Zv/ministri i FSK-së flet për Ushtrinë, dialogun dhe qeverisjen në Kosovë

Aktuale

Zv/ministri i FSK-së flet për Ushtrinë, dialogun dhe qeverisjen në Kosovë

Më: 21 korrik 2018 Në ora: 17:01
FSK

Ndër proceset më të rëndësishme për Republikën e Kosovës padyshim se janë Ushtria dhe dialogu me Serbinë. Për këto dy çështje si dhe për qeverisjen aktuale në vend ka folur zëvendësministri i Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK), Burim Ramadani.

Ai në një prononcim ka thënë se transformimi i FSK-së në Forcat e Armatosura është në rrugë të sigurt. Sipas tij, Kosova dëshiron të jetë ofruese e sigurisë dhe gjithashtu të ndihmon popujt tjerë në zona të rënduara.

“Qeveria ka punuar në metodologji gjithëpërfshirëse dhe të detajuar në procesin e transicionit. Puna sistemike do të përmbyllet suksesshëm në këtë transicion. Komunikimi me të gjithë akterët vendorë e ndërkombëtar është duke vazhduar. FSK është kredibile, përfaqësuese dhe e gatshme. Do të jetë një kontribut i veçantë për sigurinë dhe paqen në rajon, ndërsa do të ndihmojë edhe ekonominë e Kosovës”, ka thënë Ramadani.

Më tutje, numri dy i FSK-së ka shtuar se asgjë nuk ka mbetur anash në këtë proces që siç thotë ai tejet sistematik.

“Jam jashtëzakonisht mirënjohës për mbështetjen që marrim vazhdimisht nga partnerët bilateral. Është e veçantë kur shohësh gatishmërinë e partnerëve për të thelluar bashkëpunimin bilateral. Kjo është periudhë me fat për vendin tonë në këtë aspekt”, ka thënë ai.

Ndërkaq, sipas Ramadanit, Kosova dhe FSK kanë miq të vërtetë dhe po ashtu mbështetës të jashtëzakonshëm. Sipas tij, kjo është rruga e suksesit të tyre të përbashkët.

Ndërsa, sa i përket dialogut me Serbinë, Ramadani thotë se përfundimi i konfliktit me shtetin serb është në interes nacional dhe afatgjatë.

“Marrëveshja duhet ta ketë këtë synim, përmes njohjes reciproke dhe pajtimit të popujve”, pohon ai.

I pyetur se a duhet Thaçi t’i udhëheqë bisedimet, ai ka qenë shumë i matur në këtë drejtim, megjithatë, ka theksuar se nuk duhet qasje përjashtuese, mirëpo, përkundrazi një Grup Strategjik për t’i ofruar mbështetjen për lidershipin e shtetit.

Sipas tij, në këtë proces duhet të ketë qasje argumentuese evropiane.

“Kosova i ka të gjitha argumentet e nevojshme që duhet frazuar dhe komunikuar në formë të koordinuar. Këto argumente janë më demokratike sesa idetë e Serbisë për marrëveshjen. Prandaj, promovimi i ideve demokratike dhe të të drejtave të njeriut bëjnë dallimin midis dy koncepteve që mund të përballen në bisedime. Në bindjen time, Komunikimi Strategjik është më se i nevojshëm në skenën politike dhe publike në Kosovë.”, ka thënë Ramadani.

Më tej, ai thotë se kjo është periudhë e ‘luftës speciale hibride’ dhe elita politike e Kosovës duhet bashkuar për të tejkaluar këtë. Sipas tij, konfuzioni publik, keq-orientimi e delegjitimimi i elitës dhe manipulimi i opinionit janë mjete të njohura në ‘luftën hibride’.

Prandaj, Ramadani thotë se elita politike e Kosovës nuk duhet të bie pre e kësaj.

Në fund, zyrtari i FSK dhe njëherësh njohësi i çështjeve politike ka dhënë një vlerësim edhe për qasjen aktuale të qeverisjes në Kosovë.

Sipas tij, tani është e sigurt se qeverisja ka ndryshuar në vendin tonë. Ai thekson se tani ka ekzekutiv që vendimmarrja është shumë më efektive dhe më transparente.

“Qeveria dhe Opozita duhet të kenë rrugë dykahshe në komunikimin mes tyre. Qëndrimet opozitare duhet respektuar. Qëndrimet racionale opozitare duhet pranuar. Sidoqoftë, duke qenë se kanë mbetur shumë çështje në proces e sipër, një varg arritjesh janë bërë dhe nuk besoj se kontestohen”, ka thënë ndër të tjerash Ramadani.

Ramadani beson se opozita është e kënaqur për Ligjin për Prishtinën, apo për mundësimin që komunat të kenë në dispozicion pronat për të cilat nuk i kanë pasur.

Ai ka përmendur edhe se opozita është gëzuar që gjyqtarët e prokurorët kanë paga të dinjitetshme. Sipas tij, Qeveria ka investuar në FSK.

“Besoj se edhe opozita është e kënaqur që gjatë muajve të fundit u plotësuan edhe dy kushtet e mbetura për liberalizimin e vizave. Apo që Kosova do të arrijë sigurinë energjetike në investimin tashmë të kontraktuar”, ka përfunduar Ramadani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat