Veseli reagon për pesë serbët e arrestuar

Aktuale

Veseli reagon për pesë serbët e arrestuar

Më: 10 korrik 2018 Në ora: 13:05
Kadri Veseli

Kryeparlamentari Kadri Veseli ka vlerësuar se është i papranueshëm, kërcënimi i familjeve të komunitetit serb të pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Veseli ka thënë se institucionet kosovare me arrestimin e sotëm të pesë pjesëtarëve të komunitetit serb për cenim të kushtetuteshmërisë, kanë përmbushur detyrën e tyre. “

Dënojmë të gjitha aktet që kanë për qëllim destabilizimin e Kosovës dhe cenimin e jetës së qytetarëve tanë. Dhe sigurojmë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, pa dallim etnie, se ne do t’i mbrojmë ata. Sot, institucionet e rendit dhe sigurisë në Kosovë kanë përmbushur detyrën e tyre, duke arrestuar pesë persona të dyshuar për cenim të sigurisë dhe rendit”, ka shkruar Veseli në Facebook.

I pari i PDK-së ka shtuar se tentimet e vazhdueshme të politikës serbe për ta penguar dhe dëmtuar në çdo hap integrimin e qytetarëve serbë të Kosovës janë në kundërshtim me parimet e fqinjësisë së mirë, interesave të qytetarëve serbë në Kosovë, vlerave evropiane dhe aspiratave për integrimin në BE.

“Institucionet e Kosovës janë gjithmonë të gatshme për dialog dhe fqinjësi të mirë. Çdo provokim nga Serbia, që e lëndon këtë proces, nuk i kontribuon interesave të të dyja vendeve që synojnë normalizimin e marrëdhënieve dhe stabilitetin e paqen në Ballkan”, ka vazhduar ai.

 Policia e Kosovës sot në rajonin e Gjilanit ka  zhvilluar një operacion policor ku janë arrestuar pesë persona. Sipas Policisë deri më tani janë arrestuar pesë të dyshuar të nacionalitetit serb të cilët dyshohet se janë përfshirë në veprimtari kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat