Reshitaj në takim me BERZH-in për trajtimin e ujërave të zeza

Aktuale

Reshitaj në takim me BERZH-in për trajtimin e ujërave të zeza

Më: 25 qershor 2018 Në ora: 18:01
Albena Reshitaj në takim me BERZH-in

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Albena Reshitaj ka pritur sot në takim përfaqësuesit e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe të Bankës Evropiane për Investime, me të cilët diskutuan për bashkëpunimin në ndërtimin e impianteve për trajtimin e ujërave të zeza në Kosovë.

Në këtë takim u diskutua lidhur me financimin e projekteve te impianteve për trajtimin e ujërave të zeza, infrastrukturës përcjellëse (rrjeti i kanalizimit dhe kolektorët) në Gjilan dhe Mitrovicë si dhe për impiantet që janë në realizim e sipër.

Me këtë rast Reshitaj  theksoi se ndërtimi i impianteve për trajtimin e ujerave të zeza është me rëndësi të madhe për Kosovën dhe mirëqenien e qytetarëve të saj.

“Është prioritet i MMPH-së ndërtimi i impianteve për trajtimin e ujërave të zeza në tërë territorin e Kosovës pasi që lidhet drejtpërdrejtë me kualitetin e jetës dhe mbrojtjen e biodiversitetit në vend”,  vlerësoi ministrja Reshitaj.

Nga ana tjetër përfaqësuesit e bankave përgëzuan ministren për angazhimin e saj në zgjidhjen e problemeve mjedisore, me theks të veçantë në trajtimin e ujërave të zeza dhe u zotuan që  përkrahja për Kosovën në këtë sektor do të  vazhdojë edhe në të ardhmen.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat