Ndërpritet përsëri seanca e Kuvendit, mungojnë deputetët, nuk ka kuorum

Aktuale

Ndërpritet përsëri seanca e Kuvendit, mungojnë deputetët, nuk ka kuorum

Më: 9 korrik 2018 Në ora: 07:35
Milaim Zeka

(E plotësuar) - Seanca e Kuvendit të Kosovës vazhdoi me shqyrtimin e disa projektligjeve, megjithatë për shkak të mungesës së kuorumit ato nuk u votuan.

Aty ministri i Tregtisë, Bajram Hasani, prezantoi para deputetëve projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Unionit "Konkurrenca e Ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme COSME) 2014-2020", ka thënë se

Hasani: Lidhja e kësaj marrëveshje do të rrisë qasjen në financa

“Jemi plotësisht të bindur që lidhja e kësaj marrëveshje do të rrisë qasjen në financa për ndërmjet e vogla dhe të mesme, qasjen në tregje dhe inkurajimin e ndërrmarrësisë, si dhe krijimin e kushteve më të favorshme për konkurrushmëri“, tha ai.

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj tha se marrëveshja në mes Kosovës dhe BE-së, është e mirë dhe do të përkrahet nga LDK-ja, por jo duke munguar deputetët e pozitës dhe kabineti qeveritar.

Zemaj: Jeni maxhorancë minore

“Do të iu tregojmë juve dhe qytetarëve të vendit se jeni maxhorancë minore, po tentoni të kamofloni, është e pa drejt dhe duhet të jeni real para kësaj gjendje”, tha ai.

Marrëveshja nuk është hedhur në votim për shkak se mungonin deputetët, siç nuk u votua as projektligji për efiçiencë të energjisë.

Ndërsa, lidhur me ndryshimin e projektligjit për Automjete, propozuesi Mergim Lushtaku, ka thënë se ligji ka mangësi dhe ka nene që shkelin edhe të drejtat e njeriut siç është te neni për ndërrimin e pronarit.

Lushtaku: Të hiqet ndalesa e viteve

“Në nenin 44 thuhet se në Kosovë nuk mund të importohen veturat më të vjetra se 10 viteve, pas kësaj kam shikuar vendet e Evropës dhe SHBA-së dhe kam parë se nuk kanë ndalesë për shkak të viteve por për shkak të standardeve dhe në këtë drejtim kemi probleme serioze për shkak se edhe kushtet ekonomike të familjeve kosovare e kanë të vështirë të kanë vetura të reja dh kjo dispozitë të largohet“, ka thënë ai.

Kurse, ministrja e Ambientit, Albena Reshitja tha se veturat e vjetra nuk janë në përputhshmëri me standardet e kërkuara nga BE.

Reshitaj: Veturat e vjetra ndikojnë në ndotjen e ajrit

“Sipas të gjitha parashikimeve veturat e vjetra ndikojnë në mënyrë substanciale në ndotjen e ajrit, andaj sot është në dorën tuaj të ndalni apo të rritni nivelin e ndotjes së ajrit, të rrezikoni apo të mbroni jetërat e qytetarëve në komunikacion”, tha ajo.

Ndërsa, deputetët thanë se përveç ruajtjes së ambientit, duhet të shikohet edhe siguria që ofrohet në veturat e tyre.

As ky projektligj nuk është votuar për shkak të kuorumit, siç nuk u votua projektligji për shërbime postare, projektligji për masat mbrojtëse në importe, projektligji për trajtimin e ndërtimeve pa leje dhe Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës dhe raporti vjetor i Komisionit të Pavarur për miniera dhe minerale për vitin 2017.

Po ashtu, nuk janë shqyrtuar as projektligji për mbrojtjen e të dhënave personale dhe as shqyrtimi i parë i projektligjit për shqyrtimin dhe vërtetimin e pasurisë së pajustifikueshme.

Për shkak të mungesës së kuorumit, Milaim Zeka, përmendi emrat e tetë deputetëve të PDK-së, të cilët janë shkaktarët e mos votimit të ligjit të sjellë nga Ministria e Drejtësisë.

Ka reaguar deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, duke thënë se nuk i jep llogari Zekës.

Haxhiu: Milaim ty nuk të jap llogari

“A e votojë një ligj apo nuk e votoj ty nuk të jap llogari, i japi qytetarëve dhe grupit parlamentar të PDK-së, kështu që nuk ke nevojë të rrish kujdestar i grupit parlamentar të PDK-së, nuk kemi angazhuar për atë punë, angazhohu në punë tua, bëhu korrekt dhe ruaje nivelin e parlamentit dhe debatit“, tha ai.

Sërish ka reaguar deputeti Milaim Zeka.

Zeka: Nuk mundesh me pas as fjalorin tim

“Ti edhe 2000 vjet me ti dhanë Zoti jetë nuk mundesh me pas as fjalorin tim, as oratorinë time, këtu ju edhe jeni rrahur në parlament dhe nuk është bërë nami....nëse ne nuk jemi më serioz, nuk kemi me i kalu ligjet. Ata e kanë vërejtur opozita që kogja na kanë qit në penallti, e kur të qet njeri në penal ta jep gol, për mos me na jap gol opozita ju bëra thirrje“, tha ai.

Seanca është ndërprerë për shkak të kuorumit për të vazhduar të enjten.

Kuvendi pranohet në Asamblenë Parlamentare të Frankofonisë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka bërë të ditur se nga sot Kuvendi i Kosovës është bërë anëtar i Asamblesë parlamentare të Frankofonisë, në mbledhjen që është mbajtur në Kanada.

 “Kam kënaqësinë e madhe që t'iu njoftoj se Kuvendi i Kosovës sapo është votuar që të anëtarësohet në Asamblenë Parlamentare të Frankofonisë. Unë jam i gëzuar që pas shumë përpjekjesh kjo nismë për t'u bërë pjesë e këtij institucioni të rëndësishëm ndërkombëtar të parlamentarizmit u kurorëzua me sukses. Kjo është organizata më e madhe ndërkombëtare parlamentare ku ne bëjmë pjesë dhe ofron një mundësi të jashtëzakonshme për diplomaci parlamentare. Nëpërmjet këtij anëtarësimi forcojmë subjektivitetin ndërkombëtar të shtetit tonë e do kemi mundësi ta promovojmë Kosovën e ndërtojmë marrëdhënie me parlamentarë të vendeve që ende nuk na njohin”, ka thënë Veseli gjatë dhënies së këtij lajmit në seancën plenare.

Anëtarësimi i Kuvendit të Kosovës në Frankofoni është nismë e kryeparlamentarit Kadri Veseli i cili muaj më parë ka takuar edhe krerët e kësaj Asambleje, ndërsa ka zhvilluar edhe takime të ndryshme gjatë vizitave zyrtare në vende të ndryshme.

Para 1 muaji, pikërisht për këtë çështje,kryeparlamentari Veseli ka pritur në Prishtinë, Sekretarin e Përgjithshëm të Asamblesë Parlamentare të Frankofonisë, Jacques Krabal.

***

Deputeti i Nismës Socialdemokrate, Milaim Zeka, gjatë debatit mbi projektligjin për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme për çështje në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, tha se kjo gjykatë ka qenë burim i shkaktimit të shumë tragjedive në mesin e qytetarëve të Kosovës, i shumë vrasjeve e vetëvrasjeve.

Zeka: Kush prej AKP-së, cila mafi politike e ka gjunjëzuar Hysni Zogaj?

“Kush prej AKP-së, cila mafi politike e ka gjunjëzuar Hysni Zogaj, i cili e ka privatizuar minierën e Goleshit. A e dini ju që pasi janë bërë pazaret prej disa politikanëve me i shit gurë Bechtel Enka kanë shkuar njeriut pas investimit 30 milionë me familjen e vet dhe me kroatë, dha ia kanë mbyllur minierën e Goleshit. A e dini ju çka i ndodh një njeriu në Kosovë, një qytetari të rëndomtë e një biznesmeni të rëndomtë? A e dini ju, të nderuar deputetë, që njerëzit më të ndershëm në botë mund të bëhen terroristët më të mëdhenj të botës, se kur ta bien lakun këtu nuk ki. Ata detyrohen. Gjykata e Dhomave të Specializuara i ka shti njerëzit edhe me vra edhe me bë vetëvrasje, edhe me u bë terroristë. Këtu po dua të dal dhe unë drojën më të madhe e kam që vendimi i një gjykatësi këtu ku del njeriu që e vret njeriun dhe del i lirë shëtit nëpër rrugë. Unë i frikësohem që vendimi i një gjykatësi do të jetë sh umë lehtë për një njëri me pagua dhe me korruptua gjykatësin”, tha ai.

Vazhdimi i seancës (Drejtpërdrejt)

Kuvendi i Kosovës vazhdon seancën plenare.

VV lëshon sallën e Kuvendit

Seanca e Kuvendit të Kosovës ka vazhduar me shqyrtimin e pikave të papërfunduara më 6 korrik, por në momentin që ka munguar ministri i Tregtisë, Bajram Hasani, Lëvizja Vetëvendosje ka lëshuar sallën duke thënë se Qeveria i ka ditët e numëruara.

Votimi i propozim-rezolutës nga interpelanca e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në lidhje me vendimin e Qeverisë për pagesën e 53 milionë eurove shtesë për kompaninë Bechtel & Enka në kontratën për ndërtimin e Autostradës R6, "Arbën Xhaferi" Prishtinë-Hani i Elezit, është shtyrë me kërkesën e propozuesve GP-të Lëvizjes Vetëvendosje dhe GP të LDK-së, duke thënë se po provojnë t’i hatmanizojnë qëndrimeve.

E derisa opozita vazhdonte të kundërshtojë se nuk janë njoftuar zyrtarisht me pikat e rendit të ditës, në momentin që nisi shqyrtimi i projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Unionit "Konkurrenca e Ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme COSME) 2014-2020", mungonte ministri i Tregtisë, Bajram Hasani. Këtu reagoi Lëvizja Vetëvendosje. Deputetja Albulena Haxhiu njoftoi për largimin e tyre nga salla.

Haxhiu: Qeveria i ka ditët e numëruara

“Jeni qeveri e pakicës dhe nuk ka asnjë dyshim që ditët e kësaj qeveri janë të numëruara, andaj edhe zgjidhja për këtë situatë janë zgjedhjet. Nuk ka kuptim që 7 orë të diskutojmë a ka ardhur ministri, a ka ardhë deputeti, jo deputetët nuk qenkan, kjo është tallje me qytetarët, flasim për marrëveshje ndërkombëtare dhe as ministri nuk është këtu, ku po doni me shku tutje, prandaj ne si grup parlamentar në shenjë proteste ndaj kësaj situate, qysh tani do ta lëshojmë sallën“, tha ajo.

Ndërsa, kryesuesi dha pauzë prej 30 minutave.

Vetëvendosje lëshon sallën e Kuvendit

Lëvizja Vetëvendosje në shenjë proteste për mungesën e ministrit të Tregtisë, ka lëshuar sallën.

Albulena Haxhi tha se është Qeveri e pakicës dhe opozita nuk do t’ia bëjë numrat.

Ndërsa, kryesuesi dha pauzë prej 30 minutave.

S’ka vota për projektligjin e ‘gjykatës’ për AKP-në

Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të votojë projektligjin për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme për çështjet në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, për shkak të mungesës së deputetëve në procesin e votimit.

Ishin 38 deputetët që votuar për dhe 18 kundër. Derisa, për të votuar për apo kundër do të duhej votat e më së paku 60 deputetëve.

Gjatë vazhdimit të seancës, ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka thënë se është për keqardhje që janë gjyqtar të Gjykatave Supreme dhe nuk kanë zyrtarë mbështetës dhe tani me rekrutimin e fundit që kanë ndodhë nga Këshillit Gjyqësor, do të kenë edhe staf profesional dhe teknik.

Tahiri: Problemi ka qenë struktura e ndërtuar

“Pikërisht struktura që ka qenë e ndërtuar mendojë që ka qenë problemi kryesorë në ngecjen dhe krijimin e kësaj situate që ne e kemi përpara. Tash i kemi 10 panele në shkallen e parë dhe i kemi tri panele në shkallë e dytë dhe padyshim që kjo do ta dyfishojë angazhimin e të gjithëve”, tha ai.

Sipas tij, gjyqtarët dhe prokurorët do t’i kenë rreth 300 bashkëpunëtor profesional.

Albulena Haxhi tha se fajin kryesor për stafin profesional dhe teknik e ka Ministria e Drejtësisë, e cila është drejtuar nga PDK.

Deputeti i Nismës për Kosovën, Milaim Zeka tha se AKP-ja ka qenë burim i shkaktimit të shumë tragjedive në mesin e qytetarëve të Kosovës, i shumë vrasjeve e vetëvrasjeve.

Vazhdon seanca e Kuvendit (Drejtpërdrejt)

Kuvendi i Kosovës vazhdon punimet për seancën e filluar në orën 10:00.

Deri më tani projektligji për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme për çështjet në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, ka marrë kritika nga opozita, lidhur me mundësinë që një gjyqtar të vendos për të gjitha lëndët, por gjithashtu edhe me funksionin e saj brenda Gjykatës Supreme.

Veseli dhe Sherifi konfrontohen rreth rrëzimit të qeverisë së kaluar 

Projektligji për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme për çështjet në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, ka marrë kritika nga opozita, lidhur me mundësinë që një gjyqtar të vendos për të gjitha lëndët, por gjithashtu edhe me funksionin e saj brenda Gjykatës Supreme.

Korab Sejdiu në emër të grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Sejdiu tha se po flitet për përfundimin e mandatit të EULEX-it, por ata si deputet nuk e dinë cili është mandati i ri i EULEX-it.

Ai tha se Dhoma e posaçme me anë të këtij projektligji vazhdon të mbetet në kuadër të Gjykatës supreme, gjë që gjyqtarët e Apelit dhe Themelores, kanë thënë se nuk duhet të mbetet kjo gjykatë në kuadër të Supremes.

Sejdiu: Ta eliminojmë vendimmarrjen e dy shkallshmërisë

“Çështja është a dëshirojmë të vazhdojmë nëpërmes këtij projektligji të ia shtyjmë jetën tutje një legati të hidhur, pra një prezence të posaçme në kuadër të Gjykatës Supreme...Sikur të zhvendoset në Gjykatën Themelore, atëherë do të eliminohej kjo vendimmarrja e dy shkallshmërisë brenda një organi, sepse themelorja do të vendoste në shkallë të parë, apeli në shkallë të dytë“, tha Sejdiu.

Hajdar Beqa në emër të PDK-së, tha se për projektligjin mund të diskutohet në komisione për leximin e dytë, por të mos ndalohet projektligji për shkak se ajo dhomë e pa funksionalizuar.

Albulena Haxhiu nga Vetëvendosje, pati kritika për ata që e kanë përgatitur projektligjin pasi tha se ka defekte të shumta.

Haxhiu: Qëllimi ka qenë akomodimi i gjyqtarëve

“Ata që e kanë shkruar këtë draft kanë pasur për qëllim akomodimin e gjyqtarëve që do të merren me lendet e AKP-së, apo vendimeve të padrejta të AKP-së por jo edhe për palët“, tha ajo.

Kurse, Frashër Krasniqi nga Partia Social Demokrate, tha se nuk duhet të lejojnë raste ku për shuma shumë të mëdha vendos vetëm një gjyqtari.

Krasniqi: Është shkelje flagrante e të drejtave të njeriut

“Kjo është shkelje flagrante e të drejtave të njeriut por edhe mënyrës se si është e rregulluar drejtësia në vendin tonë ,,,..sepse një qytetar i Kosovës duhet ta ketë të drejtën për t’u ankuar. Si është e rregulluar dhoma e posaçme, një qytetar i cili ka ankesë ndaj vendimit të shkallës së parë të kësaj dhome të posaçme, i bie të ankohet prapë brenda dhomës së posaçme”, tha ai.

Ligji është mbështetur edhe nga AAK. Kurse, ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, tha se derisa disa deputet kërkojnë që dhoma të kalojë në Gjykatën Themelore dhe lëndët mos të shqyrtohen vetëm nga një gjyqtar, nuk po e din që në Themelore të gjitha lëndët shqyrtohen vetëm nga një gjyqtar.

Tahiri: Në themelore lëndët trajtohen nga një gjyqtar

“Nëse e vendosim në Gjykatën Themelore departamentin e parë, atëherë lëndët do të trajtohen nga një gjyqtar, jo nga tre siç është aktualisht, dhe ata gjyqtarë që janë në Gjykatën Themelore kanë tri vjet përvojë pune, jo 8 sa kërkohen për t’i trajtuar këto lëndë të privatizimit, në kuadër të dhomës së posaçme.....edhe me projektligjin aktual që ne e kemi propozuar, ekziston mundësia që në raste të jashtëzakonshme, paneli i parë të formohet me tre gjyqtar, pra nuk është kjo e precizuar”, tha ai.

Ndërsa, Bilall Sherifi nga Nisma Socialdemokrate, tha se i tha duhet të dëgjohen propozimet e opozitës, pasi në të kundërtën nuk mund të kalojë.

Seanca ka shkuar në pauzë deri në orën 14:30.

Veseli: Po humbim kohë duke u marr se kush pe merr bajrakun

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli duke folur për dialogun me Serbinë ka thënë se janë duke humbur kohë duke u marr me ‘bajraktarizma’.

Veseli tha se spektri politik në Kosovë merret me atë se kush do të jetë i pari ndërsa tha se opozita është duke vazhduar me gabimin e njëjtë.

“Kur të dëmtohemi mirë pastaj hajdeni bëhemi bashkë. Nuk i ka marrë me dëshire PDK këto përgjegjësi”, tha Veseli duke shtuar se sa herë takohet dikush me Serbinë kurrë votat s’do t’i marr.

Ai propozoi që ta merr këtë përgjegjësi Isa Mustafa. “ Por me blloku çdo proces për inati se s’je në pushtet. . A është sfidë. Sa herë bisedon me Serbinë është sfidë e rëndë”, tha Veseli pas takimit me udhëheqësit e Odës Ekonomike të Kosovës të cilët ia dorëzuan raportin e auditimit.

Veseli ka folur edhe për liberalizimin e vizave duke thënë se kjo duhet të ndodh pasi që qytetarët e meritojnw këtë. Veseli tha se janë përmbushur kriteret për liberalizim.

“Duhet të ndodh dhe unë shumë besoj në qoftë se ka drejtësi dhe vlerësohen ato që janë liberalizuar dhe vendet tjera me më pak kritere të plotësuara. Çështja e korrupsionit, Ukraina, Gjeorgjia kanë probleme më të mëdha se ne. Vendimmarrja merret nga vendet e BE se. Kemi punuar. Pres raporti të jetë pozitiv dhe qytetarët të lëvizin lirshëm sepse pak ka vende që ka bere progres si vendi jonë”, tha Veseli.

Tahiri: Projektligji për gjykatën e AKP-së, dëshmi se mund të udhëheqim vet

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, duke prezantuar para deputetëve projektligjin për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme për çështjet në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, ka thënë se çdo vonese në miratimin e këtyre ndryshimeve ka efekt drejtpërdrejt edhe në ekonominë e vendit tonë.

Tahiri tha se si pasojë e ndryshimeve të mandatit të EULEX-it në gjyqësor të cilat kanë hyrë në fuqi më 14 qershor të këtij viti, ndryshimi i këtij projektligjit është esencial.

Tahiri: Ndryshimet janë të domosdoshme

“Duke qenë se gjyqtarëve ndërkombëtar u ka përfunduar mandati, ndryshimet në strukturën që i parasheh ky ligj janë të domosdoshme për të garantuar vazhdimësinë e punës pas largimit të gjyqtarëve ndërkombëtar. Theksoj se për shkak të kompetencës ekskluzive të kësaj gjykate në çështjet që ndërlidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, puna e kësaj gjykate ndikon drejtpërdrejt në dinamikën e procesit të privatizimit, si dhe bartja e mjeteve të mbetura në buxhetin e Kosovës, rrjedhimisht çdo vonese në miratimin e këtyre ndryshimeve ka efekt drejtpërdrejt edhe në ekonominë e vendit tonë“, tha ai.

Sipas tij, ky projektligj është një dëshmi konkrete se institucionet e Kosovës kanë kapacitet për të udhëhequr vet punën në këtë gjykatë.

Ai shtojë se janë rreth 21.300 lënë të regjistruara që mbajnë peng qindra miliona euro para këto që punëtorëve u takon 20 %, kreditorëve dhe mbi të gjitha të buxhetit të Kosovës.

***

Seanca e Kuvendit të Kosovës ku do të bëhet shqyrtimi i parë i Projektligjit për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme për çështjet në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit ka nisur me një orë vonesë.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu ka kërkuar rrëzimin e qeverisë pasi sipas saj nuk i kanë numrat t’i votojnë as projektligjet.

“Si keni numrat një projektligj me votu e lë më marrëveshje ndërkombëtare”, ka thënë Haxhiu.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli ka polemizuar duke kërkuar nga opozita t’i bëjnë numrat dhe ta rrëzojnë qeverinë.

“Unë kur e kam nis e kam kry, niseni shikoni a po mundeni me kry, nuk mbajta inat vetëm thash se opozita është e dobët”, është shprehur Veseli.

Ndërsa deputeti i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi ka thënë se rrëzimi i qeverisë së kaluar është meritë e partisë së tij po ashtu edhe e VV-së.

“Rrëzimi i qeverisë ka qenë meritë e jona ne e kemi nisë, po ashtu është meritë edhe e VV-së që u rrëzu ajo qeveri, mbaj ti tuat boll të dalin”, ka thënë Sherifi.

Pas këtij reagimi Veseli e ka quajtur Sherifin të ‘menqur’.

“Nuk lindin të gjithë aq të ditur sa të bëhen kryetar kuvendi si ju”, ka qenë përgjigja e Sherifit.

Përplasje mes Veselit dhe opozitës: Jeni të dobët!

Seanca e Kuvendit të Kosovës ka nisur me propozimin e kryesuesit Kadri Veselit për një orarë për seancat e rregullta të kenë oraret e veta. Kjo nuk është përkrahur nga opozita, e cila tha se Kuvendi ka rregulloren me të cilën duhet të funksionojë.

Veseli tha se qëllimi është që të ketë një rregull për një mbarëvajtjen më të mirë të seancave.

“Seancat të nis në ora 10:00, në ora 13:00, pauzë deri në 14:30, në ora 17:00 të jetë koha e votimit, orare këto që i kisha inkurajuar të jenë edhe në rregulloren e re të cilën po punohet”, tha ai.

Me këtë nuk u pajtua shefi i grupit parlamentar të Avdullah Hoti, duke thënë se nuk mund të marrin vendim nga kryesia dhe seanca, pasi këto i rregullon rregullorja.

Hoti: Është degraduar puna e Kuvendit

“Kemi ardhur në një situatë ku plotësisht shtë degraduar puna e Kuvendit në mungesë të një menaxhimi dhe një maxhorancë të qëndrueshme në Kuvend”, tha ai.

Reagoi Veseli, duke thënë se respekton opozitën  por ata kanë inate.

Veseli: Inati dhe hatrimi nuk do të na ndihmojë

“Inati dhe hatrimi nuk do të na ndihmojë. Unë po e shoh çdoherë e më shumë, qëndrimi juaj është inat e hatrim i një qëndrimi pozitë dhe opozitë por do të ishte mirë që të kemi një vendim“, tha ai.

Propozimi i Veselit është përkrahur nga partitë në pozitë, por jo edhe nga Vetëvendosje.

Albulena Haxhiu nga Vetëvendosje, tha se tendenca për të votuar në orën 17:00, është tendencë për të treguar që pozita i ka numrat, gjë që nuk është e vërtet.

Ajo tha se pozita nuk i ka numrat dhe se vendi duhet të shkojë në zgjedhje.

Haxhiu: Jeni pakicë dhe kështu nuk vazhdohet tutje

“Duhet ta kuptoni që jeni pakicë dhe kështu nuk vazhdohet tutje dhe nuk mund ta hidheni fajin te opozita. Vaj halli për atë pozitë që mbështetet te numrat e opozitës. Në momentin që vjen në këtë deregje dije që nuk është puna mirë“, tha ajo.

Sërish reagoi Veseli, duke i thënë se le ta provojnë me mocionin e mosbesimit.

Veseli: Opozitë më të dobët kurrë nuk ka pas

“Mund të ketë pozitë të dobët, veç më opozitë e dobët se kjo nuk ka sepse veç flet e nuk ndërmerrë asgjë. Ti merre mocionin e mosbesimit dhe e she kush është pakicë kush nuk është shumicë, merre se ka rregull, më e dobët se kjo opozitë që nuk merr veprim.....Albulen për me qenë më serioz kur e kam nis unë e kam kryer me 78 vota, niseni ju e keni lehtë me kry, shikoni a kemi mundësi me kryer“, tha ai.

Në fund, propozimi është hedhur në votim por nuk kishte votim për shkak të mungesës së deputetëve. Ndërkohë, ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka nis prezantimin e Projektligjit për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme për çështjet në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit.

***

Ka nisur seanca e Kuvendit lidhur me shqyrtimin e parë të Projektligjit për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme për çështjet në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit.

Që në fillim ka filluar debati në mes deputetëve të opozitës dhe Kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli.

Veseli ka deklaruar se asnjëherë në Kuvendin e Kosovës nuk ka pasur opozitë më të dobët.

“Mund të ketë opozitë të dobët veç ma opozitë ma të dobët  e ma të lodhtë nuk ka se vetëm flet edhe nuk merr masa, ti merre votën besimin edhe kqyre kush është pakicë e kush është shumicë, ka rregulla, ka rregulla. Ma e dobët se kjo opozitë që s’merr asnjë veprim”, ka thënë Veseli duke iu kundërpërgjigjur deklaratës së deputetes së VV-së, Albulena Haxhiu se pozita është pakicë.

“Unë po ju them merrni pra iniciativë për mosbesim dhe e shihni. Unë kur kam dashtë e kam provu dhe e kam kry”, ka thënë Veseli.

Përplasje mes Veselit dhe opozitës për orarin e seancave

Seanca e Kuvendit të Kosovës ka nisur me propozimin e kryesuesit Kadri Veselit një orarë për seancat e rregullta të kenë oraret e veta.

“Seancat të nis në ora 10:00, në ora 13:00, pauzë deri në 14:30, në ora 17:00 të jetë koha e votimit, orare këto që i kisha inkurajuar të jenë edhe në rregulloren e re të cilën po punohet”, tha ai.

Me këtë nuk u pajtua opozita.

Fillon seanca

Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli ka kërkuar nga anëtarët e kryesisë të mbajmë mbledhje në sallën 301, pasi në Kuvend ka mungesë të kuorumit.

Deputetët sot kanë në rend të ditës diskutimin për projektligjin për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit.

Veseli tha që do të ketë pauzë deri në ora 11:00 deri sa të bëhen 61 deputetë për ta mundësuar nisjen e seancës.

“Vetëm kolegët e kryesisë dhe të vendosim për mbarëvajtjen e punës në Kuvend. Kolegët deputetë po donë me i marrë rrogat po s’po donë me ardhë në seancë. Realisht me folë”, tha Veseli.

Sipas tij, nuk do të ketë pushim deri ta kryejnë këtë agjendë.

“Propozimi im do të jetë çdo ditë me u taku, le ta sheh edhe populli ku jemi. Deri në ora 11 pauza”, tha Veseli.

Kuvendi mban seancë plenare

Sot me fillim nga ora 10:00 do të mbahet seanca plenare e Kuvendit të Kosovës.

Kryeparlamentari Kadri Veseli, pas mbledhjes së kryesisë javën e kaluar, ka bërë të ditur se është marrë vendim se deputetët nuk mund të pushojnë pa përfunduar projektligjet që presin shqyrtim, e në veçanti ato që kanë të bëjnë me liberalizimin e vizave.

Rendi i ditës:

1. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme për çështjet në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit.

Më pas, vazhdon seanca plenare, me pikat e papërfunduara më 6 korrik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat