Dënimi për terrorizëm, avokati paralajmëron ankesë në Apel

Aktuale

Dënimi për terrorizëm, avokati paralajmëron ankesë në Apel

Më: 17 korrik 2018 Në ora: 17:42
Pamje nga seanca

(E plotësuar) - Bekim Sylejmani, avokati i Besim Shabanit, njëri prej 6 të dënuarve sot për terrorizëm, paralajmëroi ankesë në Gjykatën e Apelit ndaj këtij aktgjykimi.

Klienti i tij, Besim Shabani, është dënuar me 3 vjet burgim nga Gjykata Themelore e Prishtinës.

Avokati tha para mediave se vendimi i Gjykatës Themelore është i padrejtë dhe i pabazuar në prova.

“Është një vendim i gabuar, nuk mbështetet me prova dhe fakte të cilat janë shtjelluar gjatë seancave gjyqësore. Sa i përket të mbrojturit tim nuk ka pasur asnjë provë të vetme materiale për të vendosur në lidhje me këtë çështje. Do ta presim aktgjykimin që na vjen në formë të shkruar do ta apelojmë në Gjykatën e Apelit”, tha avokati.

Ai beson se Gjykata e Apelit do të marrë në konsideratë të gjitha theksimet në ankesë dhe se këtë çështje do ta zgjidhë në mënyrë “më të drejtë se Gjykata e shkallës së parë”.

Gjykata Themelore në Prishtinë shpalli sot aktgjykimin ndaj të akuzuarve për vepra penale të cilat ndërlidhen me terrorizëm.

Trupi gjykues në krye me gjyqtaren Suzana Çerkini shpalli aktgjykimin me anë të të cilit, gjashtë të akuzuarit për vepra penale të terrorizmit u shpallën fajtorë si dhe njëri prej të akuzuarve u shpall fajtor për armëmbajtje pa leje.

Besim Shabani, Adil Bushi, Egzon Latifi, Jetmir Bushi, Artan Kadriu, Bekim Halili u shpallën fajtor secili veç e veç për veprën penale pjesëmarrje në grupet terroriste.

Bekim Halili u shpall fajtor edhe për veprën penale armëmbajtje pa leje, e po ashtu edhe Kutjim Bytyqi i akuzuar për armëmbajtje pa leje u shpall fajtor dhe ndaj tij Gjykata shqiptoi dënim me kusht prej 8 muajve burgim.

Besim Shabani e Egzon Latifi janë dënuar me dënim me burgim prej 3 vjetësh, Adil e Jetmir Bushi u dënuan me 2 vjet e 4 muaj burgim, Artan Kadriut Gjykata i shqiptoi dënim me burgim prej 4 vjetësh, shkruan kallxo, e Bekim Halilit  i cili ishte i akuzuar për pjesëmarrje në grupet terroriste si dhe armëmbajtje pa leje Gjykata i shqiptoi dënimin unik prej 3 vjetësh burgim.

Kurse Jeton Hajdini në mungesë të provave është liruar nga aktakuza.

Gjykata Themelore në Prishtinë dënon shtatë persona për terrorizëm

Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar shtatë persona me gjithsej 18 vjet e katër muaj burgim për vepra që ndërlidhen me terrorizëm, pjesëmarrje në luftëra të huaja dhe armëmbajtje pa leje.

Një person është shpallur i pafajshëm.

Të dyshuarit janë arrestuar në maj të vitit 2015 dhe aktakuza atëkohë është ngritur nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

Për shumicën e të akuzuarve prokuroria ka thënë se kanë udhëtuar në zonat e luftës në Siri dhe më vonë janë kthyer në Kosovë ku dhe janë arrestuar.

Disa nga të akuzuarit kanë pranuar veprat për të cilat ata akuzohen nga prokuroria.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat