Liberalizimi i vizave, çështje kyçe e takimit të nesërm në Bruksel

Aktuale

Liberalizimi i vizave, çështje kyçe e takimit të nesërm në Bruksel

Më: 17 korrik 2018 Në ora: 15:39
Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj

(E plotësuar)- Tri çështje kryesore do të jenë në tavolinën e diskutimit mes krerëve të institucioneve të Kosovës dhe atyre të Bashkimit Evropian.

Marrëdhëniet Kosovë-BE, liberalizimi i vizave dhe dialogu me Serbinë, do të jenë temat kryesore që do ta dominojnë takimin e nesërm në Bruksel.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, duke konfirmuar takimin e nesërm theksoi se çështja kryesore do të jetë liberalizimi, edhe ashtu i vonuar për qytetarët e vendit.

Haradinaj: Nesër flasim për tri çështje kryesore me krerët e BE-së

“Është takim i yni me institucionet e BE-së, nuk e kemi ende një agjendë përfundimtare, por mendoj që këto tri tema, pra, marrëdhëniet kontraktuale Kosovë-BE, liberalizimi i vizave që është shumë i rëndësishëm për ne dhe kjo vizitë unike e jona, kjo qasje e këtillë e udhëheqësve e ndihmon atë marrëdhënien me BE-në në këtë temë, por flas për liberalizim, njëkohësisht edhe dialogu është temë”, tha Haradinaj.

Kreu i ekzekutivit shtoi se vendimi i nesërm i Komisionit Evropian është vetëm një, nga tri vendimet që duhet t’i marrë BE-ja, për t’ua mundësuar qytetarëve të Kosovës lëvizjen e lirë në zonën Schengen.

Haradinaj: Nesër mund të jetë vetëm një prej tri vendimeve për liberalizim

“Nesër do ta kemi një prej tri momenteve, pra një prej tri vendimeve, është vendimi i Komisionit për ta hap procesin, pra vlerësimi që i kemi përmbushur kriteret e pritura, të paktën ashtu po pritet që të jetë. Mirëpo, nuk bërë të gëzohemi dhe të mendojmë që është kryer puna. Të gëzohemi po, se u hoq pengesa e parë, por janë edhe dy tjera. Duhet të jemi serioz në punë, është shumë e mundshme, ky proces nuk ka kthim mbrapa pas atij vlerësimi, mirëpo kohëzgjatja mund të varion, në vend se të ndodh në fund të këtij viti, mund të na shtyjnë. Pra ne duhet ta bëjmë punën që të ndodh në fund të këtij viti se edhe ashtu është bërë shumë vonë”, theksoi ai.

I pyetur nëse edhe në fazën finale të dialogut me Serbinë do të jetë delegacioni i njëjtë, Haradinaj theksoi se ky është për një format tjetër, por jo domosdoshmërisht do të jetë i njëjti edhe me palën serbe. Madje, theksoi se nuk e sheh ndonjë rol konkret të tij në bisedimet me Serbinë.

Haradinaj: S’e shoh ndonjë rol konkret timin në dialog

“Me u ulë me serbët dhe Serbinë, unë kam pasur rastin të jem disa herë në tryeza me kryeministren Brnabiq, kam pasur rastin të jem në tryeza me të mëdha ku ka qenë edhe presidenti Vuçiq, por nuk është ky formati i dialogut nesër, e kuptoni, ky është një format i caktuar për një takim të caktuar është një dëshmi e unitetit tonë për dialog, por nuk është formati. Edhe nëse nuk ulem unë në dialog nuk nënkupton që nuk e përkrahu dialogun, nuk mendoj që është detyrë e imja të ulem në dialog, nuk e shoh ndonjë rol konkret se çka do ta ndihmoj Kosovën duke qenë aty. Ne kemi dhënë kontributin tonë të Qeverisë, Avni Arifi udhëheq dialogun teknik, por që nuk është teknik”, u shpreh Haradinaj.

Ndërsa, mos pjesëmarrjen e opozitës në takimin me krerët e BE-së, Haradinaj tha se kanë mundur të jenë në këtë takim, por që mund të jenë edhe herën tjetër.

Në Bruksel nesër do të udhëtojnë, presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, ministri i Punëve të Jashtme Behgjet Pacolli dhe zëvendëskryeministrat Fatmir Limaj e Dardan Gashi. 

Haradinaj tregon për çka do të diskutohet nesër në Bruksel

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka konfirmuar se nesër krerët e institucioneve do të udhëtojnë në Bruksel për t’u takuar me krerët e Bashkimit Evropian.

 Ai tha se në takimin e nesërm janë tri tema që do të diskutohen;  marrëdhëniet kontraktuale mes Kosovës dhe BE-së, liberalizimi i vizave dhe dialogu mes Kosovës e Serbisë.

Haradinaj u shpreh se në këtë takim ka mundur të jenë prezent edhe opozita, por që mund të jenë herën tjetër.

 Kryeministri Haradinaj ka ripërsëritur se nuk e sheh veten pjesë të dialogut duke thënë se dikush duhet t'i kryej punët e shtëpisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat