Vizat: Çka pas rekomandimit?

Aktuale

Vizat: Çka pas rekomandimit?

Nehat Shaqiri Nga Nehat Shaqiri Më 19 korrik 2018 Në ora: 21:28
Ilustrim

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Arben Fetoshi, thotë se rekomandimi është hapi më i rëndësishëm pas të cilit vendimi i takon institucioneve të BE-së.

Fetoshi për gazetën “Bota sot”, tregon si duhet të shkon proceduara deri në përfundimin final për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Image
Arben Fetoshi

“Procedura tani kërkon miratimin e propozimit nga Parlamenti Europian dhe duke pasur parasysh mbështetjen nga shumica e Shteteve Anëtare, s’ka ndonjë rrezik që vendimi të bllokohet, pavarësisht që Spanja ose edhe ndonjë tjetër mund të jetë kundër. Pas kalimit të rekomandimit nga dy komitetet përkatëse, ai i Çështjeve të Jashtme dhe i Çështjeve të Brendshme, Parlamenti duhet të ndryshojë rregulloren e vitit 2001 për ta hequr Kosovën nga lista e vendeve me regjim vizash, dhe pas miratimit çështja kalon në Këshillin e BE-së”, thekson Fetoshi.

Ai thotë se fundi i këtij viti mund të jetë fillimi i lëvizjes së lirë.

“Nëse s’do të ketë ndonjë kërkesë për sqarime shtesë, atëherë miratimi besoj se mund të ndodhë në nëntor ose në fillim të dhjetorit dhe më pas, 20 ditë pas shpalljes në Gazetën Zyrtare marrëveshja hyn në fuqi. Sipas kësaj, fundi i vitit mendoj që është afat normal kur mund të presim fillimin e lëvizjes së lirë” pohon profesori.

Me pak fjalë, profesori thekson se kjo është procedura, por insitucionet e Kosovës duhet të jetë shumë serioze në muajt në vazhdim.

“Institucionet e Kosovës do të duhej të jenë aktive dhe shumë serioze përgjatë këtyre muajve, si në planin e brendshëm duke komunikuar intensivisht me qytetarët për një  shpjegim shterrues të të drejtave dhe detyrimeve që dalin nga marrëveshja, ashtu edhe në raport me Shtetet Anëtare duke kërkuar mbështetjen e secilit prej tyre, përmes lobimit nga një task forcë apo grupe punuese që do t’i angazhonte qeveria për këtë qëllim”, shton Fetoshi.

“Pra, mendoj që është me rëndësi të madhe që të mos neglizhohet procesi i vendimmarrjes dhe të organizohet mirë një fushatë sensibilizimi për gjithçka që duhet të dinë qytetarët lidhur me të drejtën e udhëtimit pa viza”, përfundon profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Arben Fetoshi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat