Ambasadorja kroate: Arritja e Kroacisë, porosi edhe për Kosovën

Aktuale

Ambasadorja kroate: Arritja e Kroacisë, porosi edhe për Kosovën

Më: 12 korrik 2018 Në ora: 19:59
Marija Kapitanoviq

Amabsadorja e Kroacisë në Kosovë, Marija Kapitanoviq, e ka quajtur shumë të gëzueshëm kualifikimin e Kroacisë për herë të parë në finalen e Kupës së Botës në futboll, dhe tha se kjo mund të shërbejë edhe si mesazh për kosovarët që po ashtu mund të arrijnë shumë pavarësisht madhësisë së vendit të tyre.

“Është i pabesueshëm rezultati për Kroacinë”, tha Kapitanoviq në Info Magazine, duke shtuar se ata tradicionalisht e kanë zhvilluar dhe dashur këtë sport.

“Por natyrisht, Kupa e Botës është diçka tjetër, është garë botërore. Sa i përket madhësisë së Kroacisë, vetëm katër milionë banorë – është një e arritur e jashtëzakonshme”.

“E kemi një ekip të futbollistëve me përvojë. E kanë jo vetëm përvojën profesionale por edhe mendore, sepse kanë marrë pjesë në Ligën e Kampionëve. Është edhe një përgatitje mendore për turnetë dhe kampionatet e mëdha”.

Sipas Kapitanoviqit, ajo që mund t’i ketë motivuar dhe forcuar edhe më shumë lojtarët kroatë drejt rrugës për në finale, ka qenë edhe fakti që luajnë jashtë Kroacisë, ndërkaq shtoi se suksesi i kombëtares së saj mund të jetë edhe porosi për Kosovën.

“Në anën tjetër, diçka që iu jep forcë shtesë është fakti që jetojnë jashtë vendit dhe luajnë për ekipe ndërkombëtare, por po luajnë për vendin e tyre. Dhe tash, kjo iu jep edhe fuqi shtesë”.

“Është gëzim i madh, shkurt është gëzim i madh për Kroacinë dhe të gjithë qytetarët e Kroacisë”.

“Kjo në një mënyrë është edhe porosi për vendin tuaj; se si një vend i vogël mund të arrijë shumë kur varet në vetveten, në punën e mundimshme, në punën ekipore dhe në emocionet pozitive.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat