Pse po largohen serbët nga FSK?

Aktuale

Pse po largohen serbët nga FSK?

Më: 9 korrik 2018 Në ora: 09:25
FSK

Mbi 20 pjesëtarë serbë të Forcës së Sigurisë së Kosovës në mënyrë kolektive kërkuan që të largohen nga FSK. Këshilli i Sigurisë së Kosovës fajëson Beogradin. Reagon edhe ambasadori amerikan.

Qeveria e Kosovës dhe prania ndërkombëtare në Kosovë pjesë e QUINT-it janë të shqetësuar me "frikësimet”, që po u bëhen pjesëtarëve të komunitetit serb, pjesë e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK). Sipas kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, presioni dhe frikësimi që po u bëhet atyre nga Serbia, po bën që këta pjesëtarë serbë të FSK-së të largohen nga kjo organizatë.

Mbi 20 pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës nga rajoni i Gjilanit, në mënyrë kolektive kanë parashtruar kërkesat për t'u tërhequr nga kjo forcë, për shkak të siç thuhet presioneve nga Beogradi, tha kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, pas një mbledhjeje të Këshillit të Sigurisë së Kosovës. Sipas tij, "sulmet dhe shantazhet e Beogradit ndaj pjesëtarëve serbë të Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë bërë që këta të fundit, të kërkojnë lirim nga shërbimi në FSK".

Motivi i largimit: presioni nga Beogradi

"Raportohet edhe në media, për sulme me armë dhe mjete shpërthyese që e rrezikojnë jetën e pjesëtarëve serbë të FSK-së. Këto në të kaluarën kanë ndodhur në veri, pastaj është raportuar edhe për kërcënime të tjera, por së fundi ka rezultuar me kërkesën për lirim të FSK-së nga një numër i pjesëtarëve serbë, nga një rajon i Kosovës, që nuk është veriu në këtë rast”, tha kryeministri Haradinaj. Kryeministri tha se "shumica e tyre në deklarimet e motiveve për lirim paraqesin presionin direkt të ushtruar nga autoritetet e Beogradit zyrtar”.

"Presionet janë të natyrave të ndryshme, qoftë gjatë udhëtimeve në Serbi, ndalimi dhe marrja në pyetje, kërcënimet për jetën dhe për familjet e tyre e deri të instrumentet e tjera që janë përdorur, përfshirë edhe mekanizmat  e tjerë të institucioneve paralele që operojnë në Kosovë”, thotë kryeministri Haradinaj.

Lidhur me këtë situatë të krijuar dhe pas kërkesës së një grupi të pjesëtarëve serbë të FSK-së që të lirohen nga kjo forcë, reagoi në Twitter edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie.

Frikësimi i serbëve -i papranueshëm

"Frikësimi nga jashtë i pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, është i papranueshëm. Diversiteti i FSK-së është një model për vendin. Ai duhet të kremtohet, e jo të shkatërrohet”, shkroi në Twitter ambasadori amerikan.

Një muaj më parë disa sulme mbi pronat e dy pjesëtarëve serbë të FSK-së, ndodhën në veri të Kosovës, autorët e të cilave nuk janë zbuluar akoma nga policia, megjithë hetimet që thuhet intensive. Të shqetësuar me këto sulme "që u duken si të koordinuara”, mbi pronat e disa serbëve pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), qenë shprehur edhe përfaqësuesit e listës "Srpska”, e cila është pjesë e koalicionit qeveritar, mirëpo, që tash e një kohë nuk po marrin pjesë në mbledhjet e qeverisë. Goran Rakiq, kryetari i këtij subjekti politik, pati thënë se "institucionet e Kosovës po tregohen pasive karshi këtyre sulmeve ndaj serbëve në të gjithë territorin e Kosovës”.

"Sulmet e fundit ndaj serbëve dhe pronave të tyre në territorin e Kosovës, edhe ndaj fëmijëve dhe grave, pasiviteti i institucioneve të Kosovës, mosndëshkimi i krimit dhe sjellja injoruese ndaj tyre, na kanë shtyrë që të fillojmë konsultimet me shtetin tonë dhe me presidentin Vuçiq”, citojnë mediet lokale serbe Goran Rakicin. Lista Srpska që në kuvendin e Kosovës ka 10 deputetë, qe deklaruar se largohet nga qeveria pas arrestimit nga policia për hyrje ilegale në Kosovë, të shefit të zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq. Ky i fundit sipas medieve në Serbi, pati kërcënuar të gjithë serbët që duan të bëhen pjesë e ushtrisë së Kosovës.

"Serbët të mos marrin pjesë në formimin e Ushtrisë së Kosovës, por të ndihmojnë në zgjidhjen e problemit të Kosovës dhe të merren me sigurinë e serbëve në Kosovë”, pati thënë Marko Gjuriq, duke e cilësuar formimin e ushtrisë së Kosovës si një "formacion ilegal”, në të cilin sipas tij, qytetarët serbë nuk do të duhej të merrnin pjesë.

Ndryshimi i kushtetutës

Tash për tash, 10 % e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) përbëhet nga pjesëtarët e komuniteteve pakicë, ndërsa, 2 për qind e kësaj force, përbëhet nga pjesëtarët e komunitetit serb të Kosovës.

Autoritetet e Prishtinës vazhdimisht kanë deklaruar hapur synimin e tyre që FSK-në ta shndërrojnë në ushtri të Kosovës. Për ta bërë këtë duhet ndryshimi kushtetutës së Kosovës, për të cilën kërkohet edhe miratimi i deputetëve serbë në kuvendin e Kosovës, të cilat janë deklaruar disa herë që nuk do ta mbështesin me asnjë çmim formimin e ushtrisë së Kosovës. 

Të ndodhur në këtë situatë, udhëheqësit e institucioneve të Kosovës thanë se shndërrimin e FSK-së në ushtri do ta bëjnë me një ligj të veçantë, që thuhet se do të ndodhë deri në fund të këtij viti. Mirëpo, që FSK-ja të shndërrohet në ushtri përmes një ligji dhe jo me ndryshime kushtetuese, nuk është e pranueshme për shtetet e QUINT-it. Ata thonë se Kosova ka të drejtë që ta ketë ushtrinë e saj, por kjo duhet të bëhet vetëm me ndryshimet e nevojshme kushtetuese./DW

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat