Dekani Ahmeti bëhet profesor i rregullt në UP në mënyrë të dyshimtë

Aktuale

Dekani Ahmeti bëhet profesor i rregullt në UP në mënyrë të dyshimtë

Më: 23 korrik 2018 Në ora: 14:09
Ahmet Shala

Sot Senati i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” mbajti mbledhjen e radhës me ç’rast edhe avancoi profesorë nga Fakulteti Filozofik, ai Ekonomik, Fakulteti Filologjik dhe nga Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike. Në mesin e profesorëve që u avancuan në detyrë është edhe dekani i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike Ahmet Shala.

Ahmet Shala, nga profesor i asocuar u avancua në detyrë si profesor i rregullt në Universitetin e Prishtinës.

E për këto avancime reagoi edhe Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim – ORCA, e cila publikoi edhe listën e emrave të profesorëve që u avancuan sot e që kanë numër enorm të publikimeve shkencore për një periudhë të shkurtë kohore. Sipas ORCA-s, mesatarja e publikimeve gjatë një viti për një kandidat të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike është 5.5.

“Sot në mbledhjen e Senatit të Universitetit të Prishtinës është vendosur pozitivisht për të gjithë kandidatët e propozuar nga Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike. Mesatarja e numrit të publikimeve për një kandidat të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike për një vit del 5.5, që është pesëfishi i publikimit të kolegëve të tyre në Norvegji të cilët në fushën e njëjtë kanë nga 0.96 publikime shkencore në vit për profesor”, reagoi ORCA.

Madje, ORCA i quajti “Supermenë” tetë kandidatët e Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, në mesin e të cilëve ndodhej edhe Ahmet Shala. Në reagimin e kësaj organizate theksohet fakti që dekani Ahmet Shala ka publikuar 18 punime në një vit e gjysmë.

Por, ORCA bën me dije se shumica e punimeve që kanë publikuar profesorët që u avancuan sot në detyrë, janë shfaqur në tri revista të dyshimta.

“Shumica e punimeve të këtyre profesorëve janë në tre revista. Për këto tri revista ORCA ka zbuluar se: keqinformojnë për indeksimin e tyre, përmendin indeksim në databaza të shuara që një kohë të gjatë, nuk e tregojnë adresën e tyre, keqinformojnë për përdorimin e softuerit antiplagjiaturë – ndërkohë që është e lehtë të gjendet plagjiat nga Wikipedia në publikimet e tyre. Për më tepër, njëra nga këto revista e ka botuesin të listuar si të dyshimtë dhe me shkelje serioze të Parimeve të Transparencës dhe Praktikave të Mira për Botues Shkencor”, thekson ORCA.

Ndërkaq, Insajderi ka siguruar një dokument që përhap dyshime mbi lidhjet e dekanit Shala me rektorin e Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema.

Dekani i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike i kishte ndarë mbi 1 mijë euro nga buxheti i fakultetit për rektorin Dema, sugjeron dokumenti që ka siguruar Insajderi. Kjo kishte ndodhur në korrik të vitit të kaluar, kur Shala po aspironte avancimin akademik të tij brenda Universitetit të Prishtinës.

Në ndarjen e mjeteve lidhur me veprimtaritë e Institutit të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike (FIM) dhe raportit të Prodekanit të FIM-së për periudhën e muajit maj të vitit të kaluar, Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike kishte ndarë 1 mijë e 78 euro për rektorin Dema.

Dokumentin e kishin nënshkruar dekani Ahmet Shala dhe prorektorja për Buxhet dhe Financa Myrvete Badivuku-Pantina.

Insajderi ka provuar të kontaktojë sot me dekanin e Fakultetit të Inxhinierisë Teknike Ahmet Shala, mirëpo kontakti me të ka qenë i pamundur përmes telefonit. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat