DS kërkon ndalimin e fishekzjarrëve brenda kampusit të UP-së

Aktuale

DS kërkon ndalimin e fishekzjarrëve brenda kampusit të UP-së

Më: 14 korrik 2018 Në ora: 18:17
Foto ilustrim

Organizata Demokracia Studentore (DS) nëpërmjet një komunikate ka kërkuar nga rektorati i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” t’ia ndalojë “ProCredit Bank” manifestimin jubilar dhe hedhjen e fishekzjarrëve brenda kampusit të UP-së.

Kjo organizatë Studentore ka fajësuar rektorin Marian Demaj, i cili për disa vjet me radhë po ia lejon kësaj banke realizimin e këtij manifestimi në mënyrë jo ligjore, sepse për një aktivitet të tillë kërkohej një leje e veçantë.

“Kërkojmë urgjentisht të ndalohet manifestimi me fishekzjarrë brenda kampusit të Universitetit të Prishtinës, manifestim ky i cili bëhet nga ‘Pro Credit Bank’ dhe jo nga studentët e këtij universiteti. Fajtori kryesor për këtë rast është pikërisht rektori i UP-së Marjan Dema, që po lejon këtë, i cili duhet të ketë përgjegjësi për raste të tilla. Ne nuk lejojmë që hapësirat e kampusit të Universitet të Prishtinës të përdoren për qëllime të tjera, përveç atyre që kanë të bëjnë me studentë”, thuhet në komunikatën e Demokracisë Studentore.

Mexhid Ramusa nga Demokracia Studentore, ka thënë se konform rregullave të universitetit, nuk lejohet të bëhen organizime që nuk kanë të bëjnë me universitetin, studentët apo të ngjashme, dhe pikërisht për këtë duhet të mbajë përgjegjësi rektori Dema që po lejon diçka të tillë.

Ai ka akuzuar rektorin, që sipas tij vazhdimisht po bën shkelje të statutit të UP-së, derisa po e lejon “ProCredit Bank” të realizojë planet e saj pa ndonjë leje përkatëse.

“Kërkojmë urgjentisht të ndalohet ky manifestim që është planifikuar brenda hapësirave të Universitetit të Prishtinës dhe të ndërrojnë destinacion, pra nëse realizohet ky manifestim nga kompanitë private, atëherë po i humb vlera fare këtij universiteti dhe ne do të merremi edhe më tutje me këtë rast, deri sa manifestime të tilla nuk do të lejohen më”, ka thënë Rmusa.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat