në Kosovë. Menjëherë pas përfundimit të studimeve kishte filluar të punonte si gjyqtare (1968) dhe më pas në vitin 1974 punoi si avokate dhe konsiderohej avokatja e parë femër në historinë e femrës shqiptare. Ajo u martua me Bajram Kelmendin, një jurist/avokat i përmasave botërore, ndaj të cilit regjimi serb qysh herët kishte filluar përndjekjet duke e përcjellur e vërejtur orientimin dhe veprimin e tij kombëtar. Nga kjo martesë, çifti Bajram dhe Nekibe Kelmendi kishin tre fëmijë, Kastriotin, Kosovaren dhe Kushtrimin. Kështu, Nekibes, përveç angazhimeve të saj të veçanta profesionale, në këtë periudhë i duhej të angazhohej në përkujdesjen edhe si një nënë e mirë e më të dashurve të saj. Ndonëse në Kosovë, pas demonstratave të vitit 1968, pozita e shqiptarëve kishte filluar të përmirësohet në disa përmasa minimale, pas atyre të vitit 1981 situata u përkeqësua rëndë. Demonstratat e atij viti kishin për qëllim avancimin e mëtutjeshëm të pozitës kushtetuese të Kosovës pas ndryshimeve kushtetuese të vitit 1974 në ish-Jugosllavi. Kosova, prej dekadash mbahej dhunshëm në Jugosllavi në kundërshtim me vullnetin e shqiptarëve të cilët përbënin shumicën absolute të popullsisë në Kosovë. Ndërsa kundërshtimi i shqiptarëve sa vinte e shtohej ndaj tashmë një okupimi klasik të Kosovës nga ana e Serbisë, në vitin 1989 u suprimua edhe autonomia e Kosovës që ishte sigururar me Kushtetutën e vitit 1974.

Në këto rrethana lind nevoja për organizime të reja të shqiptarëve për të siguruar dhe mbrojtur të drejtat e tyre, tash edhe ato elementare. Kështu, në vitin 1989, në Kosovë u themeluan Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMLDNJ) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), si një lëvizje politike nacionale e gjithë shqiptarëve të Kosovës. Zonja Nekibe Kelmendi, e cila paraprakisht ishte shkarkuar nga pozita e gjyqtares nga regjimi i Millosheviqit, u gjend në themelimin e të dy këtyre organizimeve, bashkë me intelektualët më të shquar të kohës. Nekibja, krahas punës së përbashkët me Bajramin në mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve dhe senzibilizimin e opinionit ndërkombëtar mbi përmasat e dhunës dhe terrorit që regjimi serb po ushtronte ndaj shqiptarëve, aktivitetin e saj politik e zhvilloi në Lidhjen Demokratike të Kosovës- LDK, përkrah Presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova. Ajo ishte anëtare e parë e Kryesisë së parë të Lidhjes Demokratike të Kosovës (dhjetor 1989), për të vazhduar me angazhime dhe përgjegjësi të ndryshme, përfshirë edhe detyrat si Sekretare e përgjithshme e LDK-së (1998 deri 2003) dhe nënkryetare (2006-2010). Për gjithë ato vite, Nekibja zhvilloi një aktivitet të dendur e të palodhshëm për zgjidhjen e çështjes së Kosovës konform programit për shtet të lirë, të pavarur e demokratik. Zonja Nekibe Kelmendi, krahas zotësisë e mprehtësisë së saj profesionale e politike, në përkushtimin e saj për kauzën e Kosovës shquhej për guximin e saj të jashtëzakonshëm. E regjimi serb, si gjithnjë ishte “i kujdeshëm” dhe me vëmendje të veçantë përcillte punën dhe angazhimin atdhetar të intelektualëve e veprimtarëve të mëdhenj siç ishin çifti bashkëshortor Bajram dhe Nekibe Kelmendi. Dhe prandaj në vitin 1999, atëherë kur bota demokratike u desht të ndërhynte për të shpëtuar qenien shqiptare në Kosovë nga egërsia serbe që kishte arritur përmasat e gjenocidit, ky regjim i egër u hakmor pamëshirshëm ndaj tyre. Natën e 24 marsit 1999, shtëpia e çiftit Bajram e Nekibe Kelmendi u mbush me policë, ushtarë e paramilitarë serbë, vrasës që nuk po ngopeshin dot me gjak të shqiptarëve. Pas torturimit fizik e psikik disa orësh ata morën me vete tre meshkujt e kësaj familjeje, Bajramin me të bijtë Kastriotin e Kushtrimin, për t’i vrarë e masakruar, që të tre pak orë më vonë. Ndëshkimi nga ana e regjimit pushtues serb ishte i rëndë dhe vështirë i përballueshëm. Por, atdhetarja e madhe, nëna e gruaja, Nekibe Kelmendi gjeti forcën e kurajon që ajo vetë, me duart e veta t’i varrosë të tre më të dashurit e saj të vrarë, burrin dhe dy djemtë. Pas kësaj, ajo po shndërrohej në shembullin më tipik të gruas dhe nënës shqiptare, të një atdhetareje e qëndrestareje të vërtetë që u ngrit si feniksi dhe vazhdoi punën aty ku e kishte lënë, për shqiptarët dhe Kosovën, e cila sapo kishte siguruar lirinë, por e cila nuk kishte arritur ende qëllimin final, pavarësinë. Impresionuese dhe mahnitëse me vullnetin dhe forcën për të vazhduar angazhimin dhe punën e saj, Nekibe Kelmendi shihej si një figurë prej legjendash.

Pas përfundimt të luftës, në vitin 1999, ajo bashkëdrejton Departamentin e Drejtësisë (UNMIK), zgjedhet deputete e Kuvendit të Kosovës dhe ushtron këtë përgjegjësi në të gjitha legjislaturat deri në çastin e vdekjes (2011); ishte eksperte në Grupin Politik Strategjik të Grupit Negociator të Kosovës (2007-2008), nënkryetare e Komisionit për Hartimin e Kushtetutës së Kosovës dhe Ministre e Drejtësisë në Qeverinë e Republikës së Kosovës. Në të gjitha këto pozita të larta shtetërore tregoi profesionalizëm të lartë dhe në veçanti përkushtim e kujdes për moscenimin e interesave të shqiptarëve, meqë kjo fazë e përcaktimit të statusit dhe shtetndërtimit të Kosovës ishte tejet e ndjeshme. E konsideroj veten me fat që kisha rastin të punoj nga afër me një personalitet si zonja Nekibe Kelmendi, që me të drejtë ndër shqiptarë kishte fituar epitetin e “Zonjës së Fortë”, ndërsa ndërkombëtarët, siç do të mund të kuptojmë nga shkresat e diplomatëve të ndryshëm vlerësonin se “stoicizmi me të cilin ajo po përballonte tragjedinë e saj personale, sjellja dinjitoze e saj, e ka bërë zonjën Kelmendi një simbol të forcës dhe guximit dhe një figurë shumë të respektuar”.

Kam pasur privilegjin të punoj me zonjën Nekibe Kelmendi në aktivitetet partiake në LDK, në Komisionin për Hartimin e Kushtetutës, në Kuvendin e Kosovës, përkatësisht në Grupin parlamentar të LDK-së dhe së fundmi në Ministrinë e Drejtësisë. Nga gjithë kjo përvojë kam pasur privilegjin të mësoj nga veprimi dhe përkushtimi i një profesionisteje të shkëlqyer, të përkushtuar dhe të disciplinuar, dhe mbi të gjitha të një atdhetareje të vërtetë dhe racionale. Zonja Nekibe Kelmendi ishte e përkushtuar që puna të bëhej mirë në aspektin profesional dhe që me asgjë të mos dëmtohet interesi i Kosovës. Për të mirën e vendit, ajo ishte e gatshme të bashkëpunojë edhe me pjesëtarët e atij komuniteti nga i cili vinin ata që ia kishin shkaktuar tragjedinë e rëndë e vështirë të përballueshme, duke e pasur vëmendjen e përkushtimin e posaçëm që asnjëherë të mos pranohen kompromise në dëm të interesave të përgjithshme të Kosovës. Me këtë rast do ta ndaj me ju një nga situatat e ndjeshme në të cilat ajo e dëshmonte me dinjitet përkushtimin e vet ndaj Kosovës. Saktësisht ishte koha kur Nekibe Kelmendi ishte ministre e Ministrisë së Drejtësisë, pas shpalljes së pavarësisë në vitin 2008, ndërsa serbët në veriun e Kosovës përveç tjerash, nuk lejonin që të funksionojnë gjykatat që ishin të vendosura në objektin në pjesën përtej lumit Ibër në Mitrovicë. Faktori ndërkombëtar në Kosovë në emër të gjetjes së zgjidhjes dhe duke u sjellur me një pragmatizëm të tepruar, kërkonte pajtimin e ministres Kelmendi që në ato gjykata të fillojnë të punojnë gjyqtarë që e kishin dhënë betimin përpara Tadiqit (presidentit të Serbisë) e i cili i kishte emëruar si gjyqatarë në gjykatat paralele që vepronin në territorin e Serbisë dhe të njejtit pasi të vendoseshin në gjykatat në pjesën veriore të Mitrovicës kërkohej të lejohen të punojnë vetëm me rregullore të UNMIK-ut. Ishte një presion i hatashëm dhe “argumentet” nga ndërkombëtarët në favor të kësaj ideje po shtroheshin me goxha “brutalitet” para ministres. Ministerja Nekibe Kelmendi me argumente të fuqishme ishte krejt e prerë në qëndrimin e saj. Ata, gjyqtarët serbë, insistonte ajo, publikisht duhet të japin dorëheqje nga emërimi paraprak që ua ka bërë Tadiqi, pastaj të emërohen nga Presidenti i Kosovës dhe të njejtit duhet të punojnë me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës në fuqi e jo me rregullore të UNMIK-ut. As ndërrimi i delegacioneve, as ndërrimi i nivelit të delegacioneve nuk po mund ta thente “Zonjën e Fortë”, sikurse as kërcënimi se “ne (faktori ndërkombëtar) do t’i eliminojmë të gjitha barrierat per të krijuar stabilitet në atë pjesë (veriun e Kosovës)”!? Këto ide ministerja po i refuzonte me shumë dinjitet, me profesionalizëm dhe diplomaci, në vazhdimësi.Ndihej keq që po i duhej të refuzonte “projektin” e përfaqësuesve të shteteve që e kishin ndihmuar Kosovën në periudhat e saj më të vështira, dhe në këtë aspekt e thoshte pa ngurrim se “i vlerësoj, i respektoj të gjithë përfaqësuesit ndërkombëtar, por jo më shumë se shqiptarët dhe Kosovën”. Unë do të ndjehem përherë i privilegjuar që kisha fatin të punoj dhe të mësoj nga Nekibe Kelmendi, e cila nuk pushoi së punuari për Kosovën dhe shqiptarët, as atëherë kur shumëkush mendoi se pas tragjedisë familjare, kjo zonjë e madhe do të shuhet në heshtje. Edhe atëherë, ajo gjeti forcën dhe u ngrit fuqishëm, punoi me dinjitet, me energji dhe përkushtim të madh deri në momentin e vdekjes.

Zonja Nekibe Kelmendi, veproi e qëndroi e pathyeshme, qëndrestare e vërtetë, deri në momentin kur po i “bënte të fala gjithë Kosovës” që po e linte mbrapa bashkë me të gjithë që e donim e respektonim shumë, për t’u bashkuar në botën tjetër me më të dashurit e saj, Bajramin, Kastriotin e Kushtrimin. Nekibe Kelmendi mbetet përjetë një simbol i forcës dhe guximit që u shndërrua në legjendë.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat