Mungojnë dëshmitarët, shtyhet gjykimi për krim të organizuar i shënjëstruar për liberalizim të vizave

Aktuale

Mungojnë dëshmitarët, shtyhet gjykimi për krim të organizuar i shënjëstruar për liberalizim të vizave

Më: 18 korrik 2018 Në ora: 10:45
Pamje nga gjykimi

Është shtyrë seanca e paraparë të mbahej të mërkurën në Gjykatën Themelore Prishtinë, në rastin e shënjëstruar për liberalizim të vizave, e ku për krim të organizuar, detyrim dhe falsifikim të dokumenteve, po akuzohen Arben Bashota dhe vëllezërit Osman dhe Sylejman Bajrami.

Shkak i shtyrjes së këtij gjykimi ishte mungesa e tre dëshmitarëve, Hasan Hasani, Skender Bulqiza dhe Ismail Dautaj.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Arben Hoti tha se dëshmitari Hasan Hasani ishte ftuar në mënyrë të rregullt nga ana e gjykatës, por për të njëjtin nuk ishte kthyer fletë kthesa në gjykatë, ndërsa i kontaktuar përmes telefonit, gruaja e tij e kishte informuar gjykatën se ai gjendej për pushime në Shqipëri.

Për dëshmitarin Skender Bulqiza, gjykata më 22 maj 2018 e kishte dorëzuar kërkesën përmes marrëveshjes së bashkëpunimit ndërkombëtar juridik me shtetin e Shqipërisë, për sigurimin e tij në këtë proces gjyqësor, mirëpo edhe pas kësaj kërkese dëshmitari nuk ishte paraqitur në gjykatë.

Ndërsa, dëshmitari Ismail Dautaj nuk e kishte pranuar ftesën e gjykatës, por sipas gjykatësit Hoti nga disa informacione i njëjti kishte ndërruar jetë, por për shkak të mangësive të të dhënave, gjykata nuk kishte pasur mundësi që t’i drejtohet Komunës së Prishtinës, për të verifikuar nëse për të kjo komunë kishte lëshuar certifikatën e vdekjes.

Prokurorja Merita Binaj-Rugova, propozoi që në cilësinë e dëshmitarëve të dëgjohen Arben Hasi nga AKP, i cili edhe i kishte përpiluar shkresat të cilat kjo agjenci i kishte dërguar gjatë procedurës rreth kompanisë “Bujqësia” si dhe të ftohet edhe përfaqësuesi juridik i AKP-së.

Ky propozim është aprovuar nga trupi gjykues, ndërsa seanca e radhës pritet të mbahet me  10 shtator 2018, në ora 13:00.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), të akuzuarit Arben Bashota, Osman Bajrami dhe Sylejman Bajrami, i ngarkon me veprat penale të krimit të organizuar, detyrim dhe falsifikim të dokumenteve.

Sipas aktakuzës së PSRK-së, prona kontestuese  në sipërfaqe prej mbi 10 hektarësh, gjendet në Fushë-Kosovë, rrugës për në Prishtinë dhe se ajo ishte marrë në shfrytëzim nga Murat Tërnava për 10 vjet nga KBI Ndërmarrja Shoqërore “Bujqësia”.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit nga viti 2004, së bashku me Ruzhdi Shaqirin e njohur si “Baksi” (i vrarë në gusht të vitit 2014), kanë bërë presione të vazhdueshme ndaj të dëmtuarve Murat Tërnava, Hysen Shahini dhe Ismet Osmani që ta lirojnë pronën në sipërfaqe prej 10.12.53 hektarë që gjendet, në Fushë-Kosovë, rrugës për në Prishtinë.

Sipas prokurorisë, i dëmtuari Murat Tërnava, pronën kontestuese e kishte marrë në shfrytëzim për 10 vjet nga KBI Ndërmarrja Shoqërore “ Bujqësia”, raporton betimiperdrejtesi.

Gjithashtu, në këtë rast ka qenë i akuzuar edhe Ruzhdi Shaqiri, por ai ishte vrarë në gusht të vitit 2014, në Skenderaj, për të cilin rast Gani Geci, më 3 qershor të vitit të kaluar, ishte dënuar nga Gjykata Themelore e Mitrovicës, me 4 vjet e gjashtë muaj burgim, por që në tetor të vitit të kaluar ky rast ishte kthyer në rigjykim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat