Policia: Të dhënat personale për tiketat në trafik janë të sigurta

Aktuale

Policia: Të dhënat personale për tiketat në trafik janë të sigurta

Më: 10 korrik 2018 Në ora: 20:11
Në ueb-faqen e Policisë

Policia e Kosovës, në lidhje me shqetësimet se të dhënat personale të cilat po përdoren për të hapur sistemin e ri të një ueb-moduli të publikuar në ueb-faqen e Policisë për numrin e tiketave për kundërvajtje mund të keqpërdoren ka thënë se çdo e dhënë personale është e mbrojtur.

“Sa i përket shqetësimit rreth mbrojtjes së të dhënave personale ueb moduli për kontrollin e gjobave në trafik është në përputhje të plotë me ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale, si dhe të gjitha të dhënat që shfaqen janë të enkriptuara sipas standardeve për enkriptimin e të dhënave”, thuhet në një përgjigje të PK-së.

PK në përgjigje ka thënë se ueb- moduli për t’u informuar në lidhje me numrin e kundërvajtjeve ka ardhur pas kërkesave të shumta dhe prezencës së shtuar të qytetarëve nëpër stacione policore për tu informuar lidhur me dënimet e papaguara.

“Me qëllim të zgjidhjes së këtij problemi Policia e Kosovës përmes mekanizmave të brendshëm, ka ofruar një mundësi që tiketat e papaguara të mund të kontrollohen, duke u qasur në ueb-faqen zyrtare të Policisë së Kosovës, pa pasur nevojë të paraqitjes në stacione policore”, thuhet në përgjigjen e policisë drejtuar kallxo.

Sipas Policisë, lansimi i këtij ueb-moduli si fazë testuese ka filluar me datën 06.07.2018, në ueb faqen e PK-së, ku është instaluar ikona “Kontrollo tiketat e trafikut”, ku pas klikimit në të njëjtën dhe ofrimin e të dhënave si (numri personal, emri dhe mbiemri), çdo qytetar do të ketë mundësi t’i gjejë sa tiketa të papaguara i ka, numrin e tiketës, në cilin stacion janë shqiptuar dhe sa e kanë vlerën.

“Vlen të theksohet se në mungesë të një sistemi të unifikuar të të gjitha institucioneve të përfshira në këtë proces që përfshijnë: shqiptimin e gjobave nga PK-ja, ndëshkimet/vendimet nga organet e drejtësisë dhe pagesat që realizohen përmes autoriteteve bankare, ekziston mundësia e shfaqjes së ndonjë mosevidentimi të pagesave në kohë optimale, të realizuara nga qytetarët”, thuhet më tutje në përgjigjen e PK-së.

Po ashtu, Policia e Kosovës ka thënë se është duke punuar në vazhdimësi në kualitetin e shërbimeve, përfshirë këtu edhe rifreskimin e të dhënave në rastet kur qytetarët i ofrojnë dëshmitë mbi pagesën e gjobave, me qëllim të shlyerjes së tyre nga sistemi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat