Vërtetimi i pasurisë së pajustifikueshme, refuzohet projektligji i VV-së

Aktuale

Vërtetimi i pasurisë së pajustifikueshme, refuzohet projektligji i VV-së

Më: 21 qershor 2018 Në ora: 14:57
Projektligji për shqyrtimin dhe vërtetimin e pasurisë së pajustifikueshme

Deputetët e mazhorancës nuk e kanë përkrahur në parim Projektligjin për shqyrtimin dhe vërtetimin e pasurisë së pajustifikueshme, të propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, për faktin se ligjvënësit kanë konsideruar se me këtë përmbyset sistemi i drejtësisë dhe e kthen vendin në mesjetë.

Projektligji mori katër vota për, pesë kundër dhe një abstenim. Ani pse nuk u miratua, kjo nismë e VV-së i shkon seancës për shqyrtim në lexim të parë pa përkrahjen e Komisionit për Legjislacion.

Deputeti i LDK-së, Arben Gashi e ka quajtur të rrezikshme iniciativën e Lëvizjes Vetëvendosje, duke thënë se kjo e përmbys sistemin e drejtësisë, i vendosur qysh në të Drejtën Romake, kur janë vendosur bazat e drejtësisë.

Sipas tij, nëse i jepet kjo përgjegjësisë sistemit atëherë secili do të mund ta akuzojë secilin për pasuri të pajustifikueshme dhe barra e provës i mbetet të akuzuarit e jo prokurorit, siç është aktualisht.

Gashi: Ky projektligj përmbys sistemin e drejtësisë

“Ky është njëri prej ligjeve, i cili normalisht e përmbys sistemin e ndërtuar qysh nga koha e Perandorisë Romake, pra qysh në të Drejtën romake është vendosur parimi që barrën e dëshmisë për pretendimin e kryerjes së një vepre penale e ka ai që akuzon, pra prezumimi i pafajësisë këtu bie poshtë. I bie që nëse deri tash qysh ka qenë sistemi, prokurori të thotë që ti ke kryer një vepër penale ose ke fituar një pasuri në mënyrë të paligjshme, ai duhet ta provojë që ti e ke bërë atë punë, tash çka propozohet këtu është e kundërta. Tash zyrtari policor, polici, të thotë unë po dyshoj që t’i pasurinë e ke të paarsyeshme, edhe hajde vërtetoma që pasuria jote është ligjore. Ti tash duhet të shkosh t’ia vërtetosh zyrtarit shtetëror, policit, prokurorit, që ti e ke të ligjshme pasurinë, kushdo qoftë ai në Kosovë. Vetëm çohet një mëngjes edhe thotë që unë po dyshoj diçka që pasuria jote nuk është në r regull, hajde vërtetoma që është në rregull”, tha Gashi.

Edhe deputeti i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, ka kundërshtuar këtë nismë, duke thënë se kjo e kthen vendin në mesjetë dhe mjet për pushtetarët që t’i godasin gjithmonë ata që nuk janë në pushtet.

Sipas tij, në asnjë vend barra e provës nuk lihet tek i pandehuri, sepse gjithmonë shteti ka për detyrë ka për detyrë ta dëshmojë fajësinë.

Sherifi: Ky projektligj na kthen në mesjetë

“Nëse në një shoqëri siç jemi ne, një shtet që pretendohet se ka njerëz, zyrtarë të lartë, të mesëm, të ulët të cilët kanë krijuar pasuri të pajustifikuar atëherë nuk besoj që ky ligj do t’i luftoj ata. Madje, besoj se ky ligj do të përdoret pikërisht nga ata që të godasin të tjerët që nuk janë mjaftueshëm të fuqishëm për të mbrojtur apo për të sajuar apo siguruar provat se nga i ka marrë ato. Pra, duke marrë parasysh që pak a shumë na kthen në mesjetë, ku i është thënë dikujt se dy të kanë kapluar, dikush ka ngritur pretendime se një grua ka qenë e kapluar nga shtrigat, ndërsa ajo është dashur të dëshmoj se s’ka qenë e kapluar nga shtrigat”, tha Sherifi.

Ndërsa, deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, i ka vlerësuar kundër kushtetuese disa nene të projektligjit të propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje.

Beqa: Disa nene të këtij ligji e përmbysin sistemin e drejtësisë

“Unë në këtë fazë jam kundër në parim të këtij ligji. Jam kundër edhe ideologjisë së këtij ligji. Për mendimin tim, disa nene të këtij ligji e përmbysin sistemin e drejtësisë dhe janë në kundërshtim edhe me Kushtetutën, janë në kundërshtim edhe me parimet themelore me prezumimin e pafajësisë”, u shpreh Beqa.

Deputeti i AAK-së, Shkumbin Demaliaj, ka marrë disa shembuj se si do të reflektojë ky projektligj nëse miratohet dhe hyn në fuqi.

Demaliaj: Ky projektligj hap një temë pa kufi

“Ky ligj asgjë tjetër nuk rregullon, përveç, po e them në mënyrë të thjeshtë, përmbajtjesore, për publikun edhe që ta kuptojnë, është njëjtë sikur për këtë telefon, kryetarja e komisionit, Albulena Haxhiu, të më thotë që konsideroj që e ke fituar në mënyrë të paligjshme edhe shkoni ju në gjykatë, do të jepni prova, edhe unë të kthehem të them ato rruazat tua kryetare me të thënë edhe ti, edhe atëherë krejt populli duke e gjykuar njëri-tjetrin, krejt del ashtu, e hap një temë pa kufi”, tha Demaliaj.

Por, kryetarja e komisionit, deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu,  ka arsyetuar nismën e partisë së saj.

Haxhiu: Nuk ka nevojë që një person të jetë i dënuar për t’ia konfiskuar pasurinë

“Prandaj, duke pasur parasysh edhe dështimin e organit të ndjekjes që të hetojë zyrtarë të lartë, të konfiskojë pasuritë e tyre, ne kemi menduar që mënyra më e mirë për të adresuar këtë çështje është përmes ligjit për shqyrtimin dhe vërtetimin e pasurisë së pajustifikueshme. Pra, objekti që trajtohet këtu është pasuria e pajustifikueshme ose e paligjshme, dhe jo domosdo personi. Pra, nuk ka nevojë që një person të jetë i dënuar për ta konfiskuar pasurinë e tij, mirëpo barra e provës në këtë rast i bie të pandehurit dhe jo siç është aktualisht prokurorit”, tha Haxhiu.

Për këtë projektligj të Lëvizjes Vetëvendosje, edhe në fillim të takimit të komisionit pati përplasje mes kryetares Albulena Haxhiu dhe deputetit të PDK-së, Hajdar Beqa, pasi ky i fundit kërkoi shtyrjen për mbledhjen e radhës meqë kanë një vendim që pa ardhur edhe projektligji i Ministrisë së Drejtësisë mos ta shqyrtojnë.

Ndryshe, Komisioni shqyrtoi dhe miratoi raportin me amendamente në projekt-rregulloren e Kuvendit, si dhe raportin me amendamente të Komisionit Funksional në Projektligjin për trajtimin e ndërtimeve pa leje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat