Azem Syla del sot para gjyqit

Aktuale

Azem Syla del sot para gjyqit

Më: 16 korrik 2018 Në ora: 11:17
Azem Syla/Arkiv

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë sot pritet që te mbahet seanca gjyqësore ndaj ish-deputetit të PDK-së Azem Syla si dhe të akuzuarve të tjerë në rastin e njohur si “Toka”.

Më 20 shkurt të këtij viti, kryetari i trupit gjykues i EULEX-it Petko Petkov, njoftoi se kjo lëndë është transferuar tek gjyqtarët vendorë.

Një vendim të tillë prokurori i EULEX-it që përfaqësonte këtë lëndë e pati quajtur “përfundim i rastit”.

Pak kohë pasi rasti u transferua tek vendorët, gjyqtari vendor e liroi nga masa e paraburgimit Azem Sylën, ndërsa këtë vendim e ndryshoi Gjykata e Apelit duke i vendosur masën e arrestit shtëpiak.

Saktësisht më 12 mars të këtij viti  Azem Sylës i ishte ndërprerë paraburgimi.

Ndërsa javë më pas, Gjykata e Apelit, ia ndryshoi vendimin e Themelores duke e kthyer në arrest shtëpiak.

Në lidhje me këtë rast në fazën e hetimeve janë mbajtur afër 20 seanca gjyqësore, janë dëgjuar dy dëshmitarë të mbrojtur, ndërsa si rrjedhojë e ndryshimit të trupit gjykues, ky rast rrezikon të rikthehet që në fillim dhe rrjedhimisht dëshmitarët duhet të dëgjohen përsëri.

Në rastin e njohur si “Toka”, Azem Syla dhe të tjerët akuzohen për krim të organizuar në tjetërsim të tokave me pronësi shoqërore në Veternik e Llapnasellë, afër Prishtinës.

Në dhjetor të vitit 2016, Azem Syla ishte deklaruar i pafajshëm.

Prokuroria Speciale më 25 tetor 2016  ngriti dy aktakuza kundër 39 personave të ndryshëm, në mesin e të cilëve është edhe ish-deputeti i PDK-së, Azem Syla.

Aktakuza e parë, e parashtruar nga një prokuror ndërkombëtar i PSRK-së, është ngritur kundër 22 të pandehurve dhe përbëhet prej 46 pikave.

Të pandehurit akuzohen për veprat penale krim i organizuar, pastrim i parave, marrje e mitos, mashtrim i rëndë, mashtrim në detyrë, nxjerrje e vendimeve gjyqësore të kundërligjshme, keqpërdorim i pozitës zyrtare, legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar dhe evazion fiskal, raporton kallxo.com.

Aktakuza e dytë e ngritur nga i njëjti prokuror akuzon 17 persona për pastrim të parave.

Sipas aktakuzës, anëtarët e këtij grupi të organizuar kriminal kanë bashkëpunuar mes vete, secili me rol të caktuar, për t’i privuar Kosovës pronat shoqërore përmes veprimtarive kriminale, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve të tjera zyrtare, mashtrimin dhe veprimeve korruptive.

Në mesin e shtëpive të bastisura ishte edhe ajo e tashmë ish-deputetit të PDK-së, Azem Syla.

Gjykata e Apelit e ka vërtetuar aktakuzën ndaj grupit të akuzuar në Rastin “Toka”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat