Ministri kundër qeverisë: Mbrojtja e prodhuesve ishte vendim i drejtë

Aktuale

Ministri kundër qeverisë: Mbrojtja e prodhuesve ishte vendim i drejtë

Më: 7 gusht 2018 Në ora: 13:26
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani ka folur për herë të parë pas shfuqizimit të vendimit për mbrojtjen e prodhueseve vendor që ishte sponzoruar nga ai.

Hasani këmbëngul që vendosjen e taksës doganore prej 30% për 21 produkte, pemë dhe perime ishte vendim i drejtë.

“Është vendim i Qeverisë, unë e respektojë por unë qëndrojë mbrapa asaj që vendimi ka qenë i drejtë”, tha Hasani.

Ai ka shpjeguar procedurat që janë ndjek deri tek marrja e vendimit, duke thënë nuk janë shkelur as marrëveshja e CEFTA-së e as MSA-ja.

“Ne kemi thënë se vendimet të cilat janë marrë kanë qenë ligjore dhe konform me ligjin. Ka qenë masë e përkohshme, është masë që ka filluar hetime dhe është procedurë që i dërgohet palëve. Unë ju sigurojë që vendimi nuk ka shkelur vendimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit me BE-në. Nuk lejojmë në asnjë mënyrë që të shkelen prodhuesit tanë”, u shpreh Hasani.

Më 17 korrik qeveria kishte marrë vendim për zbatimin e masës së përkohshme mbrojtëse në importin e pemëve dhe perimeve të vlerës doganore prej 30 për qind në Republikën e Kosovës.

Vendimi ishte kontestuar nga anëtarët e qeverisë që vinin nga Partia Demokratike e Kosovës.

Ende pa kaluar një javë nga marrja e këtij vendimi, me 24 korrik, Qeveria e Kosovës e ka plotësuar dhe ndryshuar këtë vendim duke shtuar rrushin dhe disa produkte të tjera në listë dhe duke i larguar disa.

Ndërsa, me 31 korrik, pa arsyetime e pa fjalime qeveria morri vendim për shfuqizimin e vendimit.

Këto deklarata, Hasani i ka bërë pas një vizite që kishte në Odën Ekonomike të Kosovës, ku është takuar me kryetarin Berat Rukiqi.

Rukiqi në një konferencë për media tha Oda Ekonomike do të fokusohet në përmbylljen e mirë të mandatit për CEFTA-në.

“Për ne është me rëndësi për këtë vit që të fokusohemi në përmbylljen sa më të mirë të mandatit për CEFTA-në”, tha Rukiqi.

Ai shtoi se me prioritet do të trajtohet edhe çështjen e energjisë elektrike.

“Ne dje kemi arritur një marrëveshje në parim me KEDS që të kemi një zyre e cila do të jetë në funksion për furnizim më të mirë me energji elektrike për bizneset. Një ndër faktorët kryesorë që e pengon aftësinë konkurruese të bizneseve është furnizimi i rregullt dhe kostoja e energjisë elektrike”, tha Rukiqi.

Ai shtoi se Oda Ekonomike do të bashkëpunojë edhe me Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, duke marrë parasysh që kjo ministri e mbulon një pjesë të mirë të sektorit energjetik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat