LDK lëshon seancën, Kurti: Kot e rritni numrin e frikacakëve

Aktuale

LDK lëshon seancën, Kurti: Kot e rritni numrin e frikacakëve

Më: 13 korrik 2018 Në ora: 10:29

(E plotësuar) - Kuvendi i Kosovës ka shqyrtuar Projektligjin për mbrojtjen e sinjalizuesve. Ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri tha se ky projektligj sjellë në një dimension të ri përkushtimin e institucioneve, për të siguruar shërbime të mirëfillta ndaj qytetarëve dhe se dërgon një mesazh unik.

Tahiri: Duhen sinjalizues dhe në kompanitë private

“Ne kemi parë dukuri negative kohëve të fundit ,që kanë ndodhur edhe nga kompanitë private siç e kemi pasur rastin e  mishit të prishur apo barnave të dala afati, të cilat janë nëpër depot e kompanive private dhe nuk janë sinjalizu nga askush. Duhet të kemi njerëz të ndërgjegjshëm, që t’i sinjalizojnë dhe dukuri tilla negative, që ndodhin brenda bizneseve ku ata punojnë”, tha Tahiri.

Por ishte deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje Fitore Pacolli, e cila tha se  është vet ministri i Drejtësisë, i cili ka kërkuar nga disa ekspertë evropianë , emrat e disa punonjësve në institucionet e drejtësisë, të cilët ishin intervistuar nga ekspertët në fjalë, e  të cilët kanë thënë se sistemi është i korruptuar. .

Pacolli: Kjo bie në kundërshtim me atë çka po diskutojmë sot

 “T’i drejtohesh ekspertëve evropianë me këto kërkesa, që ata të japin emrat e personave se kë kanë intervistuar, ministri në njëfarë mënyre u ka thënë me jep emrat ta dij se kush ka thënë që sistemi është i korruptuar. Pastaj ne merremi me ta. Kjo bie në kundërshtim me atë çfarë po diskutojmë sot pra me ligjin e sinjalizuesve dhe kjo është tepër shqetësuese. Punëtorët duhet të mbrohen edhe nëse japin intervista për institucione të BE edhe për ekspert të pavarur evropian të cilët vijnë këtu që ta vlerësojnë dhe analizojnë gjendjen”, tha Pacolli.

Ministri Tahiri tha se nuk janë pajtuar me raportin e ekspertëve të BE-së, të cilët vetëm tri ditë kanë qëndruar në Kosovë.

Tahiri: Ata ekspertë e kanë bërë namin për tri ditë

 “Sa i përket raportit të cilit po i referoheni vazhdimisht, të atyre tre ekspertëve që për tri ditë e kanë bërë namin në republikën e Kosovës, ne kemi kërkuar nga KE që të jetë një delagacion që ta vizitoj republikën e Kosovës  nga BE,  t’i ballafaqojnë argumentet  me Këshillin gjyqësor, Prokurorial, me Ministrinë e drejtësisë me zyrën e kryeprokurorit të shtetit dhe Gjykatën Supreme. Kjo për dijeninë tuja ka ndodhur para një muajve, që janë trajtu ne i kemi ofruar argumentet tona që qëndrojnë ndryshe dhe kjo për dijenin tuaj kanë ndodhur para një muajve. Para një muaji ne kemi pasur një vizitë nga BE për ato që ne nuk jemi pajtuar me raportin e  atyre eksperteve që 3 ditë kanë qëndruar  me argumente dhe fakte para një muajve kemi pasur një vizitë nga një delegacion i BE-së ku ka pasur takim dhe me mua si ministër i drejtësisë dhe me institucionet të cila i përmenda, për ato që ne nuk jemi pajtuar me raportin e këtyre eksperteve që 3 ditë kanë qëndruar në republikën e Kosovës”, tha Tahiri.

Projektligji për Konfiskimin e Pasurisë nuk miratohet, sërish s’ka kuorum

Pas një debati për më shumë se 3 orësh, ka përfunduar shqyrtimi i parë Projektligji për kompetencat e zgjeruara për konfiskimin e pasurisë.

Ndonëse përfunduan të gjitha diskutimet, Kuvendi i Kosovës nuk arriti të hedhë në votim këtë projektligj për shkak të mungesës së korumit të duhur.

Si rezultat i kësaj, Kuvendi shkon në pauzë  për tu kthyer më pastaj për të vazhduar me shqyrtimet e para të projektligje e të mbetura.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, teksa prezantoi projektligjin tha se është një ndër projektligjet më të rëndësishme sa i përket luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Projektligji është hartuar në konsultime të gjera ne shoqërinë civile.. projektligji ka sjellë risi të mëdha, e para, vepra penale, me të cilën vlen konfiskimi i pasurisë është rritur dukshëm. E dyta, konfiskimi është zgjeruar në konfiskimin e çdo pasurie në 10 vitet e fundit. Barra e provës në këtë projektligj kalon nga prokurori tek i dyshuari”.

Në emër të komisionit funksional, u deklarua nënkryetari i Komisionit për Legjislacion, Hajdar Beqa.

“Komisioni për legjislacion para shqyrtimit të parë të projektligjit e shqyrtoi në parim projektligjin për kompetencat e zgjeruara për konfiskimin e pasurisë dhe konstatoi se projektligjit është në pajtim. Andaj i sugjerojmë kuvendit që të miratoj”.

Beqa foli edhe në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së.

“Edhe grupi parlamentar i PDK e ka shqyrtuar projektligjin është një projektligj i mirë .. ne si GP e kemi analizu kontributin tonë do ta japim në mes të dy leximeve përmes amendamenteve dhe me kohë do të ia drejtojmë grupit punues”.

 Galuk Konjufca në emër të grupit parlamentar të LVV kritikoi projektligjin e prezantuar nga ministri Tahiri. Ai tha se projektligji i proceduar në kuvend nuk ka kurrfarë ndryshimi efikas.

“Efektiviteti i konfiskimit në Kosovë është më pak se 10 përqind që është e tmerrshme si statistikë. Në Kosovë nuk ka as vullnet, as nuk ka kapacitete për identifikimin e pasurisë dhe aseteve të përfituara në mënyrë të paligjshme. Ligji i Kosovës për konfiskimin e pasurisë ka qenë jo adekuat, por absolutisht ky ligj nuk sjellë kurrfarë ndryshimi kualitativ, sa i përket qasjes në luftimin e krimit të organizuar. Çështja e barrës së provës është hajgare ky është rishkrim”.

“Me këtë ligjin e dobët që e ke pru prapë ke bo që prokurori me dal me i lyp faturat. Pra krejt çka është kërku dhe vazhdimisht është konsideru thembra e akilit brenda sistemit tonë të drejtësisë… e keni zhvendos komplet në politikë do me thanë prokurori është krejt i varur me policinë”, tha Konjufca.

Kësaj deklarate iu kundërpërgjigj, Tahiri. Ai tha se ndryshimet janë drastike në krahasim me ligjin që është në fuqi. Tahiri, madje, ftoi Konjufcën që ta lexojë projektligjin.

“Tash me projektligjin e pasurisë fillon prej ditës kur fillon hetimi pa u ngrit aktakuza e dyta vazhdon pas ngritjes së aktakuzës. I kemi palët e treta që nuk i kemi pas ma herët përndryshe edhe pasuria e palëve të treta do të konfiskohet ndryshimet janë drastike. Do ta kemi një prokurorë shumë më të fuqishëm dhe barra e provës është proporcional kalon nga prokurori tek i dyshuari”, theksoi Tahiri.

Kurti: Kryeprokurori këngëtar por nuk këndon

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka deklaruar se korrupsioni në Kosovë nuk është kulturë por është sistem, pasi është i madh në nivelet e larta.

Kurti tha se nuk mendon që korrupsioni në Kosovë është kulturë e shoqërisë, pasi raportet e ndryshe kanë dëshmuar se vetëm 10 përqind e qytetarëve paguajnë për shërbimet që iu bëhen.

Kurti: Korrupsioni në Kosovë nuk është kulturë por është sistem

“Korrupsioni në Kosovë nuk është kulturë por është sistem, korrupsioni është i madh jo për shkak se është i përhapur por për shkak se është i lart në nivelet e larta dhe kjo është në përputhje me bindjen time që në Kosovë nuk kemi shumë hajni e vjedhje por kemi shumë plaçkitje e zhvatje se hajnia dhe vjedhja bëhet disi tinëz nga njerëzit e rëndomtë, ndërkaq plaçkitjet, madje plaçkitjet e armatosura sepse sistemi është armë, janë bërë nga njerëzit në sistem”, ka thënë ai.

Kurti shtoi se kryeprokurori Aleksander Lumezi më tepër i frikësohet ministrit të Drejtësisë, Abelar Tahiri, se sa ministri kryeporkurorit.

Kurti: Kryeprokurori është këngëtar por nuk këndon

“Ne kemi nevojë që ministrat t’i frikësohet kryeprokurorit e jo anasjelltas, ne kemi nevojë që presidenti, kryeparlamentari, kryeministri t’i frikësohet kryeprokurorit dhe anasjelltas por ne e dimë shumë mirë se çfarë kryeprokurori kemi, ai është këngëtar por nuk këndon sepse është kryeprokuror pa aktakuza, kryeprokuror pa kryeaktakuza. Përderisa kemi avokat që janë shumë më të famshëm se sa prokuroret ky vend nuk i ka punët mirë. Ne duhet ta çlirojmë sistemin e drejtësisë nga ekzekutivi, e kjo s’po duket ndryshe e mundshme përveç se duke e ndërruar ekzekutivin dhe asisojë të kemi prokuror dhe gjykatës që ta luftojnë krimin dhe korrupsionin”, tha ai.

Kurse, ministri Tahiri tha se do t’i rrisin kapacitetet dhe ndryshimet që janë bërë dhe që do të bëhen në legjislacion do ta fuqizojnë prokurorin.

Ai madje i ka quajtur prokurorët frikacak.

Kurti: Kot e rritni numrin e frikacakëve

“Kot e rritni numrin e frikacakëve, 4 frikacak, 5 frikacak, 10 frikacak nuk e bëjnë një trim, ju po e rritni numrin e prokurorëve dhe gjykatësve pa i ndërruar koordinatat që i fuqizojnë dhe trimërojnë prokurorët dhe gjykatësit, më mirë dy prokurorë e trima se 20 prokurorë e frikacak“, tha ai.

Debati ende po vazhdon.

Veseli: Nga sociali bëhet milioner

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka deklaruar se kanë iniciuar ndryshimet e ligjit për konfiskimin e pasurisë për të dërguar mesazh që kushdo që ka ngrit pasuri në mënyrë të paligjshme, do t’i konfiskohet.

Ai në seancën e sotme të Kuvendit ku po diskutohet projektligji për kompetencat e zgjeruara për konfiskimin e pasurisë, ka thënë se krimi nuk duhet të ketë petk për askënd.

Veseli: Kush është i inkriminuar le ta paguan çmimin

“Kush është i inkriminuar le ta paguan çmimin, nuk ka nevojë as Vetëvendosje me pësuar për një individë, as PDK-ja për një individë dhe as LDK-ja për një individë, asnjë parti. Sistemi i drejtësisë është duke pësuar reforma dhe në të njëjtën kohë askush nuk na ka imponuar, ne e kemi iniciuar këtë për të dërguar mesazh që kushdo që ka ngrit pasuri, po le të jetë 20 vjet, le të jetë 50 vjet, do t’i merret“, ka thënë ai.

Veseli ka paralajmëruar edhe iniciativa tjera.

Image
Kadri Veseli

Veseli: Nga sociali bëhet milionerë

“Do të shkojmë do ta bëjmë këtë, kemi pas raste, ka njerëz që rrinë në social  dhe për një vit veç kur ta shohim bëhet milionerë, veç thotë unë nuk kam kërkuar jam milioner. Hajde ta bëjmë deklarimin e pasurisë të çdo qytetari të Kosovës siç bëhet në vendet perëndimore“, ka thënë ai.

Veseli u ndal edhe te Vetingu.

Veseli: Nga vjeshta shkojmë edhe te Vetingu

“Në të njëjtën kohë hajde shkojmë edhe te Vetingu, shkojmë gradualisht nga vjeshta shkojmë edhe te Vetingu, në një farë forme e ndërtojmë një situatë e cila nuk është vetëm një status teknik në Bashkimin Evropian, por ka të bëjë me cilësinë e jetës tonë dhe fëmijëve tonë, atë çka i lëmë trashëgimi, t’i ndalim manipulimet, t’i ndalim keqpërdorimet dhe ti sanksionojmë kush ka faj, nuk kemi nevojë t’ia bëjmë, me sha, me fy njëri- tjetrin  nga nervozizmi, shkojmë gradualisht, ligji është mbi të gjitha“, tha Veseli.

Ai shtoi se leximi i dytë është më datë 2 gusht dhe çdokush që ka propozime t’i jap, por i ftojë të gjithë deputetët që të bashkohen për t’i dërguar në burg të gjithë fajtorët.

Tahiri: Hetimi i pasurisë nis ende pa u ngritur aktakuza

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, duke prezantuar para deputetëve i projektligjin për kompetencat e zgjeruara për konfiskimin e pasurisë, ka thënë se në projektligjin e ri veprat penale janë shtuar dukshëm.

Tahiri tha se ky projektligj avancon politikën shtetërore për konfiskimin e pasurisë në mënyrë të paligjshme.

Tahiri: U shtua lista për veprat penale

“Projektligji i ri ka sjellë disa risi të mëdha, të cilat do t’i përmendi shkurtimisht e para veprat penale janë shtuar dukshëm. Në këtë projektligj renditja e veprave penale ku parashihet konfiskimi i pasurisë janë, veprat penale të krimit të organizuar, veprat penale të korrupsionit, veprat penale që lidhen me keqpërdorimin e detyrës zyrtare, veprat penale kundër shëndetit publik, veprat penale trafikimit të qenieve njerëzore, veprat penale lidhur me konfliktet të armatosura jashtë territorit të vendit, veprat penale të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, veprat penale që lidhen me substancat narkotike dhe armët, veprat penale me kibernetike ,ato kundër ekonomisë së vendit, kundër pronës dhe kundër ambientit, pra kemi një listë më të gjërë të veprave penale për të cilat institucionet e sistemit të drejtësisë do të mund të ushtrojnë  procedurën e konfiskimit. Konfiskimi është zgjeruar në kuptim in e konfiskimit të çdo pasurie të përfituar me vepër penale në dhjetë vitet e fundit, nga momenti i nisjes së hetimit për një vepër penale“, tha ai.

Kurse, shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, për shkak të sistemit të dobët të drejtësisë, qytetarët kanë parë personat që brenda kohe të shkurtër të bëjnë pasuri dhe se në Kosovë nuk konfiskohet pasuria në mënyrë të paligjshme.

Projektligji është përkrahur nga komisionit për legjislacion dhe grupi parlamentar të PDK-së.

Një ditë pas takimit Haradinaj – Radojçiq, Lista Srpska kthehet në ulëset e mëparshme

 

Takimi i Kryeministrit Ramush Haradinaj me kryetarin e Listës Srpska, Goran Rakiq, dhe nënkryetarin e kësaj partie, mikun e kryeministrit, Milan Radojciq, duket të ketë qenë e frytshëm. Një ditë pas, në seancën e sotme, deputetët e Listës Srpska janë kthyer në ulëset e tyre kah koalicionin Qeverisës.

Me arrestimin e drejtorit të ashtuquajturës Zyrës për Kosovë, Marko Gjuriqit, në Veri, Lista Srpska deklaroi se po e lëshonte Qeverinë. Nuk i lanë ministritë, por për disa muaj në Kuvend u ulën kah opozita.

Sot shefi i GP të Listës Serbe, Sasha Milosavljeviq dhe nënkryetari i Kuvnedit, Slavko Simiq u panë të ulur bashkë me deputetët e Nismës, AAK’së dhe PDK’së.

Kjo lëvizje e tyre erdhi një ditë pas Kryeministri Haradinaj priti në zyrën e tij, Rakiqin dhe biznesmenin nga Veriu, Radojciq, që tash është zgjedhur nënkryetar i partisë. 

***

Kuvendi i Kosovës po vazhdon edhe sot me seancën plenare, ku deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë lëshuar sallën me arsyetimin se koalicioni duhet të ketë 61 deputet. Kjo u cilësuar nga pozita si turp, duke thënë se ata ishin vetëm shtatë deputet.

Derisa pritej të bëhet shqyrtimi i parë i Projektligjit për kompetencat e zgjeruara për konfiskimin e pasurisë, deputeti i LDK-së, Armend Zemaj dha një ultimatum për pozitën.    

Zemaj: Bëjeni kuorumin dhe do të marrim pjesë në vazhdimin e seancës

“Nuk mund të vazhdojmë pa miratuar rendi i ditës, e dita në emër të grupit parlamentar të LDK-së, nëse nuk arrini t’i keni 61 deputet prezent të koalicionit, ne do t’iu presim 30 minuta, bëjeni kuorumin dhe do të marrim pjesë në vazhdimin e seancës”, tha ai.

Më pas deputetët e LDK-së, lëshuan seancën.

Kurse, shefi i grupit të PDK-së, Memli Krasniqi, tha se kjo që po bën LDK është denigrimi i radhës që ata e bëjnë në Kuvendin e Kosovës.

Krasniqi: Vinë këtu për të bërë shantazhe dhe kushte

“Janë shtatë deputet prej 27, se thirren në ata 27 sikur të ishin 120. Shtatë deputet i kanë në sallë, të shtatit e kanë nënshkruar listën e prezencës për ta marrë mëditjen, vinë këtu, rrinë dy minuta dhe bëjnë hajgare duke shantazhuar silleni 61 deputet. Le ta dinë qytetarët e Kosovës se kjo është më shumë, prej 27 kanë qenë 7 dhe ata vinë këtu për të qitë shantazhe dhe kushte a“, tha ai.

Edhe Ahmet Isufi në emër të AAK-së, tha se largimi i deputetëve të LDK-së, është një gjest i turpshëm.

Isufi: Është bërë për ta bllokuar Kuvendin

“Nuk ka nevojë të bëjnë vlerësime të tilla çfarë ishte fjala e grupit parlamentar të LDK-së, por as 7 deputet nuk ishin në sallë për të treguar se ata janë. Kjo qëllimisht është bërë për ta bllokuar Kuvendin...........nuk bllokohet Kuvendi“, tha ai.

Shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, tha se bojkoti i Kuvendit është strategji shumë legjitime.

Konjufca: Koordinimi i opozitës do të ishte më i mirë

“Për opozitën në përgjithësi do të ishte shumë më e kujdesshme një koordinim, qoftë edhe kur e bojkotojmë seancën në mënyrë që ta ketë efektin e vet”, tha Konjufca.

Ndërsa, deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa i tha Glauk Konjufcës se le ta kontrollon edhe kryetarin e Vetëvendosjes, Albin Kurtin.

Beqa: Kurti nënshkruajti për mëditje dhe shkoj në shtëpi

“Me analizu edhe kryetarin tënd a po ka kohë për të qëndruar këtu, apo veç po vjen me nënshkruar këtu si sot, me marrë mëditjen dhe me shkuar në shtëpi“, tha ai.

Sërish ka reaguar Konjufca, duke i thënë Beqës se ai është shërbëtor në Kuvend.

Konjufca: Beqaj është shërbëtor

“Është një mentaliteti interesant këtu edhe prej zyrtarëve të Qeverisë edhe prej shërbëtorëve siç është Hajdar Beqaj këtu“, tha ai.

Enver Hoti nga nisma Social demokrate, tha se kjo është një shembull që deputetët e pozitës duhet të jenë më të përgjegjshëm për të marrë pjesë në seanca, por gjithashtu edhe opozita, sidomos LDK-ja po del jashtë rrugëtimit të vet, pasi sot kishte edhe projektligje që kanë të bëjnë me integrimet evropiane.

LDK braktis seancën

Kuvendi i Kosovës po mban vazhdimin e seancës e cila u ndërpre dje.

Pika e parë e vazhdimit të seancës është shqyrtimi i parë i Projektligjit për kompetencat e zgjeruara për konfiskimin e pasurisë,.

Por Grupi Parlamentar i LDK-së njoftoi se ata nuk do të rrijnë në seancë pa u miratuar rendi i ditës dhe pa u bërë kourumi.

Armend Zemaj tha se  do t’i  presin 30 minuta, ta bëjnë  kuorumin  dhe tek atëherë do të marrin pjesë në seancë.

Vazhdon seanca e Kuvendit (Drejtpërdrejt)

Kuvendi i Kosovës po vazhdon edhe sot me seancën plenare, ku do të bëhet shqyrtimi i parë i Projektligjit për kompetencat e zgjeruara për konfiskimin e pasurisë.

Janë tetë pika të rendit të ditës, të cilat do të shqyrtohen në këtë seancë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat