Liderët e Ballkanit Perëndimor në Londër, nga korrupsioni te trafiku njerëzor

Aktuale

Liderët e Ballkanit Perëndimor në Londër, nga korrupsioni te trafiku njerëzor

Më: 9 korrik 2018 Në ora: 12:56
Liderët e Ballkanit Perëndimor

Të martën në Londër nis samiti i Ballkanit Perëndimor, i pesti i organizuar nën atë që njihet si procesi i Berlinit.

Kryeministrja britanike, Theresa May do të presë shefat e qeverive të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor, Shqipërisë, Bosnje Hercegovinës, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë dhe do të përsërisë angazhimin e hershëm të Londrës ndaj rajonit dhe sigurisë europiane.

Samiti, është i pesti, në kuadër të procesit të Berlinit, pas atyre në Berlin në 2014, në Vjenë në 2015, në Paris në 2016 dhe në Trieste në 2017.

Procesi i Berlinit është ndërkohë një iniciativë e nisur nga kancelaria gjermane Angela Merkel, në 2014. Çdo vit, ai mbledh bashkë 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, partnerë të BE dhe përfaqësues të institucioneve europiane, për të punuar së bashku në mbështetje të sigurisë, stabilitetit dhe prosperitetit në rajon.

Në samitin e Londrës janë ftuar edhe partnerë europianë, mes të cilëve Austria, Kroacia, Franca, Gjermania, Italia dhe Sllovenia.

Samiti, sipas programit do të fokusohet tek rritja e stabilitetit ekonomik, përmirësimi i ambientit të biznesit, inkurajimi i sipërmarrësve, adresimi i papunësisë tek të rinjtë dhe promovimi i lidhjeve rajonale. Një tjetër temë e rëndësishme është bashkëpunimi rajonal në fushën e sigurisë, lufta ndaj kërcënimeve të përbashkëta, përfshirë korrupsionin, krimin e organizuar, trafikun njerëzor, drogat etj.

Samiti synon edhe të lehtësojë bashkëpunimin politik, të ndihmojë rajonin të zgjidhë mosmarrëveshjet dypalëshe dhe të hedhë pas shpine çështje të trashëguara nga e shkuara.

Në këtë kuadër, burime nga qeveria greke kanë bërë të ditur se kryeministri shqiptar Edi Rama dhe ai grek, Alexis Tsipras do të takohen në Londër, për të diskutuar mbi negociatat mes dy vendeve mbi paketën e çështjeve të pazgjidhura mes tyre.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat