Seanca e Kuvendit, përplasen Veseli me Sherifin dhe Haradinaj me Zemajn - Bota Sot
Seanca e Kuvendit, përplasen Veseli me Sherifin dhe Haradinaj me Zemajn

Aktuale

E shtunë, 22 shtator 2018

Seanca e Kuvendit, përplasen Veseli me Sherifin dhe Haradinaj me Zemajn

Më: 12 korrik 2018 Në ora: 10:18
Kuvendi i Kosovës

(E plotësuar) - Mos pjesëmarrja në votim e LDK-së dhe VV-së ka përplasur deputetët e këtyre partive me ata të pushtetit.

Deputeti Armend Zemaj theksoi se nuk marrin pjesë në votim, pasi është detyrë e pozitës që ta bëjë shumicën.

Zemaj: Nuk marrim pjesë në votim, bëjeni ju shumicën

“Mos pjesëmarrja e jonë në ligje të caktuara është votim kundër, dhe kjo duhet të evidentohet sepse është pjesë edhe e procesverbalit edhe e përditshmërisë. Ju mund të siguroni dhe jeni të detyruar ta keni shumicën. Nëse e keni shumicën atëherë votat tona janë minore në raport me atë që ju duhet ta keni të evidentuara në statistikat e votimit”, tha Zemaj.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i deputetit të AAK-së Daut Haradinaj, i cili tha se LDK dhe VV me mos votimin e këtij projektligji po ia lënë mundësinë që në Bruksel të vendoset për këtë çështje.

Haradinaj: VV dhe LDK po bëjnë aleanca të fshehta

“Unë e kuptoj që ka aleanca të brendshme mes serbëve dhe LDK-së. Por më çudit fakti që deputetët e LDK-së në komision kanë votuar për, dhe Lutfi Zharku, Besa Gaxherri kanë votuar për. Liburn Aliu e ka kryesuar këtë grup punues. Sa për informacion, dua t’iu them që ky ligj, Liburn nëse e kam gabim thuama, por ky ligj atakon mbi 73 për qind të qytetarëve të Kosovës dhe tash jemi duke folur për procedura. Por disa individ çuditërisht e vazhdojnë traditën e vjetër edhe shumë jam i lumtur që VV ka krijuar me LDK-në aleancë të fshehtë”, u shpreh Haradinaj.

Por kanë reaguar deputetët Liburn Aliu e Armend Zemaj.

Aliu: Listën Serbe e keni ju në koalicion

“Rëndësinë e ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje nuk kam pse e them, e thash më herët në emër të Komisionet. Vendimi për mos votim është veprim i yni politik që e arsyetoj shumë qartë Glauku. Ndërsa sa i përket Listës Serbe, atë e keni ju në Qeveri”, theksoi Aliu.

Ndërsa, deputeti Armend Zemaj theksoi se nuk po e kupton Haradinjan për çka është duke fol për çka i ka thënë se mos është duke parë ëndrra.

Zemaj: Ky zotëria paska parë ëndrra

“Ne nuk ishim duke e shqyrtuar përmbajtjen e amendamenteve, dhamë qëndrim politik, por ky zotëria qenka zgjuar jerm dhe nuk e diti as për çka jemi duke folur, as çka jemi duke paraqitur këtu. Po flet për disa aleanca, disa takime në Bruksel, sigurisht ka parë ndonjë ëndërr të keqe është mirë ta shpjegoj, por këtu jemi në Parlament”, shtoi Zemaj.

Haradinaj përsëri i replikoi Zemajt, duke i thënë se tashmë ka vdekur Jugosllavia.

Haradinaj: Ka vdekur Jugosllavia, zoti të lashtë shëndosh Armend

“LDK në komision ka qenë për, ka votuar për, Besa Gaxherri, Lutfi Zharku. Nëse ky zotëria në fjalë nuk është konsultuar me anëtarët e Komisionit dhe i vlerëson të parëndësishëm deputetët e vet unë nuk di qysh ka me i ditë ky. Por nuk me çudit fakti qysh ky nuk e din, unë e di vetëm një fakt, se janë të shqetësuar sepse po presin diçka tjetër, por ka vdekur Jugosllavia, zoti të lashtë shëndosh Armend”, tha Haradinaj.

VV dhe LDK koordinohen për të mos i votuar disa ligje

Seanca e Kuvendit të Kosovës ka nis me miratimin e disa projektligjeve nga seanca e kaluara, megjithatë Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, njoftuan se janë koordinuar që mos të votojnë disa projektligje.

Fillimisht janë miratuar projektligji për Efiçiencë të energjisë, projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Automjete dhe projektligji për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme për çështjet në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, por jo edhe projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Unionit "Konkurrenca e Ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme COSME) 2014-2020", për shkak të mungesës së kuorumit.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj ngriti mocion procedural për projektligjin për shërbime postare, ku pas votimit është shtyrë për seancë tjetër.

Ndërsa, shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca njoftoi se janë koordinuar edhe me Lidhjen Demokratike për mos votimin e projektligjit.

Konjufca: Duam t’i pamundësojmë këto ligje

“Ju po e vëreni që nga fillimi për shkak të pakënaqësisë tonë lidhur me shumë ligje dhe të cilat nuk duam të kalojnë në asnjë mënyrë për shkak se janë të ndërtuar dhe shkruara gabimisht, neve nuk po na mjafton me votu thjesht kundër, por po duam t’i pamundësojmë këto ligje dhe kemi një koordinim siç po shihet edhe me LDK-në dhe në këtë kuptim nuk mund të aplikoni kurrfarë taktike e cila i bën bisht mospjesëmarrjes tonë në këto ligje. Ne nuk po votojmë as për as kundër as abstenim, duhet ta llogariteni veprimin tonë si mospjesëmarrje në votim, kjo është mospjesëmarrje në votim e jo me thënë kush nuk po e qon dorën është për sepse është manipulim”, tha ai.

Kurse, kryesuesi i seancës, Kadri Veseli, e falënderoi qëndrimin por tha se të gjitha projektligjet kaluan.

Veseli: Të gjitha projektligjet kaluan

“Qëndrimet politike janë politike të cilat unë nuk ndërhyjë. Ajo që është një situatë në këtë seancë është se të gjitha projektligjet kaluan, me përjashtim të projektligjit dy të tretat. Faleminderit që e bëre publik qëndrimin, të gjithë projektligjet sot kaluan, nuk kalojë dy të tretat  “, tha ai.

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj tha se për çdo prolektligj ata japin me votë.

Zemaj: Jeni të detyruar ta keni shumicën

“Mospjesëmarrja jonë në ligje të caktuara është votim kundër dhe kjo duhet të evidentohet në procesverbal. Ju mund të siguroni dhe jeni të detyruar ta keni shumicën dhe nëse e keni shumicën, atëherë edhe vota jonë është minore në raport me atë që ju duhet ta keni”, tha ai.

Kurse, Veseli i tha se po respekton rregulloren më shumë se sa duhet.

Sherifi: Siç kemi nisur shumë shpejt do t’ju kalojmë me deputetë

Bilall Sherifi nga Nisma për Kosovën kanë pasur një polemikë të butë me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës dhe kryetarin e Parlamentit, Kadri Veseli, gjatë seancës së sotme.

Para se t’ia japë fjalën Veseli deputetit Sherifi ia i tha se “kam menduar se veç e keni kaluar Listën Serbe me deputetë”, duke qeshur.

Njëjtë, duke qeshur, ia kthej Sherifi, duke i thënë se “ashtu siç kemi nisur shumë shpejt do t’ju kalojmë edhe juve”.

Kuvendi miraton ‘gjykatën’ e AKP-së

Kuvendi i Kosovës ka nisur seancën me votimin e projektligjeve nga seancat e kaluara, ku ndër të tjera është votuar edhe projektligji për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme për çështjet në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit.

Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Unionit "Konkurrenca e Ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme COSME) 2014-2020",  është tërhequr për shkak të mungesës së korumit.

Ndërsa, projektligji për Efiçiencë të energjisë dhe projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Automjete, kanë  kaluar në Kuvend.

Kuvendi shqyrton pikat e pa përfunduara nga seancat (Drejtpërdrejt)

Kuvendi i Kosovës sot mban seancën plenare, ku do të shqyrtohen pikat e pa përfunduara të seancave të 8, 14, 19, 28 qershor dhe të 5, 6 dhe 9 korrikut.

Po ashtu, pas përfundimit të pakave të seancave të kaluara, do të fillojë seanca e re, ku në rend dite janë 10 pika.

Rendi i ditës:

I. Pikat e papërfunduara nga seancat plenare të mbajtura më 8, 14, 19, 28 qershor dhe më 5, 6 dhe 9 korrik 2018:

1. Votimi i Projektligjit nr. 06/L-080 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Unionit "Konkurrenca e Ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme COSME) 2014-2020",

2. Votimi në parim i Projektligjit për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme për çështjet në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit,

3. Votimi në parim i Projektligjit për aktet juridike,

4. Votimi në parim i Projektligjit nr. 06/L-079 për Efiçiencë të energjisë,

5. Votimi në parim i Projektligjit nr. 06/L-064 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 05/L-132 për Automjete,

6. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për miniera dhe minerale,

7. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për shërbime postare,

8. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për masat mbrojtëse në importe,

9. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit Nr. 06/L-024 për trajtimin e ndërtimeve pa leje,

10. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.06/L-048 për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës,

11. Votimi i Raportit vjetor financiar për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2017,

12. Votimi i Raportit vjetor të Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës për vitin 2017,

13. Votimi i Raportit vjetor të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore për vitin 2017,

14. Votimi i Raportit vjetor të Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale për vitin 2017,

15. Votimi i Raportit vjetor të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, për vitin 2017,

16. Votimi i Raportit vjetor të Komisionit të Pavarur për miniera dhe minerale për vitin 2017,

17. Votimi i Propozim-rezolutës nga debati parlamentar në lidhje me Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve 2019-2021,

18. Votimi i Propozim-rezolutës nga Interpelanca e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Ramush Haradinaj, në lidhje me situatën dhe gjendjen financiare në ndërmarrjet publike të Telekomit dhe të Postës së Kosovës,

19. Votimi i Propozim-rezolutës nga Interpelanca e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Ramush Haradinaj, në lidhje me vendimet e Ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, z. Nenad Rikallo për shkarkimin e një drejtori dhe ndarjen e mjeteve grante dhe subvencione,

20. Votimi i Propozim-rezolutës nga Interpelanca e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Ramush Haradinaj, sipas kërkesës së GP-të Lëvizjes Vetëvendosje dhe GP të LDK-së, në lidhje me vendimin e Qeverisë Nr.01/50 të datës 05.06.2018 për pagesën e 53 milionë eurove shtesë për kompaninë Bechtel & Enka në Kontratën për ndërtimin e Autostradës R6, "Arbën Xhaferi" Prishtinë-Hani i Elezit,

21. Shqyrtimi i kërkesave të Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me shpenzimet për lobim nga ana e Presidencës dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për miratimin e buxhetit, si dhe për zgjatjen e mandatit (afatit) të këtij Komisioni,

22. Formimi i Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës,

23. Propozimi i Grupit Parlamentar të AAK-së për zëvendësimin e anëtarëve në komisionet parlamentare dhe

24. Zgjedhja e një (1) anëtari të Komisionit të Pavarur për Media.

II. Pikat për seancën e re plenare:

1. Koha për deklarime jashtë rendit të ditës,

2. Koha për pyetje parlamentare,

3. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 06/L-087 për kompetencat e zgjeruara për konfiskimin  e pasurisë,

4. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 06/L-085 për mbrojtjen e sinjalizuesve,

5. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 06/L-077 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.  2004/32 për Familjen i Kosovës,

6. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 06/L-081 për qasje në dokumentet publike,

7. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 06/L-046 për Inspektoratin e Arsimit në Republikën e  Kosovës,

8. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 06/L-042 për gjak dhe përbërës të gjakut,

9. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 06/ L-009 për Ndërmjetësim dhe

10. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 06/ L-010 për Noterinë.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test