Veriu i harruar! Haradinaj nuk e viziton sepse po i pret njerëzit e krimit të organizuar dhe “vrasësit” e Ivanoviqit në shtëpi!

Aktuale

Veriu i harruar! Haradinaj nuk e viziton sepse po i pret njerëzit e krimit të organizuar dhe “vrasësit” e Ivanoviqit në shtëpi!

Nehat Shaqiri Nga Nehat Shaqiri Më 16 korrik 2018 Në ora: 10:14
Ilustrim

Ish-drejtori i Akademisë së Policisë së Kosovës, eksperti i policisë Hajrullah Tërnava thotë se, politikanët tonë sa po gjinden në opozitë po janë të guximshëm dhe të zëshëm për t’i kritikuar politikanët e pozitës.

Ai për gazetën “Bota sot”, thotë se, ata po dinë me kritiku dhe me bë çmos për të këqijat e pushtetarëve në pushtet, sidomos për pjesën e veriut të lenë në mëshirën e serbëve.

Image
Hajrullah Tërnava

“Që nga çlirimi i Kosovës e deri më sot, veriu asnjëherë nuk është qeverisur nga pushteti i Kosovës. Jo vetëm kjo, por as që është vizituar zyrtarisht dhe të jenë edhe më shpesh të pranishëm në atë pjesë të Kosovës, që me praninë e tyre së paku në preventivë të dëshmohet shtrirja e pushtetit dhe qeverisjes”, thotë Tërnava.

Sipas tij, shumë qytetarë kanë pritur nga Ramush Haradinaj së paku që ky do të jetë më i guximshëm se të tjerët deri më tani, dhe do të vizitoj dhe shtrij autoritetin shtetëror të Kosovës në atë pjesë të veriut, që sipas Tërnaves, sa ishte në opozitë ka ditur me i kritikuar të tjerët për neglizhencë dhe mos guxim të pranisë së tyre në atë pjesë.

“Sikur ta kishin guximin dhe ta vizitonin atë pjesë të Kosovës atëherë do të legalizohej qeverisja e Kosovës dhe do të funksiononte ligji i Kosovës, dhe jo si tani që në asnjë komunë në veri nuk gjinden përshkrimet sikur që i parasheh ligji me mbishkrime në gjuhën shqipe sidomos shtetësia e Kosovës. Përkundrazi në çdo hyrje të komunave në ato pjesë kemi mbishkrime të Republikës së Serbisë në çirilicë dhe me flamuj serb pa asnjë germë në shqip. Dhimbja më e madhe është kur e përshkruajmë këtë gjendje për pjesën e veriut, por situata hiq më e mirë nuk është edhe në tjerat komuna serbe në territorin e Kosovës, ku është një përshkrim i njëjtë me mbishkrime dhe flamuj të Serbisë e pa asnjë simbol shqip”, potencon Tërnava.

Tutje ai deklaron se, për këto mbishkrime është dashur që zyrtarët të kërkojnë që të jetësohet Kushtetuta e Kosovës, dhe jo sikurse tani që shkelet me të madhe dhe askush nuk jep llogari për këtë.

Tërnava shton se, është e kuptueshme që ata shqiptarë që banojnë në ato pjesë të ndihen të nënçmua dhe të frikësuar, pse jo edhe të rrezikuar për ardhmërinë e tyre.

“Një situatë e tillë na jep me nënkuptua se me atë pjesë të Kosovës diçka nuk është në rregull, prandaj faktori ndërkombëtar kur e vëren një gjendje të tillë, lehtë mund të pajtohet që në bisedimet që po zhvillohen mes Serbisë dhe Kosovës, pjesa e veriut t’i bashkëngjitët Serbisë, sepse si e tillë edhe tani nuk qeveriset nga Kosova, dhe dy palët në bisedime duhet të jetë të kënaqura kur secilës i takon nga një pjesë e territorit. Ky konstatim vërehet edhe nga deklarimet e Vuçiqit dhe Thaçit, se disa herë i kemi dëgjuar duke thënë se asnjëra palë në tërësi nuk ka me qenë e kënaqur dhe pajtimi do të jetë i dhimbshëm si për njërin ashtu edhe për tjetrin shtet”, thotë ai.

Ai shton se, Ramush Haradinaj si kryeministër i tanishëm ndoshta e vlerëson se s’ka nevojë ‘a vizitoj pjesën veriore fare, sepse sipas tij, në disa raste po i vijnë në bisedime bash ata më të fortit e veriut në Prishtinë.

“Pra, në shumë raste për ata flitet që janë njerëzit që e kontrollojnë krimin e organizuar dhe që kanë gisht në vrasjen e Oliver Ivanoviqit. Ajo pjesë e shqiptarëve që jetojnë në veri, janë lënë në mëshirën e Zotit, dhe vetëm ata e dinë se si janë duke jetuar jetën e tyre me plot ankthe për të ardhmen e tyre. Mos interesimi i pushtetarëve të Kosovës për atë pjesë është sikurse mos të ishte territor i Kosovës fare”, përfundon Hajrullah Tërnava.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat