Gashi: Do ta bëjmë një ligj funksional për të rinjtë, jo vetëm sa për ta ndryshuar

Aktuale

Gashi: Do ta bëjmë një ligj funksional për të rinjtë, jo vetëm sa për ta ndryshuar

Më: 12 gusht 2018 Në ora: 13:18
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit Kujtim Gashi, tha se ligji aktual ka pasur disa përparime, por ka edhe ngecje.

Në Ditën e Rinisë, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka organizuar takim me shoqërinë civile, ku u diskutua për plotësim-ndryshimet e Ligjit për Fuqizim dhe Pjesëmarrje të Rinisë.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit Kujtim Gashi, tha se ligji aktual ka pasur disa përparime, por ka edhe ngecje. Ndërsa theksoi se ndryshim-plotësimi i ligjit do të ndihmojë që ky ligj të jetë në favor të të rinjve.

"Qëllimet tona janë të qarta, një ligj në favor i të rinjve. Që ka të rinjt në ballë të aktiviteteve. Nuk do të bëjmë një ligj vetëm sa për ta ndryshuar, por do të bëjmë një ligj që është funksional. Të jeni të sigurt se gjendja në sektorin e rinisë në Kosovë ka për të ndryshu për të mirë. Ne jemi duke realizuar disa projekte, ku do t'i involvojmë të rinjtë në vendimmarrje", tha ai. Ministri i Kulturës kujtoi edhe largimin e të rinjve, që ndodhi një vit më parë, me c ‘rast tha se para brengosjes, duhet të ofrohen kushte më të mira për të rinjtë.

Ai tha se deri në fund të këtij viti, ka hapësirë dhe mundësi të mjaftueshme të debatohet për ligjin për të parë kërkesat reale të të rinjve.

Derisa shtoi se përgjatë kësaj periudhe, do të ketë edhe hulumtime të përgjithshme për nevojat e të rinjve.

Eksperti i kësaj çështjeje, Blerim Burjani, paraqiti prezantimin e Propozimit për Ndryshim dhe Plotësim të Ligjit për Fuqizim dhe Pjesëmarrje të Rinisë. Ai tha se politika legjislative bazohet në plotësime, ndryshime, propozime të amendamenteve derisa pastaj do të hap rrugën që të ketë strategji lokale nëpër komuna.

Burjani shpalosi para të pranishmëve idenë për krijimin e një fondi për përkrahje të të rinjve, fond ky i cili do të menaxhohej nga MKRS. Ai propozoi që mosha rinore në Kosovë të përfshijë individët deri në moshën 30 vjeçare, e jo siç ka qenë deri më tash deri në 24 vjet.

"Ligji i ardhshëm do të hap rrugën që të ketë strategji lokale në komuna. Do të hapet rruga që ata vet me qenë krativ. Kemi mendu që të jetë fondi për përkrahje të të rinjve. Menaxhimin do ta bëjë Ministria e Kulturës, ndërsa sa i përket rritjes së këtij fondi për këtë do të vendosë Kuvendi dhe Qeveria. Kam menduar se edhe komunat duhet të respektojnë një buxhet për rininë të cilin nuk e respektojnë", u shpreh ai.

Arbër Ademi nga Hendikos në Ferizaj, u shpreh i kënaqur me propozimin e ministrit për të sjellë avancime te reja.

"Ajo çka dua të them është çështja e rregullimit të disa mekanizmave përmes ligjit. Kvrl-të apo Qendrat Rinore ndonjëherë më shumë i shfrytëzojnë mjetet për vete se sa për rininë", tha ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat