Më në fund ratifikohet një marrëveshje Kosovë-BE, seanca vazhdon pasdite

Aktuale

Më në fund ratifikohet një marrëveshje Kosovë-BE, seanca vazhdon pasdite

Më: 23 korrik 2018 Në ora: 12:08
Kuvendi i Kosovës

(E plotësuar) - Disa që kanë mbetur nga seancat e qershorit e disa ato të korrikut, ishin këto projektligjet që u hodhën në votim në pjesën e parë të seancës së sotme plenare të Kuvendit të Kosovës.

E me gjithë vështirësitë në kuorum, disa prej tyre arritën të kalojnë.

Ndër të tjera, Kuvendi sot miratoi në parim Projektligjin për kompetencat e zgjeruara për Konfiskimin e Pasurisë. Gjithashtu, u miratua në parim edhe Projektligji për Qasje në Dokumentet Publike dhe ai për Mbrojtjen e Sinjalizuesve.

Gjithashtu, në seancën e sotme kaloi edhe ligji për gjak dhe përbërës të gjakut. Derisa, për shqyrtimin e dytë të Projektligjit për Ndërmjetësim mungoi kuorumi.

Në seancën e sotme, Kuvendi i Kosovës e arriti kuorumin edhe për të kaluar pikën e parë të rendit të ditës, Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Unionit "Konkurrenca e Ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.

Siç tashmë dihet, në Kuvendin e Republikës së Kosovës është bërë praktikë mungesa e deputetëve pjesëmarrës në sallë.

Jo rrallë herë, kjo po bënë që pikat e rendit të ditës të kalojnë në seanca të tjera, të reja  plenare, ku edhe aty kuorumi nuk po arrihet pa vështirësi.

Seanca pritet që të vazhdojë pas orës 14:00.

***

Kuvendi i Kosovës e arriti kuorumin për të kaluar pikën e parë të rendit të ditës, Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Unionit "Konkurrenca e Ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.

Ky projektligj fillimisht nuk arriti të kaloi në mungesë të kuorumit.

E deputeti Bilall Sherifi ishte ai që pati një lutje për deputetët, sa i përket këtij projektligji.    

Ai tha se kjo pike e rëndit të ditës ka shumë rëndësi për biznese të vogla e të mesme që presin miratimin e këtij ligji. Ai u bëri lutje deputetëve që të marrin pjesë në votim. Lutje deputetëve. Të marrin pjesë në këtë ligj, ligjet e 2/3 nuk mund të votohen pa mbështetje të opozitës.

“Ta kalojmë këtë ligj për hir të bizneseve që po presin”, tha Sherifi.

Kurteshi: Mos të rrënohet shkolla për të verbër në Pejë

Kryetari i Komisionit parlamentar për Arsim, Ismajl Kurteshi ka deklaruar sot në seancën plenare se Ministria e Drejtësisë, Ministria e Administratës dhe ajo e Punës dhe Mirëqenies Sociale, në pajtim me kryetarin e komunës së Pejës, janë pajtuar për rrënimin e shkollës për persona të verbër në Pejë.

E kjo, ka shtuar ai, po bëhet me qëllim që në vendin ku ajo ndodhet, të lirohet hapësira për ndërtimin e objektit të Gjykatës Themelore të Pejës.

Kurteshi ka thënë se Komisioni për Arsim kërkon nga akterët e përfshirë në këtë çështje, të heqin dorë nga ky vendim. Duke kërkuar që për objektin e Gjykatës Themelore të gjendet një tjetër lokacion, ai tha se plani për rrënim është dëmshëm.

 

Në mungesë kuorumi votohen disa raporte e projektligje 

Kuvendi i Kosovës po mban seancë plenare ku në rend dite janë një varg pikash, projektligje e raporte që po presin votimin e deputetëve.

Edhe në këtë seancë, Kuvendi po përballet me mungesë kuorumi, e kjo bëri që qysh në minutat e parë të seancës të shkohet në pauzë 10 minutëshe.

E edhe pas rifillimit të seancës, Kuvendi nuk arriti të votoi  ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Unionit "Konkurrenca e Ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, meqë nuk pati kuorum. Në mungesë kourumi nuk arriti të votohej as raporti vjetor i Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës për vitin 2017.

Ndërkohë, në seancën e sotme plenare, Kuvendi i Kosovës ka miratuar ligjin për trajtimin e ndërtimeve pa leje. Gjithashtu, Kuvendi miratoi projektligjin për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovë.

Në këtë seancë, u miratua edhe raporti vjetor financiar për buxhetin e Republikës së Kosovës, për vitin 2017.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat