Haradinaj: Austrinë do ta kemi partner në zhvillimin ekonomik të vendit

Aktuale

Haradinaj: Austrinë do ta kemi partner në zhvillimin ekonomik të vendit

Më: 10 korrik 2018 Në ora: 19:29
Sebastian Kurz dhe Ramush Haradinaj

“Mbështetja e Austrisë në rrugën drejt integrimeve evropiane dhe euroatlantike të Kosovës është më se e nevojshme dhe ne besojmë se Austrinë do ta kemi partner edhe në zhvillimin ekonomik të vendit”, kështu ka thënë kryeministri Ramush Haradinaj, gjatë takimit bilateral që pati me kancelarin e Austrisë, Sebastian Kurz.

Kryeministri Haradinaj, e ka përgëzuar kancelarin Kurz për udhëheqjen e radhës së Presidencës së BE-së nga Austria, duke shprehur bindjen se vendi i tij do të vazhdojë të jetë mbështetës i Kosovës në të gjitha proceset zhvillimore.

Siç njofton Zyra e kryeministrit, me këtë rast, kryeministri Haradinaj e njoftoi kancelarin Kurz për zhvillimet e përgjithshme në vend, përkushtimin e institucioneve në fuqizimin e sundimit të rendit dhe ligjit, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, zhvillimin ekonomik, agjendën e reformave evropiane, procesin e dialogut me Serbinë, për të cilin kryeministri Haradinaj tha se duhet të përmbyllet me njohje reciproke.

“Austria si një aleat dhe mbështetës i Kosovës, ka dhënë kontributin e saj në ndërtimin dhe fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës. Andaj, presim që edhe në të ardhmen ta keni rolin tuaj në avancimin e proceseve demokratike dhe të zhvillimit të gjithmbarshëm të vendit tonë”, tha kryeministri Haradinaj, duke kërkuar nga kancelari Kurz thellimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat e interesit reciprok.

Ndërkaq, kancelari i Austrisë, Sebastian Kurz, vlerësoi progresin e arritur në Kosovë, duke konfirmuar mbështetjen e Austrisë në proceset integruese.

Kancelari Kurz, po ashtu theksoi përkrahjen e plotë të shtetit të tij për Kosovën në zhvillim ekonomik, proceset integruese evropiane dhe thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat