Shifrat rekorde që shqiptarët e Kosovës i shpenzojnë në telefona

Aktuale

Shifrat rekorde që shqiptarët e Kosovës i shpenzojnë në telefona

Më: 13 gusht 2018 Në ora: 15:29
Foto ilustrim

Ankohen se nuk kanë jetë të mirë, por kur vjen puna për telefona janë fort dorëlirë. Për vetëm gjashtë muaj, kosovarët kanë blerë nga vendet e huaja më shumë se 43 mijë telefona, shumica prej të cilëve janë “smartphone”. Ndërsa, në tri vitet e fundit, numri i telefonave të importuar arrin në rreth 300 mijë. Tërë këta telefona kanë një kosto prej më shumë se 20 milionë eurosh.

Gjersa shumica e qytetarëve të Kosovës e kalojnë tërë muajin me vetëm 200 euro, të tjerë i harxhojnë këto para për një ditë duke blerë “smartphone”. Aq është çmimi mesatar i telefonave “të mençur”.

Vetëm për gjashtë muajt e parë të këtij viti në vend kanë hyrë mbi 43 mijë telefona, ndërsa krahasuar me vitin e kaluar, trendi i importit është i njëjtë.

Së paku kështu ka deklaruar zëdhënësi i Doganës, Adriatik Stavileci.

“Gjatë këtij viti (gjashtëmujori i parë) kemi pasur import rreth 43.000 mijë aparate telefonike të importuara. Trendi i importit është i njëjtë me vitin e kaluar, por me tendencë rritje të zhdoganimeve”, ka thënë Stavileci.

Në tri vitet e fundit, në vend kanë hyrë më shumë se 241 mijë telefona. Rreth 85 mijë telefona janë importuar në vitin e kaluar, pasuar nga 2016-ta me 82 mijë dhe 2015-ta me 74 mijë telefona.

E për gjithë këta telefona, nga xhepat e shqiptarëve mbi 20 milionë euro.

“Përafërsisht importi ka vlerë vjetore (përfshirë taksat) mbi 22 milionë euro”, thuhet në përgjigjet e Stavilecit.

Në Doganë thonë se vendet e origjinës së këtyre telefonave janë të ndryshme, por që kryesojnë vendet aziatike.

Bazuar në statistikat e doganës vendi prej të cilit importohen më së shumti telefona është Kina, pasuar nga Vietnami e Koreja Jugore.

Ndryshe, numri i kosovarëve që përdorin telefon mobil është më i madh se sa është edhe numri i popullsisë.

Sipas Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike, ky numër ka arritur 1,981,365 përkatësisht për 13 për qind më i lartë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

“Numri total i përdoruesve të telefonisë mobile në fund të tre-mujorit të parë (TM1-2017) ka arritur në 1,981,365 përkatësisht për 13% më i lartë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar (TM1-2016) . Ndërsa, krahasuar me tremujorin paraprak TM4-2016, numri i përdoruesve ka rënie 1.4% (ose 28,483 përdorues më pak”, thuhet në raportin e ARKEP.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat