Dekada e rrenave për liberalizimin e vizave

Aktuale

Dekada e rrenave për liberalizimin e vizave

Më: 10 korrik 2018 Në ora: 21:24
Ilustrim

Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, etja e qytetarëve të Kosovës për lirinë e lëvizjes në Evropë u bë pista e premtimeve të politikanëve në kohë fushatash.

Në 10 vjetorin e shtetësisë, Kosova vazhdon të jetë i vetmi vend në Ballkan që ende vuan nga regjimi i vizave për udhëtim në zonat Shengen.

Ndërsa që nga viti 2017, datat e premtuara nga politikanët kosovarë për liberalizim janë matur nga KRYPOMETRI që është verifikues faktesh i çertifikuar ndërkombëtarisht, i pari i llojit të vet në Kosovë.

Protagonisti i parë i KRYPOMETRI-t për këtë temë ishte Kryeminstri, Ramush Haradinaj i cili në fushatë zgjedhore bëri një premtim të guximshëm.

Kandidati për Kryeministër i Koalicionit PDK-AAK-Nisma, Ramush Haradinaj, gjatë fushatës zgjedhore ka përsëritur disa herë premtimin e tij që brenda tre muajsh pasi ai ta marrë qeverinë, qytetarët do të lëvizin lirshëm në Europë.

Vlerësimi: Kryeministra dhe Presidenti i Republikës së Kosovës kanë rrejtë lidhur me datat për liberalizimin e vizave për Kosovën në të gjitha premtimet publike. 10 vjet pas Pavarësisë së Kosovës, liberalizimi nuk ka ndodhur.

“Jemi vetëm një ditë para fillimit zyrtar të fushatës zgjedhore. Në takimet e shumta anekënd Kosovës e kam thënë se brenda 3 muajsh qeveria jonë do ta mundësojë liberalizimin e vizave. Edhe sot e përsëriti këtë zotim: Me qeverinë e re brenda 90 ditësh qytetarët e Kosovës do të udhëtojnë pa viza në Gjermani, Zvicër, Austri dhe krejt Europën”, ka shkruar  Haradinaj në Facebook më 30 maj.

Por, këtë deklaratë vetë Haradinaj e ka modifikuar. Ai kishte treguar se me ardhjen e tij në qeveri, do të krijojë një komision tjetër vlerësues për demarkacionin dhe do të nisë negociata me Malin e Zi. Pas nisjes së negociatave siç u shpreh ai “..do t’u shkruaj menjëherë qeverive të BE-së që e kemi një proces të ri, i cili do të ketë epilog dhe do t’ju them ju lutem lëvizni me vendimin e juaj për heqjen e vizave”.

Nuk shkoi shumë dhe Haradinaj u nxu sërish në rrenë.

Ramush Haradinaj ka hyrë në rend me Hashim Thaçin dhe Isa Mustafën. Haradinaj është kryeministri i tretë që nuk e ka mbajtur premtimin për liberalizim të vizave.

Ramush Haradinaj, gjatë kohës sa ishte mandatar për Kryeministër i koalicionit PAN, më 30 maj kishte premtuar se me ardhjen e tij në krye të Qeverisë, liberalizimi i vizave do të ndodhë brenda 90 ditëve.

Haradinaj nuk është kryeministri i parë që ‘mashtron’ qytetarët për liberalizmin e vizave. Këtë e kishin bërë edhe paraardhësit e tij, Thaçi e Mustafa.

100 ditë pas marrjes së pushtetit, Haradinaj e kishte bërë edhe një zotim të ri. Në dhjetor të vitit 2017, Haradinaj në një intervistë për televizionin publik (RTK) kishte thënë se përveç ushtrisë edhe liberalizimi i vizave do të ndodhë në muajin mars të 2018-tës.

Ai ka thënë se kosovarët mund të lëvizin pa viza para muajit mars të vitit 2018. Gjithashtu edhe FSK-ja para atij muaji mund të shndërrohet në ushtri të Kosovës. Madje muaji mars, sipas tij, mund të jetë koha më e largët kur këto dy procese mund të realizohen.

Premtimi i tij, sërish nuk u realizua.

KRYPOMETRI i kujtoi edhe Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi së fundmi për një kohë kur ai ishte i sigurtë se vizat për kosovarët ishin çështje e së kaluarës.

Me marrjen e propozimit pozitiv nga Komisioni Evropian për liberalizimin e vizave në maj të vitit 2016, politikanët kosovarë të ngazëllyer filluan urimet për ‘fundin e izolimit’.

Ngjashëm kishte bërë edhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i cili tha se tanimë kosovarët nuk ‘i ndal asnjë kufi’.

“Pas dekadave të izolimit, nuk do të ketë më pritje para ambasadave, nuk do të ketë refuzime. Nuk kemi fituar dhuratë, por kemi merituar liberalizimin me punën tonë të përbashkët. Kur punojmë bashkë, asnjë kufi nuk na ndal. Urime liberalizimi sot, urime edhe për UEFA-n dje. Javë historike”, kishte shkruar Thaçi më 4 maj të vitit 2016.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat