Vrasësi i vëllait jetonte në Francë, ishte i dënuar me 13 vjet për një vrasje tjetër

Aktuale

Vrasësi i vëllait jetonte në Francë, ishte i dënuar me 13 vjet për një vrasje tjetër

Më: 15 korrik 2018 Në ora: 16:31
E pamja pas vrasjes së Mali Gashit

Kishte disa ditë që ka ardhur në Kosovë për pushime. Por kosovari nga Franca 58 vjeç, që kishte pasaportë zvicerane, të shtunën vrau vëllain e tij, 4 vjet më të vogël me moshë, Mali Gashin. Arsyeja e vrasjes sipas familjarëve dyshohet që ka të bëjë për një tokë. I dyshuari për vrasjen e vëllait, sipas bashkëfshatarëve kohë më parë kishte vuajtur 13 vite burg për vrasjen e një fqinji. Prokuroria bashkë me policinë për këtë punë po i vazhdojnë hetimet. I dyshuari gjendet në arrati.

Kanë hapur të pamën për familjarin e tyre, Mali Gashin 54 vjeç, i cili dje u vra me armë zjarri në mes të ditës nga vëllai i tij i cili kishte ardhur nga Franca për pushime në Kosovë.  Arsyet e këtij krimi të rëndë sipas familjarëve të viktimës dyshohet të jenë disa mosmarrëveshje për një tokë.

Express, të dielën ka qëndruar në familjen e viktimës, mirëpo ata nuk kanë dashur që të deklarohen për mediat për shkak të gjendjes së tyre të rëndë emocionale. Thonë se problemet për tokën kishin qenë të kamotshme.

“Nuk mund të flasim. Nuk e dimë se si ndodhi. Për tokë janë vra”, thonë disa nga kushërinjtë e viktimës duke mos dashur që të japin detaje.

E pas vrasjes së valluat, i dyshuari ka ikur nga vendi i ngjarjes me një veturë me targa të Francës. Familja thonë se nuk e din se ku është ai.

Ndërkohë , fqinjët e viktimës thonë se i dyshuari që e vrau vëllain kohë më parë e kishte vrarë edhe një fqinjë të tijin. Madje për këtë punë kishte vuajtur edhe 13 vite burgim
“S’e dimë se si ndodhi. Vetëm kur i kemi parë personat që u mblodhën rreth shtëpisë së tyre Për një tokë rreth autostradës patën pas probleme. Ky që e vrau vëllain e ka vrarë edhe një kojshi tonin këtu. 13 vite i ka mbajte burg”, thonë fqinjët e familjes Gashi nga fshati Terbovc i Lipjanit.

Për këtë punë hetime tashmë është duke bërë edhe policia dhe prokuroria e Kosovës. Në një deklaratë Ymer Beka, të dielën ka thënë se i dyshuari ka ardhur nga Franca për pushime. Sipas tij, i njëjti ka pasaportë zvicerane dhe kështu ka vrarë vëllain e tij.

Thotë se i dyshuari gjendet në arrati dhe se e vozite një veturë me targa franceze.

“Sipas prokurorit kujdestar, i dyshuari është nga Franca, ka ardhur për pushime dhe ka vrarë vëllain e tij. I dyshuari ka pasaportë zvicerane”, thotë Beka.

Tutje asi sqaron se kanë njoftuar edhe aeroportin pasi që i dyshuari mund të dal jashtë vendit.

“Ne kemi kryer të gjitha obligimet, kemi kontaktuar edhe me aeroportin pasi që i dyshuari është në arrati dhe mund të dalë jashtë vendit”, ka thënë Beka.

Tutje, sipas policisë, nga vendi i ngjarjes ku u krye vrasja si prova materiale janë gjetur dhe konfiskuar dy gëzhoja të kalibrit 9mm. Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion. Njësit policore janë duke hetuar rastin dhe në kërkim të personit të dyshuar, i cili gjendet në arrati.
Viktima kishte qenë i martuar dhe ka lënë pas 4 fëmijë, dy vajza dhe dy djem.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat