Pasojat 20 vjeçare për vëllezërit Geci nga një Komunikatë që sot askush nuk guxon me pranu që e ka shkru!

Aktuale

Pasojat 20 vjeçare për vëllezërit Geci nga një Komunikatë që sot askush nuk guxon me pranu që e ka shkru!

Nehat Shaqiri Nga Nehat Shaqiri Më 5 korrik 2018 Në ora: 22:00
Vëllezërit Geci

Besim Dajaku ishte përcjellës i presidentit Ibrahim Rugova, kurse Bekim Kastrati gazetar në “Bota sot”, medium ky që dha shumë për të vërtetën duke e paguar edhe me jetën e gazetarëve.

Komunikata me numër 59 e lëshuar nga ish – Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjatë kohës së luftës në Kosovë ishte me pasoja fatale.

Dy kishin mbetur të vrarë dhe dy të tjerë ishin të plagosur pas luftës, përshkak të kësaj komunikate të lëshuar në atë kohë nga kreret e Ushtrisë Çlirimtare të Ksoovës.

Kjo komunikatë, e lëshuar kundër Gani Gecit, personit më të afërt të ish presidentin Ibrahim Rugovës, jo që ishte vetëm linçim për të dhe familjen e tij, por ishte edhe kundër institucioneve të Republikës së Kosovës, me president të parë Dr. Ibrahim Rugova.

Çka thuhet në Komunikatën Nr. 59?

Në këtë komunikatë të Shtabit të Përgjithshëm më numër 59 thuhet: “Abedin Rexha u vra nga kolaboracionisti me damkë Gani Geci, i lindur në Llaushë, i cili edhe më herët e edhe gjatë ofensivës së fundit serbe, është parë i maskuar duke i prirë policisë serbe në masakrat që u kryen mbi popullin civil të Drenicës”.

Pas kësaj Komunikate të gjithë ushtarët e fshatit Llaushë kishin reaguar dhe thëniet e komunikatës nr. 59 i hedhin poshtë si krejtësisht të pavërteta, tendencioze e qëllimkëqia, duke dalë nga një klan dhe që kanë për qëllim njollosjen e luftëtarëve të devotshëm, siç është Gani Geci që nga fillimi i luftës dhe më parë.

Këtij reagimi i bashkëngjiten, duke e shprehur pezmin e tyre, edhe ushtarët e të gjitha fshatrave përreth, si të atyre në Prekaz, Rezallë e fshatrave të tjera. Ne ushtarët e këtij rrethi e njohim shumë mirë Gani Gecin si ushtar që nga viti 1991, kur policia famëkeqe serbe ia mësyu Prekazit dhe konkretisht familjes së Adem Jasharit. Gjithashtu edhe gjatë viteve në vazhdim e dimë fort mirë veprimtarinë e tij.

 “Gjatë të gjitha ofensivave, Gani Geci ka qenë në mesin tonë, ndërsa në atë të fundit ai ndodhej gjatë tërë kohës në Prekaz, dhe këtë e dëshmojnë komandantët Sami Lushtaku, Ilaz Kodra dhe Nuredin Lushtaku. Andaj, thëniet në këtë komunikatë, e çka është edhe më skandaloze, të lëshuar në emër të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, se “Ganiu i ka pri ofensivës serbe me maskë”, janë një trillim dhe përpjekje për njollosjen e ushtarit tonë më aktiv në luftë kundër okupatorit serb. Gjithashtu, kjo është një njollosje edhe për tërë fshatin tonë. Këto akuza nuk kanë kurrfarë baz, andaj në këtë reagim bashkëngjitet edhe komanda e fshatit Prekaz”, thuhet në reagimin a tyre menjëherë pas lëshimit të Komunikatës me numër 59.

Plagosja e vitit 1998 dhe vrasjet e 2001 kur Gani Geci u plagos rëndë

Megjithatë, familja Geci edhe para kësaj Komunikatë ka qenë cak i sulmeve.

Vëllai i tyre, Esati, me urdhër të Sabit Gecit dhe disa njerëzve të tij, plagoset me 19. 08. 1998 në rrugën Oshlan – Luboves me tre plumba, por me mund ia del dhe fillon pas luftës të punon te Presidenti Ibrahim Rugova si njëri më i afërt në Sigurimin e Presidentit Rugova.

Pas kësaj, vëllezërit Geci, ishin gjithmonë në mbrojtje të Ibrahim Rugovës dhe institucioneve të Republikës së Kosovës të asaj kohe.

Megjithatë, pas kësaj Komunikatë për familjen Geci jeta ishte shumë e vështirë. Ata ishin gjithmonë cak i sulmeve dhe shantazheve nga më të ndryshmet.

Një rast i rëndë me pasoja fatale ishte edhe 19 tetori i vitit 2001. Dita kur u vranë Bekim Kastrati dhe Bekim Dajaku.

Me këtë rast Gjeneral Sylejman Selimi kishte ftuar Gani Gecin për bisedë me mundësi të një interviste. Në rrugë për të takuar gjeneral Selimin u bë atentat ku mbetën të vrarë Bekim Kastrati e Besim Dajaku dhe u plagos Gani Geci.

Dajaku ishte përcjellës i presidentit Ibrahim Rugova, kurse Kastrati gazetar në “Bota sot”, medium ky që dha shumë për të vërtetën duke e paguar edhe me jetën e gazetarëve.

Lufta vazhdon edhe sot

E lufta ndaj Gani Gecit dhe familjës së tij vazhdon edhe sot e kësaj dite.

Vëllezërit Geci, që prej kur është lëshuar Komunikata numër 59, gjithmonë janë ndjerë të rrezikuar, janë sulmuar edhe fëmijët e tyre. Por trimat nuk vdesin! Andaj jetojnë edhe sot, ballë hapur kundrejt fatkeqësive që po i përcjellin.

Krerët e UÇK-së, asnjëherë nuk e morrën guximin të tregojnë të vërtetën për Komunikatën e lëshuar nga ta. Anipse Gecët më ngulm kanë kërkuar një gjë të tillë. Madje ka ndodhur kur edhe presidenti Hashim Thaçi me disa personalitete të fuqishme tjera të bashkohen në një odë, por jo që kishte një rezultat të madh.

E sot janë përsëri vëllezërit Geci ku kërkojnë falje publike prej shumë personaliteteve në Kosovë.

Kërkohet kërkimfalje nga Thaçi, Veseli, Haliti, Selimi, Grabovci...

Përmes një komunikate, familja Geci, kërkon nga ish-Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përkatësisht anëtarët e këtij Shtabi, që në një afat sa më të shkurtër kohor t'i kërkojnë falje publike familjes Geci, Vëllezërve Geci, shokëve dhe miqve për “shkarravinen e shkruar në emër të këtij Shtabi të ashtuquajtur Komunikata Nr.59”.

“Kjo “shkarravinë” e lëshuar në emër të Shtabit të Përgjithshëm, familjes sonë i kushtojë me dy të vrarë, dy të plagosur dhe prej 20 vjet persekutime e gënjeshtra nga më te ndryshmet. Qysh para 20 viteve këtë komunikatë e kishte hedhur poshtë Zona Operative e Drenicës, me komandantin e saj Sami Lushtakun, Ilaz Kodren, Bashkim Jasharin, Nuradin Lushtakun, Jetullah Gecin etj. Por Shtabi i Përgjithshëm i UÇK -së asnjëherë nuk e hodhi poshtë, përkundër pasojave të saj gjatë dhe pas luftës”, thuhet në komunikatën e vëllezërve Geci.

Tutje thuhet se, të gjitha pasojat familja Geci i ka vuajtur për 20 vjet pasi që kjo komunikatë nuk është shfuqizuar kurrë nga ky Shtab përkunder premtimeve.

“Nëse ish anëtaret e Shtabit të përgjithshëm nuk kërkojnë falje publike dhe nuk e shfuqizojnë këtë komunikatë, me ne do të ballafaqohen në Gjykatën Speciale për të zbardhur të vërtetën se kush nga Shtabi i Përgjithshem mbanë përgjegjësi për këtë Komunikatë”, vazhdon komunikata.

“Andaj për herë të fundit kërkojmë nga ish anëtarët e Shtabit te Përgjithshem, pikërisht nga Presidenti Hashim Thaçi, Kryeparlamentari Kadri Veseli, Nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti, deputeti Rexhep Selimi, Ish Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, Ramë Buja, Fatmir Limaj, Adem Grabovci, Bislim Zyrapi dhe të gjithë të tjerët që aso kohe ishin anëtarë të Shtabit të Përgjithshem të UÇK -së të na kërkojnë falje publike dhe ta shfuqizojnë këtë komunikatë”, përfundon komunikata e vëllezërve Geci.

Por, si nisi komploti kundër familjës Geci?

Në librin “Lufta pa Maska”, e shkruar nga Gani Geci thuhet se, komploti kundër vëllezërve Geci nuk e ka zanafillën në ditet e sotit, por edhe më herët, që sipas tij, në forma të ndryshme janë bërë përpjekjet nga regjimi serb që të burgosën, vriteshin dhe të maltretoheshin, sepse Shtetin e Republikës së Kosovës e kanë mbrojtur haptas edhe para regjimit diktatorial serb.

“Ne kemi kërkuar që edhe gjatë luftës të luftojmë si SHTET i Kosovës kundër shtetit serb, sepse këtu kanë qenë edhe rregullat, me që ne kishim shpallë shtetin e Kosovës, atëherë ne duhej edhe ta mbronim atë, me që ne kishim përpiluar Kushtetuten e Republikës së Kosovës, aktin bazë të shtetit, dhe duke llogaritur në gjakun e dëshmorëve prej vitit 1912 e deri në luftën e Adem Jasharit. Mirëpo këto kërkesa tona kanë hasur në kundërshtim jo vetëm të shkijeve, por edhe të marksist-leninistët e Kosovës. Pikërisht për këtë shkak në odën e Gani Kocës, është kërkuar e njejta gjë. Aty është «marrë vendimi» dhe është bërë marrëveshja që Këshilli i Emergjencës, me gjithë mallrat që gjendëshin në shtëpinë tonë të tërhiqeshin për shkak se ata konsideronin se ne ishim anëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe mbrojtës të Institucioneve shtetërore, të SHTETIT të Republikës së Kosovës. I pranishëm ka qenë edhe Sabit Geci i cili e kishte marrë përsipër zbatimin e detyrave. Nuk na kishte shkuar asnjëherë ndërmend se Sabiti mund ta bëjë një gjë tillë, sepse ishte megjithatë kushëri i yni. Por te komunistët detyrat janë detyra, madje për të qenë komunist i fortë, duhej të ishe në gjendje të spiunoje edhe babain, vëllanë, kushëririn. Vetëm atëherë komunistët e vërtetonin se je komunist i fortë. Më tej, nuk duhet të besosh as në Zot, të gjithë komunistët janë vëllezër, si kinezi, rusi, shkau, maqedoni, bugari, shqiptari komunist, të gjithë e kanë një detyrë dhe një ide”, thuhet në libër.

Kush kërkonte heqjen e kompetencave të vëllezërve Geci?

“Ne nuk kemi besuar se ky farë Sabiti do të pranojë këso detyrash, sepse për tre muaj me radhë ka ndejtur dhe ka fjetur në oden tonë. Çdo mëngjes fëmijët tanë ia kanë çuar ujin për të larë sytë në oborrin tonë, e mua nuk ma ka marrë mendja që ai mund të bëjë vepra të këqija kundër nesh. Baci Lilë ia ka dhënë revolen e vet Sabitit kur ky kishte një konflikt në Skënderaj, ndërsa ky këtë revole që ia kishte dhënë Baci Lilë në besë e kishte shitur. Në fshatin tonë, Sabiti erdhi me detyra të marra nga lart dhe kërkonte mbledhjen e fshatit. U thirr mbledhja dhe u tubua i gjithë fshati Llaushë, me qëllim që të na hiqen të gjitha kompetencat në fshat dhe të hiqen të gjitha mallrat e Këshillit të Emergjencës nga lokali jonë. Çështja kaloi në vota, dhe kur u votua, ata, komplotistët, humbën dhe sërish u vendos ashtu siç kishte qenë më parë, pra që Këshilli i Emergjencës të mbetej sërish në të njëjtin vend, si dhe lokali edhe njerëzit që ishin të ngarkuar me këto gjëra. Këshilli vetëm u plotësua me disa anëtarë të rinj. Përgjegjës i informimit mbeti Fadil Geci, d. m. th. vetëm çka u forcua ai organizim”, vazhdon rrëfimi i librit.

Mirëpo, prapë se prapë, thuhet se ata nuk u pajtuan.

Kush e arrestoi gazetaren vetëm pse ishte femër?

“Këshilli i Emergjencës që gjendej në Prishtinë, prej nesh kërkoi t'i njoftojmë se çfarë ndihme na duhej prej tyre. Ne kishim nevojë për një telefon satelitor, ose ajror, që bënte lidhje me antena prej Skënderajt në fshat. Për ta sjellur telefonin dhe mjetet e tjera, ishte nisur Hamdi Gërvalla, kryetar i Emergjencës pranë Lidhjes Demokratike të Kosovës, së bashku me një gazetare të Gazetës Shqiptare. Rrugë janë takuar me Sabitin, i cili, sapo ka marrë vesh për mallrat ua ka konfiskuar të gjitha dhe ka arrestuar gazetaren, vetëm e vetëm se ishte femër. Më pas, këtë gazetare e kanë shetitur nëpër malet e Qyqavicës duke ia vënë edhe grykën e automatikut në kokë. Ndërsa unë, kur jam takuar me Beqir Gecin i kam thënë se po ta kisha gjetur dikë duke ju sjellë mjete juve, të bijve të Sheremetit, unë nuk do t'ia kisha konfiskuar ato, përkundrazi do t'i kisha ndihmuar, duke ua sjellur deri te vendi ku ju do të ishit. Dhe këtë nuk ia thoja sa për të larë gojën, por në të vërtetë e kisha bërë, kur për t’ia shpëtuar këmbën vëllait të tij e angazhuam Sami Beqirin, mjekun nga Mitrovica. Mjeku ka ardhur prej Mitrovice, ka dalë në Qubrel dhe vëllai im ka dalur me traktor dhe e ka dërguar në Ticë. Dr. Fadili nuk kishte përvojë të madhe, sepse ishte mjek fillestar, megjithatë kur ia hapi këmbën të plagosurit dhe vërejti se ajo kishte rënë në shkallën e dytë të infektimit, ia pastroi atë dhe e mjekoi mirë. Gjatë asaj kohe kishim akoma raporte të mira me këtë njeri”, thuhet tutje në libër.

Aty theksohet se, mjeku ia ka ndihmuar dhe ia ka shëruar edhe këmbën tjetër që e ka patur të thyer prej një ndeshjeje.

Përçarjet i nisi LPK-ja

“Unë e kam lajmëruar vëllain tim që gjendej në Gjermani t'ia sillte një shipkë prej ari, për t'ia shëruar këmbën. LPK-ja ka patur dorë dhe e ka përgaditur këtë njëri për interesa të veta duke e bërë kundërshtar tonin. Gjyshin tim Halil Bajraktarin dhe babain e Halit Gecit, Jusuf Gecin, (mësuesit që është vrarë), Serbia i ka vrarë të lidhur dorë për dore në vitin 1945. Halit Geci dhe Sheremet Geci janë kusheri. Ne kemi patur gjithnjë raporte të mira, mirëpo Lëvizja Popullore e Kosovës arriti t'a bëjë këtë përçarje në mes familjeve tona. Edhe ky Sabiti ishte me ne në fillim, por këtë kundërshtar e bëri LPK-ja përmes Gani Kocit dhe njerëzve të tyre. Gani Koca ka qenë prej fillimit me LPK-në, ndërsa shtirej se ishte me LDK-në, ishte edhe anëtar i rrejshëm i kryesisë i Degës në Skënderaj” vazhdon shkrimi i Gecit në libër.

Sipas tij, fronti i Prekazit ka qenë i përqëndruar në Llaushë, megjithatë Gani Koca thoshte se Llausha nuk është e rrezikuar, ka mjaft fshatra tjera, si Kopiliqi që ishte në mes, pastaj Açareva, Turiçevci e Vojniku e se të gjitha këto fshatrat janë më të rrezikuara se Llausha.

Cila ishte përshëndetja e pazakont e Rexhep Selimit?

 “Mandej, kemi rastin tjetër me Çallakët e Izbicës, të cilët ne i kemi dajallarë. Ata kishin ardhur prej Peje për të rënë në kontakt me ne, por ishin penguar nga Abedin Rexha, i cili u kishte thënë se ne qenkëshim bashkëpunëtorë të UDB-së, dhe se nuk kishin se çfarë të kërkonin te ne. Nuk i kishin lënë ata as të na sillnin armë, as ndihma në Llaushë. Dikush intervenonte në mënyrë që të futej përçarja. Pas kësaj periudhe nga Gjermania dhe Zvicra nisen disa luftëtarë vullnetarë për të na ndihmuar: Fehmi Lladrovci, Sami Lushtaku, Sahit Jashari, Bekim Berisha - Abeja, për të cilin kam konsideratë të jashtëzakonshme, me ta ishte edhe vëllau i Ramë Bujes, Shukri Buja me pseudonimin «Gazetari». Këta vijnë në Likoc dhe prej aty shkojnë te nipi i Hashim Thaçit, Xhavit Nuraku, në Plluzhinë. Raportet tona ende nuk kanë qenë të thyera plotësisht. Rexhep Selimi më ka pritur aty, kur kam shkuar. Të gjithë janë ngritur në këmbë për të më përshëndetur në mënyrë ushtarake me dorë të shtrirë mbi ballë. Atë ditë kanë përshëndetur të gjithë me dorë të shtrirë dhe Rexhep Selimi më tha se këtë përshëndetje me dorë e kanë si Perëndimi. Kështu ka qenë deri në vitin 1998. Kur erdhën këta nga jashtë sollën me vete si programin e LPK-së ashtu edhe përshëndetjet me grusht”, thotë Geci në librin e tij.

Hetuesi ndërkombëtar Mattern konfirmon se Gani Geci ishte cak i sulmit

Por, hetuesi ndërkombëtar Rainer Mattern kishte thënë se, një prej arsyeve kryesore të vrasjes së Bekim Kastratit është se ai kishte shkruar disa artikuj në gazetën Bota sot dhe se Gani Geci kishte botuar librin “Lufta pa maska”.

Ai ishte pyetur se a mund ë ketë qenë Gani Geci në listën e zezë për likuidim, polici amerikan është përgjigjur: “Po. Edhe pse nuk e kemi në dispozicion një listë të tillë, hulumtimet tona tregojë se ajo ekziston dhe se G.G. është I rrezikuar. Këshilltari i parë i presidnetit Rugova e ka konfirmuar këtë listë si dhe referencën për G.G. Vrasja e anëtarëve të LDK-se dhe të FARK-ut sidomos në vitet 1999-2003 por edhe në vitet e mëvonshme flet për një qasje sistematike për eliminimin e kundërshtarëve politikë. G.G. ishte objekt i sulmeve dhe tentatvivave për vrasje por ai ka mbiejtuar rastësisht”.

Hetimet për zbardhjen e vrasjes së Bekim Kastratit e Besim Dajakut dhe të plagosjes së Gani Gecit janë mbyllur nga hetuesit ndërkombëtar me arsyetimin se i dyshuari kryesor Agron Sulejmani ishte vrarë në një atentat ndaj policisë vendore dhe ndërkombëtare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat