Peci: Thaçi e ka privatizuar politikën ndaj Serbisë - s’do të çuditesha nëse Serbia na hyn deri Graçanicë

Aktuale

Peci: Thaçi e ka privatizuar politikën ndaj Serbisë - s’do të çuditesha nëse Serbia na hyn deri Graçanicë

Më: 15 gusht 2018 Në ora: 13:25
Lulzim Peci

Ish-diplomati i Kosovës, Lulzim Peci, thotë se politika shtetërore e Kosovës ndaj Serbisë nuk është aspak në nivelin e duhur, e madje thotë se e njëjta është privatizuar nga presidenti i vendit, Hashim Thaçi.

Sipas tij, me këtë politikë dhe me idenë e korrigjimit të kufirit Kosovë-Serbi, “s’do të çuditesha nëse Serbia na hyn deri në Graçanicë”.

“Derisa politika e Serbisë në raport me Kosovën është koordinuar në mes dikastereve shtetërore, tek ne politika ndaj Serbisë, as nuk ka koordinim, dhe për më tepër është shndërruar në pronë private nga presidenti i vendit. Kështu si jemi dhe si bëjmë ‘politikë shtetërore’ nuk do të çuditem nëse me ‘korrigjim’ të kufijve, Serbia do të na vjen deri në Graçanicë”, thekson Peci në një postim në Facebook.

Peci, që tani drejton institutin KIPRED, thotë se njëri ndër argumentet kyçe për shtetësinë e Kosovës dhe njohjen ndërkombëtare janë pikërisht kufijtë e saj, të cilët janë të pakontestuar.

Ndërsa thekson se në anën tjetër, Serbia, edhe pse ka pretendime territoriale dhe nuk e njeh shtetësinë e Kosovës, “asnjëherë nuk i ka kontestuar kufijtë e saj, dhe pikërisht duke u bazuar në këta kufij e ka nënshkruar Marrëveshjen e Kumanovës”.

Më tej, Lulzim Peci thotë se kufijtë edhe mund të korrigjohen mes shteteve të ndryshme, mirëpo vetëm nëse konstatohet se është bërë gabim në shënjimin e tyre.

“Kjo nënkupton lëvizje minore, por jo edhe qytete dhe fshatra që duhet të përfshihen në këtë korrigjim”, thekson ai, ndërsa thotë se “Kosova, edhe pse ka kufij prej 400 km me Serbinë, kjo nuk do të thotë se nuk dihet se ku është kufiri”.

Sipas tij, kufiri mes Kosovës dhe Serbisë është saktësisht i përcaktuar me hartat kadastrale të qyteteve kufitare në të dyja anët e kufirit.

“Prandaj, opsioni i plasuar i ‘korrigjimit’ të kufijve me Serbinë, nuk është as më shumë dhe as më pak se sa eufemizëm për këmbim të territoreve me Serbinë dhe ndarje e Kosovës. Kërcënimi, se nëse nuk do të behet ky ‘korrigjim’ në Kosovë do të behet Republika Serbe, është vetëm një përpjekje për të ju hedhur pluhur në sy qytetarëve të vendit”, deklaron Peci.

Ai shtron pyetjen se “nëse kjo është e vërtetë, atëherë pse e nënshkruat marrëveshjen e prillit 2013? Nëse atëherë keni gabuar, pse duhet të ju besojmë se nuk do të gabohet edhe tani me “korrigjimin” e kufijve?”

Në fund, drejtori i KIPRED-it, Lulzim Peci, tërë përgjegjësinë për situatën e krijuar ia vë Qeverisë dhe Parlamentit, institucione të cilat, sipas tij, “duhet të veprojnë me përgjegjësinë e tyre kushtetuese”.

“Nëse nuk veproni, nuk amnistoheni nga pasojat e asnjë të keqeje që mund t’i ndodhë vendit”, përfundon Lulzim Peci.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat