Veseli refuzohet edhe nga Vetëvendosje: Ftesë e pakuptimtë

Aktuale

Veseli refuzohet edhe nga Vetëvendosje: Ftesë e pakuptimtë

Më: 22 korrik 2018 Në ora: 20:45
Ilustrim

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka ftuar udhëheqësit e të gjitha partive politike parlamentare në një takim të përbashkët, me qëllim të arritjes së konsensusit nacional për fazën e dialogut Kosovë-Serbi.

Veseli ka propozuar që takimi i parë të mbahet nesër në orën 10:00 në Kuvendin e Kosovës. “Spektri politik kosovar, të gjithë së bashku, pozitë dhe opozitë, duhet të jetë i konsoliduar dhe i përgatitur. Kuvendi i Republikës së Kosovës do ta ketë rolin kryesor të mbikëqyrjes dhe vendimmarrjes në këtë proces të rëndësishëm”, thuhet në ftesën e kryekuvendarit .

Por, në këtë takim do të jenë të pranishme vetëm partitë e koalicionit qeverisës dhe jo edhe ato të opozitës.

Deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, ka thënë se ftesa e Veselit është e pakuptimtë, meqë nesër në të njëjtën kohë është edhe seanca plenare ku do të ketë debat parlamentar për procesin e dialogut me Serbinë.

“Nuk besoj që do të marrim pjesë. Ne do të kemi mbledhjen e grupit parlamentar ku do të diskutohet edhe për këtë ftesë, por e konsiderojmë të panevojshme të marrim pjesë, me faktin se tashmë është Kuvendi që do të ketë një debat për dialogun”, është shprehur Haxhiu.

Edhe deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se ky takim i thirrur është veçse improvizim dhe se LDK-ja nuk do të shkojë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat