Presidenti s’ka përkrahje për korrigjim kufijsh – gjithë liderët që i dolën kundër

Aktuale

Presidenti s’ka përkrahje për korrigjim kufijsh – gjithë liderët që i dolën kundër

Më: 12 gusht 2018 Në ora: 14:03
Hashim Thaçi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, po vazhdon të mos zmbrapset nga iniciativa e nisur fillimisht për korrigjimin e kufijve me Serbinë. Fakti që po kritikohet ashpër nga pozita, opozita, diplomatët ndërkombëtarë e njohësit e çështjeve të Ballkanit nuk po e pengojnë Thaçin që t’i hyjë i vetëm këtij procesi. Ramush Haradinaj, Kadri Veseli, Isa Mustafa, Fatmir Limaj, Albin Kurti, Bujar Nishani, Sali Berisha, etj, janë disa nga liderët shqiptarë që kanë kundërshtuar idenë e tij. Edi Rama vazhdon të qëndrojë i heshtur. Megjithatë mediat e huaja raportuan se krahas Aleksander Vuçiqit edhe Rama e ka pranuar idenë e shkëmbimit të territoreve.

Njohësit e çështjeve të Ballkanit, Daniel Serwer e Carl Bildt kanë paralajmëruar kundër idesë së shkëmbimit të territoreve.

Gjatë ditëve të kaluara Hashim Thaçi ka mbajtur konferenca të njëpasnjëshme për shkëmbim të territoreve me Serbinë, por termin “shkëmbim” e ka zbutur duke e quajtur “korrigjim të kufijve”. Iniciativa e tij po cilësohet si rrezikshme e cila mund të çojë në luftë dhe konflikte të reja.

Për të përmbushur synimin e tij, Thaçi ka paralajmëruar edhe referendum. Duke shtuar se lidhur me këtë temë duhet tu lihet që të vendosin vet qytetarët.

Hashim Thaçi kundërshtarëvë të idesë së tij po ua kthen me monedhën e njejtë. Nga debatet e hapura pikërisht për shkëmbimin e territoreve Thaçi nuk hezitoi të shpaloste histori të vjetra të ish-homologut të tij shqiptar, Sali Berishës.

Kjo pasi, Ish-Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, doli kundër idesë së ndryshimit të kufijve dhe shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ai tha se nuk duhet që Lugina e Preshevës të përdoret për tregti ndërmjet dy shteteve e aq më pak të preken kufijtë e Kosovës që janë njohur ndërkombëtarisht nga 115 shtete.

Ish-Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, ka dalë kundër idesë së Thaçit madje ka kritikuar heshtjen e Edi Ramës për shkëmbim të territoreve.

Deputeti i PD-së, Tritan Shehu kundër idesë. Petrit Vasili kundër po ashtu.

Shefi i Qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj, duke sqaruar se nuk është pjesë e asnjë marrëveshje për ndarjen e Kosovës.

Kryeparlamentari, Kadri Veseli tha se nuk do të ketë ndarje të Kosovës dhe se një ide e tillë është e Beogardit.

Edhe lideri i LDK-së, Isa Mustafa i tha jo shkëmbimit të territoreve me Serbinë. Shoqëria civile e analistet idenë në fjalë e shohin të rrezikshme për Kosovën.

Ish-diplomati amerikan dhe njohësi i çështjeve ballkanike Daniel Serwer është pozicionuar kundër deklarimit të presidentit Hashim Thaçi për këmbim territoresh me Serbinë. Serëer një mbështetës i Kosovës ka numërur një varg arsyesh që shkëmbimi i territoreve me Serbinë është i rrezikshëm dhe çon në fundin e shtetit të Kosovës duke uruar që kjo asnjëherë mos të ndodhë.

Carl Bildt, diplomati suedez që e njeh mirë rajonin e Ballkanit, ka paralajmëruar kundër shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Emisari i dikurshëm evropian për ish-Jugosllavinë thotë se një ide e tillë është shumë e rrezikshme, madje siç thotë ai katastrofale, dhe do të nxiste edhe lëvizjet e popullsisë.

BE nuk i ka ndryshuar politikat që mbështesin integritetin territorial të Kosovës, thotë Michael Leigh, ekspert për politikat evropiane. Është e pamundur që BE të jetë pro ndryshimeve të status quosë territoriale.

Sidoqoftë, ideja e shkëmbimit të territoreve po përkrahet nga Lëvizja për Bashkim.

Idenë për ndryshim e korrigjim kufijsh e ka nisur Presidenti Thaçi menjëherë pasi kishte dështuar të shfuqizonte Gjykatën Speciale. Në janar të këtij viti Zyra e Thaçit e kishte lënë të hapur idenë e bisedimeve me Serbinë, duke përfshirë edhe temën e kufijve.

Deri tash vetëm Gjermania e Britania kanë dalë krejtësisht kundër, ndërsa, vendet tjera kanë lënë të hapur mundësinë e çfarëdo marrëveshje me të cilën palët mund të pajtohen.

Në Kosovë ideja e Thaçit është kundërshtuar nga LDK, AAK e NISMA. Ndërsa, VV ende s’e ka një pozicionim të qartë.

Duke mos pasur mbështetje dhe fuqi politike, Thaçi nëpër konferenca për media, ka nisur të lëshojë akuza në drejtim të mediave, duke thënë se një pjesë e tyre po flasin me gjuhën e Vucicit.

Mirëpo, pa kaluar as 24 orë, Shefi i Shtetit ishte detyruar të kërkonte falje për një akuzë të tillë, marrë parasysh se idetë për ndryshim kufijsh prej vitesh promovohen nga Aleksander Vucic e Ivica Dacic, dy njerëzit kryesorë të Sllobodan Milloshevicit gjatë kohës së luftës në Kosovë, në vitet 1998-1999.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat