"Çohu" kërkon që Presidenti të mos dekretojë njërin anëtar të Kushtetueses

Aktuale

"Çohu" kërkon që Presidenti të mos dekretojë njërin anëtar të Kushtetueses

Më: 9 korrik 2018 Në ora: 15:01
Gjykata Kushtetuese

Të premten, më 6 korrik, Kuvendi i Kosovës ka votuar tre anëtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese të cilët presin dekretimin nga Presidenti i Republikës së Kosovës. Anëtarët e votuar për Gjykatën Kushtetuese janë: Remzije Istrefi-Peci, Nexhmi Rexhepi dhe Safet Hoxha.

Përmes një njoftimi për media, Organizata për Demokraci, Anti-korrupsion dhe Dinjitet, Çohu, ka shprehur shqetësimin e thellë lidhur me praktikën e kaluar dhe të tanishme të përzgjedhjes së kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese me të kaluarën funksionale politike.

Kjo organizatë ka kërkuar që të mos dekretohet anëtari i votuar me të kaluar funksionale politike, përkatësisht Safet Hoxha.

ÇOHU gjithashtu shpreh shqetësimin në lidhje me zbrazëtinë ligjore e cila mundëson përbërjen e Gjykatës me anëtarë të cilët kanë të kaluarën politike.

Përmes kësaj kumtese ÇOHU kërkon mosdekretimin e anëtarëve me të kaluarën funksionale politike.

“Zbrazëtitë ligjore në Ligjin për Gjykatën Kushtetuese vazhdojnë t’u japin mundësinë njerëzve me të kaluarën politike të jenë gjyqtarë në institucionin me të lartë kushtetues, Gjykatën Kushtetuese si gardian i Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Prania e ish-zyrtarëve politikë në Gjykatën Kushtetuese cënon integritetin, paanshmërinë dhe pavarësinë e organit më të lartë kushtetues të vendit. Deputetët e Kuvendit të Kosovës në vend të fokusit në përzgjedhjen e kandidatëve më të përshtatshëm të politikës, do të duhej të kujdeseshin dhe të iniciojnë ndryshimet e dispozitave ligjore të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, të cilat kanë të bëjnë me kriteret e të qenit gjyqtar kushtetues, duke garantuar kështu kandidatë me integritet të lartë personal dhe profesional, të cilët do të garantonin profesionalizmin dhe pavarësinë e funksionimit të Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në njoftim.

Kjo organizatë është shprehur kundër dekretimit të Safet Hoxhës.

“Duke u thirrur në përzgjedhjen dhe votimin e fundit, njëri nga anëtarët e votuar, Safet Hoxha, përveçse ka qenë Këshilltar Komunal i Partisë Demokratike të Kosovës në Kuvendin Komunal të Suharekës, ai gjithashtu kishte marrë pjesë në tubimet politike të kësaj partie në Komunën e Suharekës, të cilën e kishte konfirmuar edhe ai vetë. Për më tepër, në zgjedhjet e përgjithshme për Këshill Drejtues të PDK-së në vitin 2013, Safet Hoxha edhe ishte kandiduar për anëtar të Këshillit Drejtues të Përgjithshëm të PDK-së”, thuhet në reagim.

Sipas kësaj organizate, zgjedhja dhe dekretimi i anëtarëve me të kaluarën politike do të thellojë mosbesimin e qytetarëve në funksionimin dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe do të rrezikojë paanshmërinë dhe funksionimin e pavarur të gjykatës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat