Diplomojnë kadetët e gjeneratës 2018

Aktuale

Diplomojnë kadetët e gjeneratës 2018

Më: 25 qershor 2018 Në ora: 10:49
Kadetët e FSK-së

(E plotësuar) - Në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjeve në Ferizaj është mbajtur ceremonia e diplomimit të 11 kadetëve të gjeneratës 2018, të cilët nga sot kanë titullin oficer të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha, duke iu drejtuar kadetëve u shpreh se gradimi i tyre po bëhet në fazën kur FSK po shkon drejt avancimit të misionit të saj.

Sipas tij, Forca e Sigurisë së Kosovës po i përmbush standardet më të larta të NATO-s.

Berisha: Gradimi juaj po bëhet në një fazë të rëndësishme për FSK-në

"Gradimi juaj si oficerë të Forcës së Sigurisë së Kosovës po bëhet në një fazë shumë të rëndësishme të zhvillimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës kur edhe pritet që kjo forcë të avancojë me kapacitetet e saja dhe të avancojë në misionin aktual. Forca e Sigurisë së Kosovës është një shembull i zhvillimit dhe progresit përmes investimit në dije dhe shkencë, kjo po e dëshmon më se miri se ne po krijojmë një forcë profesionale, të besueshme dhe një forcë e cila është e përfaqësuar nga të gjitha qytetarët e Kosovës dhe në interes të të gjithë qytetarëve të saj", tha Berisha.

Komandantja e Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, gjeneral-brigade, Irfete Spahiu me këtë rast u shpreh se gradimi i 11 kadetëve si oficerë të FSK-së do t’i ngarkojë ata me përgjegjësi, por do t’iu japë edhe forcë dhe vullnet për realizimin e ëndrrës së tyre.

Sipas saj, këta kadetë për katër vite u brumosën me virtytet për atdhe dashuri, integritet, humanizëm dhe vetëmohim.

Spahiu: Ju do bëheni lider të së ardhmes

"Ju keni pasur mundësi t'i mësoni dhe kuptoni aftësitë themelore të udhëheqjes, njëherësh të dini detyrat dhe përgjegjësitë që vinë me këtë rol. Për këtë arsye sfidat dhe vështirësitë që ju keni kaluar gjatë kësaj kohe ju kanë bërë më të pjekur emocionalisht, më të avancuar nga ana akademike dhe më të fortë fizikisht. Ju kanë vendosur në rrugën e drejtë për t’u bërë lider të shkëlqyer, lider të së ardhmes dhe shembull për të tjerët. Ju do jeni shembull për vartësit tuaj dhe pikë referuese për eprorët tuaj", u shpreh Spahiu.

Sipas saj Qendra për Studime Universitare të Kosovë do të vazhdojë me përkushtim të reformojë dhe avancojë programet me qëllim që të nxjerrë oficerë të përgatitur, të motivuar dhe profesionalë.

Gjatë kësaj ceremonie të diplomimit të 11 kadetëve të gjeneratës së vitit 2018-të, me medalje për rezultate të larta gjatë studimeve u nderua kadeti Premtim Shaqiri.

Ndryshe, Qendra për Studime Universitare pranë FSK-së është themeluar në vitin 2005.

***

Në një ceremoni rasti diplomojnë kadetët e Forcës së Sigurisë së Kosovës, të gjeneratës 2018.

Ceremonia zhvillohet në kazermën “Skënderbeu’’, në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes, në Ferizaj.

Në ceremoni pritet të marrin pjesë, ministri i FSK-së, komandanti i FSK-së dhe oficerë të FSK-së.

Të ftuar në këtë ceremoni janë edhe udhëheqësit shtetërorë dhe institucionalë, mysafirë të shumtë dhe familjarët e kadetëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat