Reagon Vetëvendosje, paralajmëron delegacionin e Kosovës për takimin Bruksel

Aktuale

Reagon Vetëvendosje, paralajmëron delegacionin e Kosovës për takimin Bruksel

Nga: P.R Më: 18 korrik 2018 Në ora: 15:22
Vetëvendosje

Lëvizja Vetëvendosje, përmes një komunikate për media ka reaguar ndaj takimit të sotëm në Bruksel, ku delegacioni i Kosovës u takua me zyrtarë të lartë të BE-së, ndërsa presidenti Thaci u takua me homologun e tij serb, Aleksandër Vuçiq.

“Sot një delegacion me krerët më të lartë shtetërorë, Ramush Haradinaj, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Fatmir Limaj, pra me personat më kontravers në vend, kanë shkuar në Bruksel për të nisur fazën përmbyllëse të negociatave politike me Serbinë, si dhe për ta tregtuar liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.  Përzierja e këtyre dy temave është në vetëvete kriminale, si dhe momenti i zgjedhur për lëshimet që ia bëjnë Serbisë e Vuçiqit duke i fshehur ato nën lajmin rreth liberalizimit të vizave. Sikur nuk mjaftoi dorëzimi i 8200 hektarëve, tash duhet Kosova të bëjë edhe lëshime të tjera prej sovranitetit të saj”, thuhet në komunikatën e VV-së.

“Qeveritarët ndoshta po përgatisin fishekzjarre për ta festuar liberalizimin, por vajtja e tyre në dialog me Vuçiqin nuk është as konsensuale, as legjitime e as ligjore. Opozita e ka kundërshtuar shumë këtë mënyrë të dialogimit dhe negocimit, dhe sot ajo është shumica e popullit. Parlamenti nuk e ka mandatuar këtë ekip, e sidomos Hashim Thaçin për të negociuar. Ndaj ky proces, nuk do të njihet. Në Bruksel po bëjnë pazar pa hanxhinë, kanë fluturuar atje pa shkuar fillimisht në Kuvend. Këta e kanë kundër, jo vetëm VETËVENDOSJE!-n, por gjithë opozitën dhe shumicën dërrmuese të popullsisë së Kosovës për t'i shmangur planet e kahmotshme katastrofale të Serbisë për Kosovën”, përfundon komunikata e Lëvizjes Vetëvendosje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat