Ndërpritet seanca, opozita bojkoton votimin e projektligjeve

Aktuale

Ndërpritet seanca, opozita bojkoton votimin e projektligjeve

Më: 19 korrik 2018 Në ora: 14:23
Kuvendi i Kosovës

(E plotësuar) - Mos votimi në lexim të dytë të Projektligjit për Trajtimin e Ndërtimeve pa Leje, ka bërë që të ndërpritet seanca plenare e Kuvendit të Kosovës.

Edhe në seancën e sotme opozita ka refuzuar që ta votojë këtë projektligj, madje, nuk ka marrë pjesë fare as në votim, duke pamundësuar kuorumin e nevojshëm prej 61 votave për ta kaluar ose jo, një projektligj.

Edhe pse në sallë ishin mbi 80 deputetë, në votim morën pjesë vetëm 46 deputetë, prej tyre 40 vota ishin për, 6 vota kundër dhe asnjë abstenim.

Kryetari i Kuvendit para se ta hidhte në votim amendamentet e këtij projektligji, paralajmëroi deputetët se do ta ndërpres seancën nëse nuk ka vendimmarrje.

Veseli: Nëse s’ka vendimmarrje do ta ndërpres seancën

“Kemi një situatë reale në të cilën ka deputetë në sallë, deri në 87, por në të njëjtën kohë ka një qëndrim të padeklaruar që një pjesë e opozitës nuk do të votoj. Në rrethana të tilla, unë do ta vëjë në votim edhe një herë, jemi në vazhdim të seancës, amendamentin 4, në qoftë se nuk kalon ne duhet ta ndërpresim seancën”, tha Veseli.

Veseli theksoi se Kryesia e Kuvendit do të mblidhet për ta caktuar seancën e radhës.

Në këtë seancë, pas përfundimit të pikave të mbetura nga disa seanca të kaluara, ishte paraparë të hynte edhe një mocion i PSD-së, për të diskutuar për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Madje, kreu i Kuvendit iu tha deputetëve të opozitës së me këtë po ikin edhe nga diskutimi për dialogun, duke mos i votuar pikat e mbetura. 

Drejtpërdrejt nga seanca

Kuvendi i Kosovës mban seancës e radhës, ku do të shqyrtohen pikat e papërfunduara nga seancat plenare të mbajtura më 8, 14, 19, 28 qershor dhe më 5, 6 dhe 9 korrik.

Sipas njoftimit të Kuvendit, janë 35 pika në rend dita, ndër to edhe interpelancë me ministrin e Administratës Publike, Mahir Yagcilar, sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të Partisë Socialdemokrate, në lidhje me mos-ndryshimin e Udhëzimit Administrativ për udhëtimet zyrtare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat