Limaj fton partitë politike të marrin pjesë në dialogun me Serbinë

Aktuale

Limaj fton partitë politike të marrin pjesë në dialogun me Serbinë

Më: 24 qershor 2018 Në ora: 15:28
Kryetari i Nismës Socialdemokrate Fatmir Limaj

(E plotësuar) - Nisma Socialdemokrate është e gatshme të marrë angazhimin dhe përgjegjësinë e saj në dialogun me Serbinë, ka deklaruar kreu i kësaj partie Fatmir Limaj, i cili gjithashtu ka ftuar edhe partitë tjera të arrijnë një konsensus në mënyrë që dialogu me shtetin serb të ketë sukses.

Këto komente kryetari i Nismës i ka bërë gjatë Kuvendit të dytë të punës së partisë që drejton.

Limaj është shprehur se nuk beson në dialog ku nuk është i involvuar Kuvendi i Kosovës, andaj sipas tij është koha e fundit që partitë politike të bëhen bashkë dhe të marrin përgjegjësitë që ju takojnë.

Limaj: Për sukses në dialog duhet gjithëpërfshirje

“Ne besojmë që për të pasur sukses një dialog duhet gjithëpërfshirje, duhet konsensus nacional. Ne ftojmë të gjitha forcat politike që janë të përfaqësuara në Parlamentin e Kosovës mos t’i ikin kësaj përgjegjësie, të bashkohemi në parlament, të marrim përgjegjësinë, të angazhohemi bashkë, të bëjmë përpjekje ta ndërtojmë konsensus sa më të gjerë dhe bashkë të marrim pjesë në këtë fazë finale të dialogut. Si parakusht i cili do të garantonte besueshmëri në këtë proces dhe transparencë. Ne nuk besojmë në dialog me individ, ne nuk besojmë në dialog që nuk është i involvuar Parlamenti i Kosovës dhe ne nuk besojmë në një dialog që nuk përfaqëson vullnetin e shumicës së qytetarëve të Kosovës. Koha e trafikimit të temave të mëdha në Kosovë ka marrë fund dhe nuk mund të trafikohen as bisedimet me dialog siç ka ndodhur në të kaluarën. Koha e fundit është që të gjithë të bëhemi bashkë dhe të marrim përgjegjësitë që na takojnë që na i kanë dhënë qytetarët e Kosovës”, tha ai.

I pari i Nismës Socialdemokrate është shprehur se do të vazhdojnë punën për të krijuar ushtrinë e Kosovës, ndërkohë që ka thënë se beson që vitin e ardhshëm qytetarët e vendit do të fitojnë liberalizimin e vizave.

Limaj: Do të punojmë shumë që Kosova ta ketë ushtrinë e vet

“Si temë nacionale llogarisim liberalizimin e vizave për të cilat besoj që në vitin e ardhshëm qytetarët e Republikës së Kosovës përfundimisht dhe më në fund do të lëvizin lirshëm në Bashkimin Evropian, dhe Nisma Socialdemokrate ndjehet krenare që ka dhënë kontribut të arrijmë më shpejtë në këtë pikë. Ne do të angazhohemi fuqishëm për të shterur gjithë hapësirën dhe mundësinë që duhet të shfrytëzojmë nga ajo që e kemi detyrë dhe kompetencë që sa më shpejtë edhe Republika e Kosovës sikur çdo vend tjetër, të ketë ushtrinë e saj. Ne do të punojmë fort që edhe Kosova ta ketë sa më shpejt ushtrinë e vet”, tha Limaj.

Ai ka siguruar partnerët e koalicionit se Nisma do të vazhdojë partneritetin në qeverisje, do të jetë korrekt me partnerët dhe e angazhuar në plotësimin e programit qeveritarë pjesë e të cilit janë edhe katër zotimet e Nismës.

Po ashtu, ai është zotuar se të gjitha premtimet e Nismës do të realizohen gjatë këtij mandati qeverisës. Ndërsa, kryetari i Këshillit Kombëtar të Nisma-s, Jakupi Krasniqi, tha se rruga e Nisma ngjallë optimizëm e shpresë te qytetarët.

Sipas tij, Kosova deri më tash ka parë se çfarë sjellin partitë fisnore e personale, derisa shtoi se puna e socialdemokratëve është garancia më e mirë për  të krijuar perspektivë për kombin dhe shtetin e Kosovës.

Krasniqi: Probleme i ka shkaktuar politikës sonë mania për të thurur lavde

“Një çështje që i ka shkaktuar probleme politikës sonë ka qenë mania për të kërkuar e thurur lavde, bile dhe porositur e shkruar libra me lavde e himne himnizuese me paratë e publikut. Para 50 viteve Skënderbeu i porosiste pasardhësit: ‘Poetëve që do të ju thurin vargje, për t’ju bindur se jeni më i madhi, më bujari, më i mrekullueshmi, luftëtari më i madh ndër të gjithë mbretërit, u dërgoni në këmbim një copë letër, bojë dhe një pendë nga një oborrtar i panjohur, me urdhrin për të dëshmuar të vërtetën e asaj që shkruajnë’. Kjo thënie tingëllon më shumë se aktuale edhe sot”, tha Krasniqi.

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës po ashtu tha se programi i Nismës Socialdemokrate është i hapur dhe kërkon të plotësohet nga drejtuesit e saj politik.  

Nisma Socialdemokrate, sipas tij, dëshiron që së bashku me qytetarët të konsolidojë një rrugë të re për Kosovën.

Ndryshe, Nisma Socialdemokrate ka mbajtur Kuvendin e dytë të punës.

Limaj thotë se Nisma është e gatshme për të marrë pjesë në dialog me Serbinë

Kryetari i Nismës Socialdemokrate Fatmir Limaj, ka deklaruar se janë të gatshëm të marrin përgjegjësi për të marrë pjesë në dialogun me Serbinë.

Limaj nga kuvendi i kësaj partie, ka ftuar edhe të gjitha partitë tjera politike për të marrë pjesë në këtë dialog, ndërsa ka thënë se nuk besojnë në dialog me individ dhe se nuk pranojnë dialog që nuk ka marrë miratimin e Kuvendit.

"Dialogu, ne besojmë si Nismë që në qendër të çdo rezultati për të arritur objektivat dhe interesat e qytetarëve është dialogimi. Por dialogim duke mbrojtur interesat e vendit tonë.   Nisma është e gatshme të marrë përgjegjësinë e saj edhe në dialogun me Serbinë që do të qonte në krijimin e një marrëveshje finale me shtetin serb. Ne jemi të gatshëm të marrim pjesë. Duhet gjithëpërfshirës, ftojmë të gjitha partitë politike që të mos i ikin kësaj përgjegjësie, ta ndërtojmë një konsensus dhe bashkë të marrim pjesë në këtë dialog. Ne nuk besojmë në dialog me individ, nuk pranojnë dialog që nuk është miratuar në kuvend. Koha e fundit është që të bëhemi bashkë dhe të marrim përgjegjësi", tha ai.

Kreu i Nismës ka thënë se nuk do të ndalen duke punuar për realizimin e të gjitha premtimeve që i kanë bërë. Gjithashtu, tha se do të vazhdojnë punën që sa më parë vendi të ketë ushtrinë.

Limaj ka thënë se nga kuvendi i kaluar zgjedhur nisma ka kaluar në dy procese zgjedhore.

"Ne kishim dy objektiva, e para ishte që nisma të marrë pjesë sa më shumë në kuvendet komunale. Sot dy vite pas ne kemi arritur objektiven e parë. Nisma është në të gjitha asambletë komunale dhe në shumë komuna në bashkëqeverisje. Objektivi ynë i dytë në atë kuvend ka qenë që nisma të jetë në parlament dhe të jetë partner i koalicionit udhëheqës. Sot ne jemi në qeveri. Pas realizimit të këtyre objektivave ne nuk u ndalëm", tha ai.

Po ashtu, ai tha se do të vazhdojnë të proklamojnë një politikë që ofron dhe bashkon njerëzit.

"Ne do të vazhdojmë bashkëpunimin me të gjitha partitë politike. Nisma do të vazhdoj partneritetin me të gjitha partitë politike", tha Limaj.

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës, Jakup Krasniqi, ka thënë se partia pjesë e të cilit është edhe ai është parti e shpresës për kosovarët.

"Rruga e Nismës socialdemokrate është një rrugë që ngjallë optimizëm, shpresë tek qytetarët tanë. Rinisë së Kosovës i duhet perspektiva, dhe këtë perspektivë jau garanton nisma socialdemomrate. Kosovës i duhet të qeverisë me të një parti socialdemokrate dhe nisma është ajo që i duhet Kosovës. Nisma socialdemokrate është një frymë që i duhet Kosovës" tha ai. Ai u bëri thirrje qytetarëve të Kosovës që t'i bashkohen kësaj partie.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat