Serri: Gazetarët janë shtylla e demokracisë

Aktuale

Serri: Gazetarët janë shtylla e demokracisë

Më: 19 qershor 2018 Në ora: 14:25
Tryeza e organizuar nga Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN)

Gazetarët janë shtylla e demokracisë së një vendi. Ndërsa nevojitet ndërveprim më i madh i gazetarëve të komuniteteve të ndryshme.

Kështu u tha në tryezën e organizuar nga Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN), ku u diskutua lidhur me nxitjen e punës së përbashkët në mes të gazetarëve të komuniteteve të ndryshme dhe mediave në Kosovë.

Ricardo Serri nga Zyra e BE-së shtoi se roli i BE-së në këtë proces është shumë i rëndësishëm, teksa tha se përmes këtij projekti dëshmohet se gazetarët janë shtyllë e demokracisë.

Sipas tij, është shumë me rëndësi koncentrimi në lirinë e shprehjes, derisa porositi gazetarët për raportim të paanshëm.

Serri: Gazetarët janë shtylla e demokracisë në Kosovë

“Ju jeni shtylla e demokracisë në Kosovë. Nga perspektiva e Bashkimit Evropian, është me rëndësi që të koncentrohemi në zhvillimin e demokracisë, shprehjes së lirë dhe mund t’i japim mbështetje më të madhe të mundshme atyre të cilët janë të përfshirë në baza ditore që të informojnë njerëzit qartë dhe prapavijë politike. Do të thotë ju i përkisni një shoqërie shumë etnike, por gazetaria duhet të ketë përpjekje stabilizuese, duhet të raportoni paanshëm në mënyrë objektive dhe këto janë parimet kryesore të punës suaj”, tha ai.

Gjithashtu theksoi se është i rëndësishëm bashkëpunimi i gazetarëve nga komunitetet e ndryshme.

Petrit Çollaku, Drejtor ekzekutiv në AGK tha se bashkëpunimi me asociacionet e gazetarëve në rajon është përmirësuar dukshëm.

Ai bëri të ditur se Gjykata Themelore në Prishtinë tashmë ka caktuar një koordinator që do të merret me rastet e gazetarëve. Ndërsa potencoi se së shpejti pritet edhe një memorandum bashkëpunimi me Policinë e Kosovës, ku përmes një drejtorie të posaçme do të shqyrtohen rastet e gazetarëve të kërcënuar.

Çollaku: Mediat profesionale janë cak i sulmeve të qeverive dhe grupeve të ndryshme të interesit

“Çfarë kemi të përbashkët më kolegët e tjerë të rajonit nga Serbia, Maqedonia, Mali i Zi, Bosnja, Kroacia dhe Shqipëria, është se janë telashet e njëjta. Sot vërehet se mediat që respektojnë standardet profesionale dhe kodin e etikës janë cak i vazhdueshëm i sulmeve nga qeveritë, nga grupe të ndryshme të interesit. Çfarë kemi bërë bashkë është që të gjithë përfaqësojmë diku rreth 8 mijë gazetarë në rajon dhe është goxha një ushtri e madhe për të luftuar dukuritë negative me të cilat sot jemi duke u përballur. Gjykata themelore në Prishtinë tashmë ka caktuar një koordinator që të merret me rastet e kërcënimeve të gazetarëve”, nënvizoi ai.

Sa i përket kësaj, ai tha se tashmë është bërë e qartë për të gjitha qeveritë që sulmet ndaj gazetarëve nuk do të lejohen.

Ndërsa gazetarja Tanja Sovrlic ka shprehur shqetësimet e saj lidhur me ndarjen e shoqërisë në përgjithësi. Ndarje që sipas saj po ndikon në të gjitha sferat dhe sektorët, duke i prekur kështu edhe gazetarët të cilët përfaqësojnë vetëm problemet e komunitetit të cilit i përkasin.

Ajo foli edhe për pajtimin mes Kosovës dhe Serbisë, me ç’rast theksoi se si i tillë, pajtimi duhet të jetë temë e agjendës, por jo temë e veprimeve individuale.                                                                                 

Sovrlic: Gazetaria shpeshherë merr anë

“Gazetaria shpesh merr një anë. Po të kishim media më të mira nuk do të kish shumë probleme. Por sido që të jetë kemi njerëz që bëjnë punë profesionale por zëri i tyre nuk arrin ku duhet nga ajo që e quajmë propagandë dhe shoqëritë tona janë siç janë veçanërisht për shkak të mediave. Më vjen keq që disa media nuk janë në dijeni për rolin e tyre dhe shpeshherë flasin për  ata që nuk e bëjnë punën e tyre në mënyrë profesionale”, u shpreh ajo.

Rabisha Muhaxhiri redaktore në RTK, tha se mediumi nga vjen nuk ka probleme të tilla. Për problemin e diversitetit gjuhësor, ajo tha se ndoshta fajet i kanë vet mediat.

Muhaxhiri: Shoqëria është demokratike aq sa ka diversitet gjuhësor

“Të flasim 19 vjet pas luftës për një diversitet gjuhësor në një shoqëri multietnike, që nga viti 2008 kur Kosova ka shpallur pavarësinë e saj dhe ka mjaft ligje të cilat i mbrojnë të drejtat e qytetarëve të saj, është diçka që duhet t’ia lëmë vetes fajin. Si media e kemi harruar rolin tonë, i kemi harruar plot gjëra profesionale. Mund të them se shoqëria është demokratike aq sa ka diversitet gjuhësor... 26’20” Unë do ta përmendi edhe një plus të madh, që jemi transmetuesi i vetëm publik në botë që transmetojmë edhe edicion të lajmeve të rregullt në gjuhën rome”, tha Muhaxhiri.  

RTK si transmetues publik, përkundër të metave që mund të ketë, sipas saj, është munduar gjithmonë që hapësirën e saj ta ketë adekuate, konform ligjeve që Kushtetuta e Kosovës i ka në gjirin e saj.

Ndërsa sa i përket profesionalizmit të mediave, Muhaxhiri tha se mediat sot nuk janë aty ku do të dëshironte t’i shihte. Sipas saj, ka mungesë të theksuar të transparencës sidomos në kohë të fushatave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat