Hoxha nuk pret pengesa nga asnjë shtet i BE-së për vizat - Bota Sot
Hoxha nuk pret pengesa nga asnjë shtet i BE-së për vizat

Aktuale

E premte, 20 korrik 2018

Hoxha nuk pret pengesa nga asnjë shtet i BE-së për vizat

Më: 22 qershor 2018 Në ora: 16:53
Dhurata Hoxha

Disa shtete të fuqishme të Bashkimit Europian ndihen të rezervuara ndaj lejimit të kosovarëve për të lëvizur lirshëm nëpër vendet e tyre. Çështja e migrimit po bëhet problematikë për të gjithë Europën, por Ministrja e Integrimit Europian, Dhurata Hoxha thotë se këto dyshime të europianëve nuk kanë të bëjnë me Kosovën, por me migrantët në përgjithësi. Hoxha ka dhënë detaje edhe rreth takime që ka pasur me zyrtarë në shtetet perëndimore ku ka lobuar për vizat

Çështja e liberalizimit të vizave, rruga e bllokuar e kosovarëve tash e sa vite, është duke u komplikuar pasi shtetet më të fuqishme të familjes së madhe europiane, po frikohen t’i “lëshojnë” kosovarët në vendet e tyre. Krejt kjo për shkak të problemit që Europa po ballafaqohet – migracionit.

Ministrja e Integrimit Europian në Kosovë, Dhurata Hoxha ka thënë se procesi integrues, në veçanti liberalizimi i vizave, është interes nacional.

“Karshi këtij interesi nacional, ka qasje të ndryshme, ngjan të jenë edhe joobjektive”, ka thënë Hoxha.

Ministrja ka treguar se gjatë takimit të saj në Francë, ku u takua me zyrtarë të lartë, përfshirë edhe homologen e saj ministren Loiseau, i ka informuar në lidhje me angazhimin e institucioneve të Kosovës, jo vetëm për përmbushjen e kritereve, por edhe për luftën kundër korrupsionit.

“Gjatë qëndrimit tim në Francë, takimi me zyrtarët më të lartë, duke përfshirë edhe homologen time Ministren Loiseau, me ndikim për liberalizimin e vizave, të cilët i kam informuar në lidhje me angazhimin e institucioneve tona jo vetëm në përmbushjen e kritereve nga udhërrëfyesi, por edhe të agjendës evropiane të reformave duke përfshirë edhe përkushtimin tonë në luftë kundër krimit dhe korrupsionit”, ka thënë ministrja Dhurata Hoxha.

Në shtetet e Bashkimit Europian gjatë kësaj jave u bë një debat i madh në lidhje me çështjen e migrimit legal si dhe për mënyrat e kontrollit, gjë që shtyu shtetet më të fuqishme të kenë rezerva ndaj shteteve të caktuara.

Ministrja Hoxha, megjithatë, thotë se këto rezerva nuk janë specifikisht për Kosovën, por ekziston shqetësimi i këtyre shteteve ndaj migrimit në përgjithësi.

“Gjithashtu vlen të theksohet se disa nga shtetet e rajonit që veç kanë liberalizimin e vizave por edhe Gjeorgjia e kanë keqpërdorur këtë lëvizje të lirë, prandaj e shohim këtë situatë apo rezervat që disa nga shtetet mund t’i kenë, por jo në lidhje me Kosovën individualisht, por për shkak të këtij debati që është duke u zhvilluar në BE”, ka thënë ministrja.

Media ka publikuar të enjten një artikull, në të cilin u përmend çështja e hezitimit të shteteve të fuqishme ndaj liberalizimit të vizave për qytetarët.

Të premten, u publikua një raport nga Grupi Ballkanik, ku u shpjeguan procedurat e mëtejme të mbetura në këtë proces. GP gjithashtu ka rekomanduar lobim për procesin e liberalizimit tek disa vende specifike, siç janë: Franca, Holanda dhe Belgjika.

“Franca, Holanda, Belgjika dhe disa skeptikë të tjerë brenda BE’së duhet të jenë në listën kryesore të lobimit”, thuhej në raportin e publikuar.

E sa i përket Berlinit, ministrja e integrimit Europian, tha se Kosova ka përkrahje të fuqishme nga ky vend.

“Edhe nga Berlini kemi pasur përkrahje të fuqishme, në kontinuitet, sigurisht, përkrahësit tanë, duan të shohin më shumë suksese në zbatimin e rekomandimeve, andaj, nuk e shoh se ka rezerva rreth liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, por edhe këtu rezervat janë po ashtu nga migrimi ilegal në përgjithësi”, potencoi Dhurata Hoxha.

Ajo ka thënë se reflektimet individuale dhe dokumente të pafinalizuara apo jozyrtare rreth një çështje të ndjeshme, si liberalizimi, zgjon kureshtje në opinion por edhe shërben si nxitje për angazhim më të madh për realizimin e këtij synimi madhor.

“Jam fort e bindur se çdo diskutues apo promovues i kësaj çështjeje madhore në opinion, e mendon më të mirën për vendin tonë, liberalizimin e vizave dhe përafrimin dhe integrimin me vlerat euro-atlantike”, tha Hoxha.

Ministrja e Integrimit Europian ka thënë se Kosova pret vlerësim pozitiv nga Komisioni Europian për çështjen e liberalizimit të vizave ditëve të fundit të qershorit.

“Presim vlerësim pozitiv nga Komisioni Evropian në këto ditët e fundit të qershorit, për zbatimin e 95 kritereve nga udhërrëfyesi, ndër të tjera edhe kriterit të fundit të mbetur për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, jo vetëm për çështjen e rasteve të shënjestruara por edhe reforma përcjellëse ligjore që i kontribuon luftimit të suksesshëm të krimit të organizuar dhe korrupsionit”, ka thënë Hoxha.

Megjithatë, ajo tha se edhe pas liberalizimit të vizave, luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit, nuk do të ndalet.

Ajo tha se vlerësimi pozitiv për zbatimin e kritereve nga vendi ynë, pritet të ndodh në fund të qershorit “që hap rrugë për vijimin e procedurave tjera vendimmarrëse nga institucionet tjera të BE-së siç janë Parlamenti dhe Këshilli i Ministrave në këtë rast pra janë Ministrat e Brendshëm të shteteve anëtare, për ta realizuar me sukses liberalizimin e vizave në fund të këtij viti”.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test