Inspektorati kërkon largimin nga detyra të 94 policëve me probleme psikike

Aktuale

Inspektorati kërkon largimin nga detyra të 94 policëve me probleme psikike

Më: 20 korrik 2018 Në ora: 16:06
Foto ilustrim

Në Policinë e Kosovës po del të ketë pjesëtarë me probleme të shëndetit mental. 94 policë të tillë Inspektorati Policor i Kosovës i ka identifikuar dhe ka kërkuar suspendimin e tyre. Drejtoria e përgjithshme e PK-së po refuzon ta bëjë një gjë të tillë. Policët në fjalë janë ish-pjesëtarë të UÇK-së me status të invalidit të luftës. 

Vetëm pak ditë më parë, Inspektorati Policor i Kosovës i ka rekomanduar Policisë për suspendimin e 94 pjesëtarëve të saj. 

Arsyeja po del të jetë shqetësuese. IPK-ja po pretendon se pjesëtarët në fjalë kanë probleme të natyrës psikike. 

Këtë e ka konfirmuar vetë IPK-ja dhe ka sqaruar arsyen e rekomandimit për suspendimin e këtyre policëve. 

“Arsyeja e rekomandimit është, për shkak të gjendjes së tyre shëndetësore duke iu referuar dokumentacionit të tyre që i kanë paraqitur pranë komisionit mjekësor të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Institutit të Psikiatrisë Forenzike. Për shkak të dokumentacionit të tyre shëndetësor të paraqitur pranë komisionit mjekësor të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale është dëshmuar se të njëjtit kanë probleme shëndetësore të natyrës psikike”, thuhet në përgjigjen e IPK-së. 

Pjesëtarët në fjalë, të Policisë, janë ish-pjesëtarë të UÇK-së dhe e kanë të njohur statusin e invalidit të luftës. 

Në Polici të Kosovës janë gjithsej 148 pjesëtarë të cilët janë invalidë të luftës.

Dokumentacioni në të cilin është bazuar IPK-ja për të nxjerrë rekomandimin e tyre janë vërtetimet që këta pjesëtarë të Policisë kanë dërguar në institucionet kosovare për të fituar statusin e invalidit të luftës, gjatë procesit për identifikimin e veteranëve të UÇK-së. 

IPK-ja paralajmëron Policinë e Kosovës për rrezikun që mund të paraqesin këta pjesëtarë, sidomos duke pasur parasysh se të njëjtit janë të pajisur me armë zjarri. 

Por, pa marrë parasysh këto paralajmërime të IPK-së, drejtoria e përgjithshme e Policisë së Kosovës, që po funksionon me ushtrues detyre të drejtorit, po refuzon t’i suspendojë këta pjesëtarë të saj, sipas burimeve të mediave. 

94 policët me probleme të shëndetit mendor vazhdojnë të dalin në punë në Polici. 

Megjithatë, Policia e Kosovës thotë se janë duke e shqyrtuar rekomandimin në fjalë të IPK-së. 

“Policia e Kosovës ka pranuar një rekomandim nga Inspektorati Policor i Kosovës dhe i njëjti është në proces të shqyrtimit”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Informim të PK-së. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat