Ministri Tahiri për dialogun: Pres konstruktivitet prej LDK-së, jo Vetëvendosjes

Aktuale

Ministri Tahiri për dialogun: Pres konstruktivitet prej LDK-së, jo Vetëvendosjes

Më: 13 korrik 2018 Në ora: 19:20
Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri

Gjatë ditës në media është publikuar një draft-dokument për fazën finale të dialogut me Serbinë që u tha se është produkt i takimit mes presidentit të vendit dhe liderëve të partive të koalicionit qeverisës që u mbajt pasditen e sotme.

Por, Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, nuk e ka konfirmuar ose mohuar ekzistencën e këtij dokumenti por ka thënë se kohët e fundit ka shumë më shumë zhvillime sa i përket këtij procesi.

“Pa dyshim që gjatë kësaj periudhe të fundit kemi parë një intensifikim më të madh sidomos nga presidenti dhe partnerët e koalicionit që të kemi një përgatitje dhe të jemi më të konsoliduar rreth fazës finale të dialogut me Serbinë”.

“Jemi në fazën e përgatitjes dhe mund të ekzistojnë edhe dokumente të tilla që pjesërisht mund të dalin në media”.

Tahiri në Info Magazine ka thënë se Kosova është vonuar për përmbylljen e këtij procesi dhe për këtë gjë, ka fajësuar opozitën.

“Si shtet, si klasë politike, jemi vonë për këtë proces. Jemi vonë si rezultat i mospajtimit që vjen më shumë nga opozita që nuk jep asnjë mundësi tjetër, thjesht është kundërshtuese – kundërshton çdo iniciativë që del nga koalicioni qeverisës”.

“Koalicioni qeveritar ka qenë mjaft korrekt dhe konkret me ofertën që i ka bërë opozitës që të ulemi dhe të bisedojmë, qoftë në Kuvend ose takime të tjera dhe të diskutojmë që të kemi një qëndrim të përbashkët sepse po flasim për agjendë nacionale, të ardhmen e vendit, për anëtarësimin e mundshëm të Kosovësnë OKB, për një marrëveshje me Serbinë që vërtetë do t’i hapte rrugë Kosovës për anëtarësim në OKB që pastaj nuk do të ballafaqohemi me problemet që kemi tash e 10 vjet”.

“Besoj se edhe zyra e Presidentit edhe partnerët e koalicionit tashmë kanë vizionin dhe qasjen e tyre në raport se si duhet të vijojë dialogu. Besoj fuqishëm që janë diskutuar dokumente dhe platforma të ndryshme”.

Ai ka thënë po ashtu se ky proces duhet të marrë mbështetjen e 80 deputetëve të Kuvendit të Kosovës, por që nuk pret se këtë gjë do ta bëjë edhe opozita, pos LDK-së.

“Në parim mendoj që ky proces duhet ta ketë mbështetjen e 2/3 në Kuvendin e Kosovës sepse ajo marrëveshje, çfarë do që të jetë, do të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës dhe për këtë arsye mendoj se duhet pa diskutim një koordinim mes pozitës dhe opozitës”.

“Pozita nuk i ka 2/3 e votave në Kuvendin e Kosovës”.

“Padyshim që presim konstruktivitet nga një pjesë e opozitës, në këtë rast nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Nuk pres konstruktivitet nga Lëvizja Vetëvendosje që asnjëherë nuk ka qenë pjesë e asnjë procesi të rëndësishëm për Republikën e Kosovës përfshirë negociatat në Vjenë, shpalljen e Pavarësisë, si dhe dialogu në Bruksel”.

“Gjithmonë kanë kundërshtuar dhe nuk kemi gjetur asnjëherë gjuhë të përbashkët. Edhe sot nuk pres që të jenë pjesë e asnjë ndonjë ekipi negociator dhe nuk pres as që të japin kontribut”.

“Këta nuk japin kontribut, nuk japin zgjidhje për çështje të tilla. Gjithmonë kanë qenë skeptikë por historia gjithmonë ka treguar të kundërtën e asaj që këta kanë proklamuar”.

“Më kujtohet viti 2012 kur po kjo parti politike nuk ka votuar pakon e ligjeve që përmbyllte Pavarësinë e mbikëqyrur të Kosovës”.

“Pavarësisht agjendës dhe se a është diçka pozitive për Kosovën, këta gjithmonë kanë qenë kundërshtues dhe besoj se do të jenë prapë”.

“LDK, edhe para shpalljes dhe pas shpalljes së Pavarësisë ka pasë konstruktivitet”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat