Tahiri: Hetimi i keqpërdoruesve me listat rikthen dinjitetin e veteranëve

Aktuale

Tahiri: Hetimi i keqpërdoruesve me listat rikthen dinjitetin e veteranëve

Më: 16 gusht 2018 Në ora: 13:18
Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka shkruar sërish për dorëheqjen e prokurorit Elez Blakaj, si dhe për çështjen e veteranëve të luftës, duke thënë hetimi për keqpërdorimin e listave të numrit të veteranëve nuk duhet parë nga asnjë perspektivë tjetër përveçse perspektivës ligjore.

Tahiri në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se si ministër i Drejtësisë do t’i japë mbështetje të fuqishme institucioneve të pavarura në hetimin e kësaj çështje deri në fund, në mënyrë që të rikthehet dinjiteti i plotë i veteranëve që i ka vulosur historia, para se t’i vulosë lista e kujtdo.

Lexoni të plotë postimin e Tahirit në Facebook:

“Rasti i prokurorit të dorëhequr ka sjellë edhe një herë debatin mbi veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Përtej diskursit politik që fatkeqësisht përdoret shumë për të gjeneruar diskutime të pa arsyeshme, ka vetëm dy pozicione themelore që janë korrekte në të gjitha kuptimet. Së pari, shoqëria jonë është falënderuese për secilin veteran, që në kohët më të vështira të historisë së popullit tonë ishin në krye të detyrës për mbrojtjen dhe çlirimin e Kosovës. Mijëra nga ta kanë lënë gjymtyrët në vijat e frontit dhe kjo meriton njohje, respekt dhe dinjitet të pa çmim. Së dyti, shoqëria jonë është përcaktuar për të qenë shoqëri korrekte dhe e drejtë, përmes aspiratës për një shtet ligjor, si shëmbëlltyrë se si ndërtohet një shoqëri bashkëkohore dhe demokratike. Kur jemi tek shteti ligjor, kompromiset janë shprehur në gjuhën e ligjit dhe askund tjetër përveçse në ligj. Hetimi për keqpërdorimin e listave të numrit të veteranëve nuk duhet parë nga asnjë perspektivë tjetër përveçse perspektivës ligjore. Nëse ka pasur keqpërdorime, keqpërdoruesit duhet të identifikohen dhe të marrin dënimin e përcaktuar me ligj. Procesi si i tillë, nuk e zhbën meritën e askujt, përveçse materializon aspiratën tonë shoqërore e shtetërore për një Republikë të denjë në të cilën, çdo kujt i njihet ajo çka i takon dhe çdo kush e merr dënimin për abuzimin e meritës. Si ministër i Drejtësisë, për aq sa kam mandat ligjor, do t’i japë mbështetje të fuqishme institucioneve të pavarura në hetimin e kësaj çështje deri në fund, në mënyrë që të rikthehet dinjiteti i plotë i veteranëve që i ka vulosur historia, para se t’i vulosë lista e kujtdo”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat