KMDLNj: Me dekretimin e Llabanit, Thaçi legalizoi kriminalizimin e Gjykatës Kushtetuese

Aktuale

KMDLNj: Me dekretimin e Llabanit, Thaçi legalizoi kriminalizimin e Gjykatës Kushtetuese

Më: 13 gusht 2018 Në ora: 11:09
KMDLNj

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në një komunikatë për media thekson se pas disa pritjeve dhe pasi përfundoi procesi i “verifikimit” për të kaluarën e tij, presidenti Hashim Thaçi e dekretoi Radomir Llaban për gjykatës të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës përkundër kundërshtimit të prerë të KMDLNj –së dhe organizatave tjera joqeveritare që veprojnë në Kosovë.

KMDLNj thekson se Llaban është i dënuar në Serbi me një vendim të pakundërshtueshëm të një Gjykate për vepër penale të korrupsionit dhe pjesëmarrje në një grup të organizuar krimininal i quajtur “Mafia Doganore”.

Pasi i është shmangur vuajtjes së dënimit duke ikur në Kosovë, Serbia e ka futur në listën e kërkimit ndërkombëtar apo në Listën e Interpolit ku figuron edhe sot, tash si gjykatës i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Llaban, sipas informatave që i ka KMDLNj – ë, gjatë viteve 2011 – 2012 ka marrë pagë nga Buxheti i Kosovës, si i punësuar në Gjykatën Kushtetuese dhe nga Buxheti i Serbisë, si i punësuar në Doganën e Serbisë.

“Deri më tani Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka qenë skajshmërisht e politizuar ku përzgjedhja e gjyqtarëve është bërë, jo në bazë të kritereve profesionale por në baza të përkatësisë dhe dëgjueshmërisë politike kurse, me dekretimin e kundërligjshëm të z. Llaban, është legalizuar kriminalizimi i kësaj Gjykate apo kulmit të drejtësisë kosovare. Çuditërisht, ndërkombëtarët nuk kanë reaguar për këtë dekretim kriminal kurse kanë qenë shumë të zëshëm, me të drejtë , kundër politizimit të kësaj Gjykate”, thuhet në njoftim.

Sipas KMDLNj-së, dekretimi i Llaban si gjykatës i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës është dekretim politik, i cili e dëmton shumë reputacionin e Kosovës në planin ndërkombëtar duke e rreshtuar në mesin e vendeve, jo që nuk e luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar por e stimulojnë atë duke emëruar si gjykatës persona me të kaluar qartë dhe të dëshmuar kriminale.

“Presidenti Thaçi ka blerë kohë për ta dekretuar Llaban për gjykatës të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe ndonëse e ka të qartë se Llaban, edhe të mos ishte në Listën e kërkimit të Interpolit, nuk e plotëson asnjë kriter për t’u zgjedhur në postin që kundërligjshëm e mbanë tani. Integriteti i lartë moral, besueshmëria, e kaluara e pastër morale, përgatitja profesionale janë disa nga kriteret që duhet të plotësohen si parakusht për të hyrë në rrethin e ngushtë për gjykatës të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës”, thuhet në reagim.

Llaban, sipas KMDLNj – së, jo që nuk është dashur të dekretohet për gjykatës të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës por është dashur të hetohet, arrestohet dhe të dënohet për falsifikim të dokumentacionit dhe legalizim të një të pavërtete e cila lehtësisht është e dokumentuar (vendimi i gjykatës së Serbisë dhe Listës së Interpolit).

KMDLNj, gjithashtu e kundërshton edhe mënyrën e rekrutimit të kandidatëve për gjykatës të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës si dhe mënyrën e intervistimit nga Paneli që nuk ka kapacitet profesional ta bëjë përzgjedhjen e duhur për gjykatës të Gjykatës Kushtetuese.

“…Andaj duhet të bëhen ndryshime ligjore që krijojnë një mundësi dhe mekanizëm tjetër për zgjedhje të gjykatësve të Gjykatës Kushtetuese sikur që edhe presidenti duhet të ketë kufizime ligjore që të mos ketë të drejtë të dekretojë edhe kandidatë me një të kaluar kriminale siç ishte rasti Llaban”, thuhet në reagimin e KMDLNj-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat