Pacolli: Është koha e marrëveshjes përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë

Aktuale

Pacolli: Është koha e marrëveshjes përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë

Më: 9 korrik 2018 Në ora: 19:14
Behgjet Pacolli, në sesionin e Samitit të Londrës, që është pjesë e “Procesit të Berlinit”

Dialogu në mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë ka sjell progres dhe rezultate pozitive, por është koha që të flasim për marrëveshje përfundimtare, e cila do të jetë në të mirë të të dyja vendeve.

Kështu ka thënë në adresimin e tij zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli, në sesionin e Samitit të Londrës, që është pjesë e “Procesit të Berlinit”.

Siç njofton Ministria  e Jashtme, kryediplomati kosovar ka prezantuar prioritetet dhe të arriturat e Qeverisë së Kosovës, ndërsa ka vlerësuar lartë kontributin që ka dhënë iniciativa e vendeve të Ballkanit Perëndimor tani më e njohur si “Procesi i Berlinit” në përshpejtimin e krijimit të kushteve infrastrukturore për zhvillim ekonomik si dhe në paqësimin e mëtutjeshëm të rajonit përmes bashkëpunimit konstruktiv.

Gjatë pjesës fillestare të takimit të Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve të Ballkanit Perëndimor, ministri i Jashtëm Pacolli kishte marrë pjesë në panelin diskutues me shoqërinë civile, gjatë të cilit është diskutuar lidhur me përmirësimin e perspektivës së rinisë në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Në margjina të Samitit të Londrës, numri dy i qeverisë ka zhvilluar takime të shumta më përfaqësues të niveleve të larta nga shtete të ndryshme, që po marrin pjesë në këtë ngjarje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat